Fara e potencialit njerëzor brenda natyrës sonë
Nëse njeriu do të bënte një ecje të lirë në natyrë, do ta ndiente veten më mirë dhe më pranë Zotit të gjithësisë. E gjithë natyra na tregon madhështinë e Krijuesit të saj dhe është një ftesë e qartë për të medituar më shumë mbi bukuritë e krijimit. Përveç argumenteve të shumta që na ofron, ajo na fton të ndërmarrim edhe një udhëtim shpirtëror brenda nesh. Nëse vëmë re me kujdes mënyrën e natyrshme të jetës në ekosistem, e kuptojmë me lehtësi adhurimin e vazhdueshëm të tyre ndaj Zotit. Njeriu është pjesë e këtij krijimi, ai s’duhet ta lërë veten jashtë tij duke e harruar Krijuesin, por duhet ta përkujtojë atë në mënyrë aktive. Përkujtimi është lënë i lirë në vullnetin e njeriut dhe kjo është zgjedhje e gjithsecilit prej nesh.
Ftesa për të vështruar me kujdes natyrën është qartazi një simbolikë edhe për disa procese që ndodhin brenda njeriut. Duke parë pamjen e jashtme të natyrës, mund të kuptojmë se çfarë ndodh brenda nesh. Shembulli më i lehtë dhe domethënës për këtë do të ishte ai i farës së një peme. Dihet mirë që brenda farës gjendet i gjithë informacioni gjenetik i pemës, domethënë në një farë mënyrë, se ç’do të ndodhë me pemën dhe deri ku mund të arrijë ajo. Që fara të rritet e të lulëzojë duhen siguruar mirë kushtet e kultivimit të saj. Nëse nuk sigurohen këto kushte, ndoshta edhe një farë shumë e mirë, mund të shkojë dëm dhe të shkatërrohet. Para se të mbjellim farën sigurojmë mirë kushtet e tokës në të cilën do të mbillet ajo. Ajo mbillet me kujdes duke u mbuluar aq sa duhet, dheu përreth saj pastrohet dhe më pas ujitet në masën e duhur, pa e tepruar dhe pa e lënë mangët.
Dijetarët thonë se shembulli i farës së pemës i ngjan shembullit të farës së potencialit njerëzor brenda nesh. Çdokush e gëzon një farë të tillë, të cilës duhet t’i sigurohen mirë kushtet e kultivimit. Do të ishte absurde thjesht të mbillje farën në kushtet çfarëdo dhe më pas të prisje një rezultat të madh. Po ashtu, kjo farë që gjendet brenda nesh, kjo farë e potencialit të jashtëzakonshëm, kërkon një përkujdesje të veçantë. Mund të themi se pastrimi i brendisë sonë është esencial për zhvillimin e shëndetshëm të kësaj fare. Ky pastrim dhe kjo përkujdesje është një proces i gjatë dhe i vazhdueshëm. Nëse sigurohen mirë këto kushte, atëherë ky potencial mund të rrezatojë aftësi shumë të mëdha dhe arritjet e tij mund të jenë mbresëlënëse. Por, ç’duhet të synojmë ne me këtë potencial?
Synimi i këtij potenciali duhet të jetë reflektimi i moralit të Profetit Muhamed (a.s), i cili kishte arritur majat në këtë aspekt. Ky moral është busulla e orientimit të besimtarit dhe përpjekja e tij e vazhdueshme për t’u ngjitur edhe më lart. Është ndjesi e veçantë të përpiqesh të afrohesh me atë moral të jashtëzakonshëm njerëzor, i cili u lavdërua drejtpërdrejt nga Zoti i gjithësisë. Afërsia jonë me këtë moral varet nga përkujdesja që bëjmë për farën që gjendet brenda nesh. Gara është e hapur për këdo, por duhen pasur parasysh mirë kushtet e zhvillimit të farës së potencialit njerëzor. Për ta kuptuar më drejt këtë le ta shohim më me kujdes natyrën që na rrethon dhe le t’i hapim veshët tanë ndaj mesazhit që ajo dëshiron të na përcjellë. Kudo ku hedh sytë ka shenja e prova të pafundme për këdo që mendon.