Kuptimi i risive në fe (1)

Ne duhet që edhe njëherë të shohim konceptin e bidatit, sidomos nëpërmjet njërit prej haditheve të Profetit Muhamed (s.a.s), të cilin dijetarët e fesë, midis tyre edhe Imam Shafiu e kanë konsideruar prej bazave, mbi të cilat është vendosur feja. Në këtë hadith thuhet: “Kush sjell diçka të re në çështjen tonë, që nuk ështe prej saj, atëherë ajo është e refuzuar”. Sheriati ka ardhur për të na mësuar metodat dhe shpjeguar rregullat, mbi të cilat qëndrojnë çështje të gjera, prandaj ai që dëshiron ta ngushtojë atë, veçse ka kufizuar atë që është shumë e gjerë dhe kjo është pikërisht risia.

I dërguari i Allahut (a.s) vendosi parimet për të treguar mënyrën e bashkëveprimit me jetën në një rrafsh të gjerë dhe kush e ngushton këtë rrafsh dhe e bën të shkuarën të vendosë mbi të tashmen, pa asnjë lloj zgjerimi atëherë ai është rismëtar. Profeti (s.a.s) thotë: “Atë që nuk është prej saj”, dhe nuk thotë: “Kush shpik diçka”, e nëse do ta thoshte, atëherë çështja do të ishte e mbyllur, ashtu sikurse e kanë mbyllur disa për vetet e tyre. Por jo, ai tha: “Atë që nuk është prej saj”.

Imam Nesaiu transmeton nga Profeti (a.s), se ai pasi kishte mbaruar njëherë namazin tha: “Kush ishte ai që tha diçka, pasi unë u ngrita nga qëndrimi në ruku?” Sahabët u frikësuan dhe askush nuk guxoi të fliste. Atëherë ai tha: “Ai që tha atë çfarë tha, nuk ka thënë veçse mirësi”. Dikush tha: “Unë, o i dërguar i Allahut”. Çfarë the?- e pyeti Profeti (s.a.s). Iu përgjigj: “Thashë, o Zoti ynë, ty të përket lavdërimi, lavdërimi i shumtë, i pastër, i begatë aq sa masa e qiejve dhe tokës dhe aq sa masa e diçkaje që Ti dëshiron”. Profeti (a.s) i tha: “Pashë më shumë se tridhjetë engjëj që garonin, se cili prej tyre t`i ngrinte ato fjalë i pari në qiell”. Dijetarët thanë: “Kjo ngritje e këtyre fjalëve në qiell ndodhi përpara vërtetimit të Profetit (a.s), që të na mësonte neve se çfarë është bidati dhe cilat shtesa nuk mund të jenë të tilla. Kështu që nëse fjalët janë të bukura dhe në to gjendet njëhësimi i Allahut të Lartësuar, brenda tyre gjendet sinqeriteti dhe pohimi i mirënjohjes ndaj Zotit, qoftë kjo e dëgjuar apo jo prej Profetit (a.s), madje qoftë e shtuar edhe brenda namazit, si rasti i mësipërm, atëherë ato janë të pranuara”.

Por, në momentin kur Profeti (a.s) i dëgjoi disa arabë që gjatë telbijes (ritual i gjendur në haxh), të thonin: “Të përgjigjemi ty o Zoti ynë, vetëm ty të përgjigjemi, të përgjigjemi ty që nuk ke ortak, përveçse ndonjë ortaku, të cilin Ti e ke në zotërim dhe ai nuk të zotëron ty”! Profeti (a.s) i ndaloi këta njerëz, i mësoi ata dhe e mohoi veprimin e tyre, sepse kjo ishte diçka që binte ndesh me atë që mësonte Sheriati prej njëshmërisë së Allahut të Lartësuar.

Dijetarët janë argumentuar gjithashtu me hadithin e Bilalit (r.a), se Profeti (a.s) njëherë i kishte thënë atij: “O Bilal, kam dëgjuar që tani zhurmën e nallaneve të tua në Xhenet, më thuaj prej nga vjen kjo”? I tha: “Pasha Allahun nuk e di o i dërguar i Allahut, veçse unë sa herë që marr abdes i fal dy rekate namaz”. E pa Profeti (a.s) vendin e Bilalit (r.a), për shkak të dy rekateve, para se ai t`ia aprovonte një veprim të tillë. Ai nuk ia kishte mësuar diçka të tillë Bilalit (r.a), veçse Bilali e kishte kuptuar mirë Sheriatin, duke e parë abdesin si diçka të mirë dhe bashkë me të edhe namazin, kështu ai i bashkoi ato të dyja pa lejen paraprake të Profetit (a.s). Kjo nuk është për arsye tjetër, vetëm se për të na mësuar neve sesi të jetojmë në një rrafsh të gjerë në botën tonë, në momentin kur të humbasim nga mesi ynë të dërguarin e Allahut (s.a.s). Atëherë, çfarë të bëjmë? Kur të dalë diçka e re duhet që domodoshmërisht ajo të jetë prej Sheriatit, jo në kundërshtim me të. Çështja është e gjerë dhe në momentin që thua: “Nuk ka dhikr dhe as dua, përveçse prej fjalëve të Profetit (s.a.s), ti veçse ke ngushtuar atë që është shumë e gjerë”!

Prof. Dr. Ali Xhuma

Përktheu: Aorel Senja

Postime të ngashme

%d bloggers like this: