Jetë peshkatarësh në lagunën e Karavastasë
Motori ndalet në fshatin Zharnec rreth 8 km larg Bashkisë së Divjakës. Kthen kokën drejt perëndimit dhe tej në horizont dallon lagunën e Karavastasë. Rruga drejt saj është e paasfaltuar dhe e ngushtë. Ecim midis gurëve, gropave dhe gjurmëve që kanë lënë pas njerëzit dhe bagëtitë.
Parcelat janë të mbjella me bimësi të ndryshme diku jonxhë, misër, shalqi, ndërsa të tjera në pritje për t’u punuar. Dyrrotakëshit me benzinë kanë filluar të mbajnë distancë nga njëri-tjetri duke evituar pluhurin që ngrihet në çdo lëvizje të rrotave. Tashmë aroma e jodit dhe kripës mbizotëron kudo. Shkoza ka mbirë në mënyrë të çrregullt diku e dendur, diku e rrallë. Përtej në horizont, midis qiellit dhe detit, dallohet një rrip toke i mbushur me pisha. Të bien në sy edhe tri kanale që ushqejnë lagunën me ujin e detit, njëri prej të cilëve është krijuar posaçërisht për t’i ardhur në ndihmë peshkimit.
Qetësi, asnjë pëshpërimë. Dielli shndrin mbi krye. Një erë e lehtë na shpupurit me delikatesë flokët. Vija e bregut të lagunës ka një gjatësi prej 10.6 km. Vështrojmë nga e majta në të djathtë dhe shikojmë vetëm kashtë dhe plastmas, por jo barka peshkimi. Aty më poshtë dëgjojmë zërat e peshkatarëve.
– “Këto janë lundrat tona”, – thotë buzagaz Emiljano, peshkatari 22-vjeçar i veshur me një kanotiere të kuqe dhe një palë pantallona gri që i vijnë deri në gjysmë të gjurit.
“Lundra???” Afrohem për t’i parë nga afër. Shoh një plastmas rreth 3,7 m të gjatë në formën e një sanduiçi. I lidhur nga të dyja anët me litar, në brendësi të saj ndodhet një dërrasë e gjatë 3,5 m dhe 70 cm gjerë, e mbuluar me një shtresë byku. Lartësia e kësaj lundre është vetëm 60 cm. Plastmasi që vesh kashtën është palosur disa herë duke i dhënë bardhësi lundrës. E verdha e kashtës bëhet njësh nën rrezet e diellit. Litari mbërthen fuqishëm lundrën. E pamundur të dallojmë ngjyrën e tij.
“Një kanoe made in Karavasta”. Kurioziteti na pushton gjithnjë e më shumë! Duam të shohim nëse këto lundra mund të qëndrojnë mbi ujë. Ndërkohë Emiljano na fton të bëjmë një shëtitje me “kanoen” e tij. Nuk kemi aspak besim në këtë lloj mjeti primitiv. Pasiguria se nga një moment në tjetrin mund të gjendeshim në ujë na shtyn të lëmë në breg aparatin fotografik dhe çdo lloj mjeti teknologjik. Vetëm me një bllok shënimesh dhe laps u ngjasojmë gazetarëve të 50-60 viteve më parë, pa telefon e iPad.
Udhëtimi në lagunë
Djaloshi 22-vjeçar tërheq varkën drejt ujit. Me “palluqen” shtyn lundrën drejt thellësisë. Palluqja është një shkop i gjatë 2,5 metra, në fundin e së cilës është futur një pjesë druri në formën e bumerangut. Këtë pjesë të palluqes Emiljano e mbështet në fundin e kënetës. Ai ushtron forcë mbi të dhe i jep trupit përpara. Lëmë pas aromën e tokës. Ngadalë dhe ritmikisht pa lopata ne lundrojmë.
– “Për të bërë palluqen marrim hunj frashri këtu te laguna, sepse ky dru qëndron i lehtë në ujë dhe nuk bymehet” – shprehet Arditi, që lundron paralelisht me ne.
Si një kapiten i mirë anijeje, Emiljano fillon të diktojë rregullat që duhet të ndjekim gjatë lundrimit. Nuk duhet të bëjmë lëvizje të shpejta, të shpeshta dhe të vrullshme, të mos trembemi nëse ndonjë peshk fluturon mbi ujë. Këto lëkundje mund të mënjanojnë lundrën. Këneta nuk është e thellë. Ajo nis me një cekëtinë 20-30 cm dhe arrin 1,5 metra thellësi.
Çdo pjesë e lagunës thërret. Kthehemi nga e majta në të djathtë duke shkaktuar lëkundje të lehta të lundrës. Lartësia e vogël e kanoes na lejon të ndiejmë dhe të prekim ujin e ngrohtë dhe të kripur të lagunës. Midis gishtave të zhytur nën ujë na ngecin myshqe, gorre dhe bimë të tjera lagunore. Midis bimëve qëndrojnë një mori guaskash.
Zemra të rreh fort nga ndjesia që na krijon kjo pamje magjepsëse e lagunës. Kthjelltësia e ujit të lejon të shohësh bimët lagunore me ngjyra nga më të ndryshme. Era përkëdhel sipërfaqen e ujit duke krijuar valëzime të lehta. Këneta e qetë mposht mosbesimin tonë duke na përcjellë siguri mbi kanoen prej kashte. Sa më shumë largohemi nga bregu, aq më shumë pasuria e lagunës shpaloset nën kthjelltësinë e ujit. Gjatë udhëtimit mësojmë se ky mjet lundrimi ka një vit që përdoret për të peshkuar. Lundrat prej kashte u kanë zënë vendin atyre prej druri që lëvizin me motor uji.
– “Në këtë zonë është i ndaluar peshkimi. Në shtatorin e 2012-s na i sekuestruan të gjitha lundrat prej druri. Pati përleshje midis rojeve të lagunës dhe peshkatarëve. Njëri prej peshkatarëve është ende në burg. Pjesa më e madhe e banorëve të Zharnecit dhe të fshatrave përreth mbajnë familjet e tyre me shitjen e peshkut që kapin këtu. Nuk kanë të ardhura të tjera. Para disa vitesh, laguna ka qenë ‘pronësi’ e Aldo Bares. Ndërsa tani secili ka zonën e tij të peshkimit dhe nuk mund të peshkosh kudo”, shprehet Emiljano me vështrimin drejt bregut.
Me pak fjalë na shpjegon se laguna është e ndarë në klane nga vetë peshkatarët, ku secili “mundohet” të respektojë zonën e tij të peshkimit. Me disa shkopinj të lënë pas peshkimit, peshkatarët “zaptojnë” pjesën e tyre të kënetës. Ndërsa bisedojmë duam të dimë më tepër rreth këtyre ngjarjeve. Por a i kanë kapur vallë duke peshkuar me lundrat prej kashte?
– “Rojet na i çajnë plastmaset e lundrave, por ne bëjmë të tjera. Na marrin edhe rrjetat. Një lundër të tillë mund ta ndërtosh me 4 mijë lekë. Ndërsa lundra me dërrasë është shumë e kushtueshme, sepse duhet të blesh edhe motorin”, thotë djaloshi.
Pelikani kaçurrel
Po pelikani kaçurrel ku e ka folenë? Të dy kushërinjtë Arditi dhe Emiljano na tregojnë se foletë e tyre janë larg nga bregu. Për të lundruar deri atje nevojiten varka me motor. “Ishujt e vegjël të pelikanëve” mezi shquhen në horizont. Foletë e tyre duhet të ishin rreth 5 km larg nga bregu nëse sytë nuk na lënë të gabojmë.
– “Është e vështirë që të kapësh një foto të pelikanëve, pasi sapo shohin lundrat që afrohen, largohen fluturimthi dhe lënë vetëm vezët e tyre në ishull. Pelikanët janë një nga ‘armiqtë’ tanë të peshkimit. Ata ushqehen me rreth 3 kg peshk në ditë”, thotë Arditi.
Pelikani kaçurrel është një nga speciet në zhdukje në shkallë botërore. Në lagunën e Karavastasë jeton 5% e këtij shpendi të rrallë.
Shumëllojshmërinë e gjallesave që jetojnë në këto mjedise, si dhe shpejtësia me të cilën këto habitate mund të zhduken si rezultat i ndërhyrjes njerëzore bëri që të krijohet në qytetin iranian të Ramsarit në shtator të vitit 1971 konventa “Toka të lagëta të rëndësisë ndërkombëtare veçanërisht si habitate të shpendëve ujorë”. Më 22 gusht 1994, Këshilli i Ministrave deklaroi zonën e lagunës së Karavastasë si zonë e përfshirë në “Konventën e Ramsarit”.
Kthimi në tokë
Akrepat e orës ecin pa u ndier. Erdhi koha të kthehemi në tokë. Edhe pse pak të lodhur, për Emiljanon dhe Arditin, kthimi është më i lehtë. Një fllad i lehtë fryn nga ana perëndimore e lagunës. Era ndihmon kanoet të lundrojnë më lehtë drejt bregut. Ankorimi në breg është i thjeshtë. Zbresim prej kanoes pak metra larg bregut. Për të prekur tokën duhet të kalojmë përmes ujit.
“Ishit pa fat, sot nuk pamë asnjë peshk fluturues, as rosa madje dhe pulëbardhat s’po duken”, thotë nën zë Emiljano.
Nuk do të mund të kuptonin simbiozën dhe djemve në lagunë, pa parë sesi ata peshkojnë. Në pritje të dy peshkatarëve vendosim të bëjmë një shëtitje përgjatë kënetës. Ecim drejt veriut.
Gjatë vijës lagunore ka edhe lundra të tjera prej kashte. Në pritje për të sfiduar ujin. Pranë tyre shohim gaforre të ngordhura. Ato ishin bërë njësh me barin jeshil. Më në fund, në qiell dallojmë disa dallëndyshe deti që largohen fluturimthi. Disa metra më tej një mesoburrë, rreth të pesëdhjetave, mban në trup vetëm një palë pantallona të shkurtra. Ai shfrytëzon qetësinë e lagunës për relaks. Marina e “zhuga” mbizotërojnë gjatë gjithë bregut.
Guri Alla është peshkatar prej shumë vitesh. Banon në fshatin Kryekuq, në kufi me Zharnecin.
“Nga Divjaka në Adriatik me peshkim merren, me se do të merren tjetër?! Bujqësia është me kohë të caktuara. Fshati Kryekuq ka shumë pak toka bujqësore ndaj merremi veç me peshkim”, shprehet 39-vjeçari.
“Kushtet e këqija ekonomike na detyrojnë të gjuajmë në periudha kur nuk duhet të gjuajmë dhe e dëmtojmë kënetën. Ne këtë gjë e dimë, por nuk kemi çfarë të bëjmë.”
Guri na flet për problemet e shumta që ka këneta. Një ndër to është edhe periudha e rezit, periudha kur peshku hyn nga deti në kënetë. Rezi është i përbërë prej tubosh plastike me gryka, në të cilën hyn peshku. Pas viteve ‘90 rezi duket sikur ka qëndruar “stanjacion”.
“Në muajt mars–prill vihet rezi dhe nuk lejohet asgjë, as zhurmë. Në kohën e grykave shkojmë e peshkojmë me dritë me bateri makine ose llamba gazi. Gjatë kësaj kohe mblidhen të gjithë si miza për të peshkuar atje. Po ta shikosh nga larg bëhet tamam si qytet me drita”, tregon babai i dy fëmijëve të vegjël.
Gjatë cekëtinës së lagunës hasim një shtresë me ngjyrë të verdhë. Guri na shpjegon se kjo quhet “mallatë”. Është pisllëku i kënetës. Në këtë sezon në mallatë rriten mikroelemente, si p.sh. karkaleca të vegjël dhe një lloj peshku i vogël që quhet tering. Ky peshk i vogël rritet, e më pas shërben si ushqim për levrekun dhe kocën.
Melodia e telefonit na shkëput nga biseda. Emiljano na kujton se duhet të kthehemi te vendi i takimit. Aventura jonë drejt thellësisë së lagunës fillon sërish. Këtë herë me një sfidë përpara. Të zëmë peshk.
Peshkimi
Mos jemi vallë në ditën e tetëdhjetepesë me personazhin kryesor Santiago, në romanin e famshëm të Heminguejit “Plaku dhe deti”. A do të kapim dhe ne vallë një peshk të madh?
Këtë herë kemi besim te lundrat e djemve dhe te qetësia e lagunës. Ndaj vendosim të marrim me vete aparatin dhe gjithçka na duhet për të mos humbur asnjë çast të peshkimit.
