Selman el-Farisi dhe Djaloshi
Një ditë teksa Selman el-Farisi po shëtiste në tregun e farkëtarëve të hekurit, sheh një djalosh i cili humb ndjenja dhe ashtu bie shakull në tokë. Pranë tij mblidhen njerëzit për të parë se ç’kishte ndodhur. Kur shohin se aty po kalonte Selman el-Farisi i kërkuan që ai t’i lexonte ndonjë lutje (dua) në vesh djaloshit, me shpresë se mos vjen në vete. Sapo Selman el-Farisi i afrohet djaloshit për t’i lexuan ndonjë lutje, djaloshi vjen menjëherë në vete dhe vërvitet përpjetë. Ardhur pa ardhur mirë në vete thotë: “O Selman! Gjendja nuk është ashtu siç mendojnë njerëzit. Unë kur po kaloja në rrugë, pashë farkëtarët të rrihnin hekurin me çekiçët e tyre dhe në ato momente më vjen ndërmend ajeti i Kuranit, ku Allahu xh.xh thotë: “Për ata (njerëzit e xhehennemit)do të ketë kamxhikë prej hekuri.” (Haxh21). Prej frikës së dënimit të Allahut rashë pa ndjenja.
Tashmë djaloshi kishte fituar dashurinë dhe zemrën e Selman el-Farisi’ut. Ata u bënë shokë dhe miq të pandarë. Një ditë djaloshi sëmuret rëndë, Selmani r.a ulet pranë kokës së tij duke e shoqëruar atë në momentet e fundit të jetës së tij, kur ai do të jepte shpirt. Në momentin kur vjen Engjëlli i vdekjes për t’i marrë shpirtin, Selmani r.a i drejtohet Engjëllit me këto fjalë:
– O Engjëll i vdekjes sillu me dhembshuri ndaj vëllait tim!
– O Eba Abdullah! Unë jam i mëshirshëm dhe i dhembshur ndaj çdo besimtari. – i përgjigjet Engjëlli i vdekjes.
Burimi: Bihar’ul Enuar