Pamja e lagunës të rrëmben në qetësinë e saj. Dielli është shtrirë mbi lagunë. Rrezet e tij arrijnë të depërtojnë deri në thellësi të kënetës. Ngjyra e argjendtë ka veshur gjithë sipërfaqen e lagunës. Uji është më i kthjellët e më i ngrohtë se në mesditë. Vende-vende uji valëzon lehtë për të mos u prishur qetësinë pjesëve të tjera, të cilat qëndrojnë “pa lëvizur”. Duket sikur tabloja “Dielli në perëndim” e piktorit impresionist Claude Monet, ka marrë jetë. Sa i bukur është ky perëndim!
Laguna nis të humbasë qetësinë.
– “Ndalojmë këtu. E ngulim këtu shkopin. Ja atje, shiko se si hidhet ai peshku kocë”, – buçiti zëri i Indritit. Djali 25-vjeçar, i vetëm në lundër si Santiagoja. Në lundrën që ndodhet karshi nesh, ai përgatit rrjetën e peshkimit. Me sy të lirë largësia nga bregu mund të jetë jo me shumë se tre kilometra.
U afrohemi hunjve të vendosur nga peshkatarët e tjerë që kanë përcaktuar zonën e tyre të peshkimit. Indriti e nis dhe e përfundon i vetëm gjithë procesin e hedhjes së rrjetës në kënetë. Ne jemi vetëm spektatorë. Në fillim, Indriti ngul në fundin e kënetës një kallam 2 metra të gjatë me ngjyrë të verdhë. Me një goditje të vetme e fikson dhe lidh rrjetën për të dalluar fillimin e rrethimit të zonës. Bën lëvizje të shpejta prej profesionisti. Nis të hedhë rrjetën, e cila bie në ujë duke lëshuar pas pikla të vogla uji. Ajo është e vjetër, nyjat 21 cm janë dëmtuar nga përdorimi shumëvjeçar. Është e gjerë, një metër. Nga njëra anë është qepur litari plumb, ndërsa në pjesën e sipërme litari tapë. Nëpër të kalojnë disa “topa” të vegjël e të shtypur në mes. Ata kanë ngjyrë të kuqërremtë e shërbejnë për të mbajtur dhe dalluar sipërfaqen që rrethon rrjeta. Lundra përshkon një sipërfaqe të rrumbullakët me një diametër prej 300 metrash. Indriti me lundrën e tij, si një trup i vetëm, bën një rrotullim 360 gradë dhe mbërrin sërish te kallami duke e bashkuar me rrjetën. Jemi në pritje të gjahut tonë.
– “Na duhet të qëndrojmë në këtë vend të paktën një orë, me shpresën që do të kapim ndonjë peshk, – tha Emiljano, – ka kohë që nuk arrijmë të zëmë shumë peshk. Këtu ka katër lloj peshqish kocë, qefull, burdullëk dhe levrek. Ky i fundit është i vështirë për t’u gjetur. Në treg e shesim 300-500 lekë kilen, çmimi ndryshon në varësi të llojit të peshkut. Por nuk mungojnë ngjalat, gaforret që shpesh na i prishin rrjetat dhe karkalecat që mund t’i peshkojmë më në afërsi të detit.”
Koha kalon pa u ndier në shoqërinë e peshkatarëve. E ndërsa presim që peshqit të bien në kurthin tonë, Emiljano na shpjegon se çmimi i rrjetave arrin deri në 50 mijë lekë, kjo ndryshon në varësi të nyjës.
– “Ajo që ne po përdorim është e thjeshtë e nuk kushton më shumë se 4,5 mijë lekë. Për një gjueti sa më të mirë, rrjeta nuk duhet të përdoret më shumë se një vit. Për të kapur peshk në kënetë përdoren edhe mënyra të tjera, si grepi, fishnjeri etj.”, plotëson djaloshi.
Fishnjere apo “fuzhnjë”? Një shkop i trashë druri në fundin e të cilit fiksohet një hekur që i ngjason sfurkut. Na vjen sërish në mendje plaku i Heminguejit që nguli fuzhnjën mbi kokën e peshkaqenit në Gulf Strim. Termat janë të përafërt. Mënyra e peshkimit po ashtu e njëjtë, edhe pse jemi në dy kohë e vende të largëta. Mesa duket peshkimi i reziston kohës dhe brezave.
Erdhi koha të ngremë rrjetën. Mezi presim të shohim sa peshq kanë rënë në grackën tonë. Rrjeta nis të ngrihet. Një peshk i vogël rreth 23 cm i gjatë tenton të shkëputet prej saj. Indriti i shkëput peshqit një e nga një prej rrjetës, duke e tërhequr dhe duke e futur atë në lundër.
– “Kemi kapur 4 kg peshk. Shokët tanë, mbrëmë, peshkuan gjithë natën dhe kishin zënë më pak se ne, – tregon duke buzëqeshur Emiljano – në këtë zanat duhet edhe pak fat”. Ndodh që kur vijmë për të peshkuar i hedhim rrjetat dhe 10 herë gjatë natës. Ky ritual bëhet gjatë gjithë vitit, në dimër mes temperaturave të ulëta, erës në pranverë, vjeshtës e verës.”
Indriti duke buzëqeshur thotë se puna nuk mbaron këtu. Peshku duhet shitur.
– “I shpiem te dy lokale në fshat ose në Divjakë, kjo në varësi të sasisë që arrijmë të zëmë”, shtoi miku ynë.
Emiljanon e prisnin në breg një grup djemsh të vegjël që do të hidhnin në kënetë rrjeta kallami. Ata na kujtojnë se jemi vonë e duhet të kthehemi.
– “Këtu djemtë mësojnë të peshkojnë që në moshë të vogël. Është një pasion i vërtetë. Peshkimi është i lodhshëm. Peshkatari më i vjetër është 45 vjeç. Pjesa më e madhe janë të rinj, sepse kjo punë kërkon forcë të madhe fizike”, tregon djaloshi.
Kthehemi shpejt në breg. Amatorë të tjerë duan të mësojnë sesi peshkohet në kënetë. Ne nuk dolëm duarbosh. Me vete kemi edhe gjahun tonë, qefull dhe kocë. Përshëndetemi me miqtë tanë. U hipim motorëve me premtimin se do të kthehemi sërish. Lëmë pas Zharnecin.
Peshkatarja Rudina Alla
Paradite e gjen në tokë, mbrëmjeve në det. Ajo rrëmben rrjetën me kallama për të na treguar një nga armët e saj të gjuetisë. Duart e saj nuk të gënjejnë. Ajo punon ditë e natë. Kjo është Rudina, peshkatarja e fshatit Kryekuq. Kapelja i mbulon sytë e shkruar që evidentohen më shumë nën lëkurën e regjur nga dielli. E veshur lirshëm me një bluzë lejla dhe pantallona të kuqe deri në gju, 29-vjeçarja na tregon se sa e lumtur ndihet kur peshkon.
– “Unë bërtas nga gëzimi kur kap peshk. Sot në mëngjes me papitkën kapa një ngjalë 2,5 kg”, thotë plot entuziazëm. Tashmë prej 2 vitesh peshkimi është bërë pjesë e përditshmërisë së Rudinës. Edhe pse një grua e martuar me dy fëmijë, ajo gjen forcën të jetë jo vetëm zonja e shtëpisë, por edhe një punëtore e palodhur në bujqësi dhe në peshkim. Pasioni për peshkimin ka lindur qysh në kohën kur Rudina ishte vetëm 7 vjeç. Aq sa është dhe vajza e saj Ester, e cila e ndihmon për të mbledhur peshkun.
Duke buzëqeshur na rrëfen sfidën e saj me motin. – “Tani kemi lundrën prej kashte. Kur vjen stuhia na e përmbyt. Shpesh kthehem ujë në shtëpi. Moti nuk më ndalon të hedhim grepat përditë.”
Rudina nuk ka shoqe, është e vetme mes peshkatarëve. Nuk ndihet aspak e paragjykuar. Madje shpreh çudi kur e pyesim se si ndihet. – “Pse çfarë po bëj unë?! E kam qejf peshkimin! E kam pasion! Me të do të mbaj familjen.”
E detyruar nga kushtet ekonomike dhe e shtyrë nga pasioni, ajo nuk ndien lodhje. Por vazhdon e buzëqesh.
Eglantina Kapo