Etapat e Jetës së Ahiretit

Ringjallja 4

Nga Ali Zaimi

 Jeta pas vdekjes do të realizohet në dy faza. E shprehur ndryshe, pas vdekjes, njeriu do të kalojë nëpër dy botë. E para, bota e varrit  e cila, si kjo botë, do të marrë fund, ndërsa tjetra është bota e ahiretit e cila nuk do të marrë fund në asnjë formë.

Pas shpërthimit të kiametit, ringjalljes dhe grumbullimit në fushën e quajtur Mahsher, njerëzve u shpërndahen “librat e punëve” ku janë shënuar të gjitha punët që kanë bërë dhe fjalët që kanë thënë para se të vdisnin. Këta libra, cilësia e të cilëve nuk na bëhet e ditur, shpjegohen kështu në Kuran:

“Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (Kehf, 18/49)

Kurani bën të ditur se librat e punëve do t’u jepen njerëzve të caktuar për në xhenet nga e djathta, njerëzve të caktuar për në xhehenem nga e majta ose nga pas. Ata që u jepet libri nga e djathta, emërtohen as’habi jemin (të djathtët, të vendosurit), kurse ata që u jepet nga e majta ose nga pas, as’habi shimal (të majtët, të shmangurit nga e drejta). Dhënia e librit nga e djathta është lajmërim për një fund të mirë, kurse dhënia nga e majta ose nga pas, lajmërim për një fund të keq.

Pas shpërndarjes së librave fillon procesi i llogaridhënies. Në vendin e grumbullimit (mahsher), njerëzit do ti japin llogari Allahut pa ndërmjetës. Në hadithet Profetike bëhet e ditur se ndërsa besimtarët do t’u përgjigjen pyetjeve me lehtësi, mohuesit do të kalohen përmes një hetimi dhe llogarimarrjeje të imtë.

Gjatë hetimit dhe llogaridhënies, përveç librit të punëve, po të duhet, për njerëzit do të dëshmojnë edhe organet  e trupit të tyre, edhe toka.  Gjatë hetimit dhe llogaridhënies kur ai që ka bërë të mirë qoftë edhe sa grimca, do ta marrë shpërblimin e të mirës së tij, dhe kur ai që ka bërë të keqe qoftë edhe sa grimca, do ta marrë ndëshkimin e të keqes së tij, njerëzit nuk do të lihen pa u përgjigjur për këto pesë gjëra: Ku e kanë shpenzuar jetën? Si e kanë kaluar rininë? Në ç’ rrugë e kanë përdorur diturinë dhe si kanë vepruar me të?  Ku e kanë fituar dhe ku e kanë shpenzuar pasurinë? Ku e kanë përdorur dhe konsumuar trupin?

Pas llogaridhënies veprat e njerëzve peshohen në Mizan. Si fjalë, mizan do të thotë peshore. Ajo që duhet të kuptojmë ne me peshoren, është peshimi dhe matja (vlerësimi) e punëve me mënyrën e përcaktuar nga Allahu. Cilësinë e Mizanit e di vetëm Allahu. Në këtë peshim të imët të veprave, ata që do t’u rëndojnë më shumë të mirat, do të shpëtojnë, kurse ata, të mirat e të cilëve do të vijnë lehtë, do të shkojnë në xhehenem.  Lidhur me peshoren, në Kuran thuhet kështu:

“Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje!” (Enbija, 21/47)

Më pas vjen Sirati. Sirati është një urë mbi xhehenem ku do të kalojë gjithkush dhe ata që s’do të munden të kalojnë, do të bien në xhehenem. Edhe mbi cilësinë e vërtetë të siratit është e vështirë të thuhet diçka e saktë. Vetëm se një kalim i tillë sipas një mënyre që e di dhe e përcakton vetëm Allahu, do të ndodhë patjetër.

Në hadithet Profetike njoftohet se ata që do të kalojnë të parët mbi sirat do të jenë Profeti Muhamed (sal’lallahu alejhi uesel’lem) dhe umeti, bashkësia e tij, dhe gjatë këtij kalimi, njerëzit do të kenë vështirësi apo lehtësi sipas punëve të tyre.

Këtë urë mjaft të lehtë për t’u kaluar nga besimtarët dhe ata që kanë bërë punë të mira, kurse mjaft të vështirë për t’u kaluar nga mohuesit dhe mëkatarët, mund ta interpretojmë edhe si “urë të ndërtuar nga njeriu gjatë gjithë jetës së tij në këtë botë me anë të punëve të tij të mira apo të këqija”. Punët e këtushme të njeriut i vihen para atij si një urë. Duke u nisur nga kjo konsideratë, ndërsa punët e mira do të kryejnë funksionin e një ure të shëndoshë që ka për ta nxjerrë atë në bregun e shpëtimit (xhenet), punët e këqija do të kryejnë funksionin e një ure të kalbur që do të bëhet shkak për rrëzimin e tij në xhehenem. Të vërtetën vetëm Allahu e di!

Sipas njoftimit të haditheve, në ditën e kiametit, çdo Profeti do t’i dhurohet një hauz. Ndërkaq, uji i hauzit që do t’i jepet Profetit Muhamed (sal’lallahu alejhi uesel’lem), do ta ketë ngjyrën më të bardhë se qumështi dhe aromën më të këndshme se parfumi. Kush do të pijë prej tij, nuk do të ketë më etje kurrë. Profeti Muhamed (sal’lallahu alejhi uesel’lem) do të jetë i pari që në ditën e kiametit do të pijë ujë në këtë hauz, pastaj, me radhë, besimtarët që janë përpjekur në rrugën e Allahut dhe që i kanë shërbyer Islamit.

Fjala “keuther” që përmendet në Kuran në ajetin e parë të sures Keuther, ku thuhet, “Pa dyshim, Ne të dhamë ty Keutherin” (Keuther, 108/1), në tefsiret është komentuar, përgjithësisht, si hauz. Prandaj, për hauzin e Profetit (sal’lallahu alejhi uesel’lem) në kiamet është thënë “Hauzi Keuther”.

Një tjetër ngjarje e madhe që vijon në ditën e ringjalljes është çështja e shefaatit (ndërmjetësimit). Fjala “shefaat” që do të thotë ndërmjetësim, në terminologjinë fetare shpreh shfaqjen e mëshirës së Allahut në një dimension tjetër përmes përdorimit prej Tij si pretekst të Profetëve, dijetarëve, dëshmorëve dhe besimtarëve sipas gradës së tyre  për faljen në jetën e pasme, ahiret, të mëkateve të besimtarëve mëkatarë dhe për lartësimin në gradë të besimtarëve jomëkatarë.

“Atë ditë nuk do të bëjë dobi shefaati (ndërmjetësimi) i askujt, përveç ndërmjetësimit të atij, që i jep leje i Gjithëmëshirshmi dhe që i është pranuar fjala!”  Ky ajet tregon se shefaati përmendet në Kuran.

Ajetet e Kuranit të cilët lidhur me shefaatin thonë se “nga askush s’do të pranohet ndërmjetësim” , nuk mund të paraqiten si argumente se nuk do të ketë ndërmjetësim për falje, sepse këto ajete sillen në ato vende të Kuranit ku bëhet fjalë për fundin e mohuesve. Me këtë theksohet se mohuesit (qafir), politeistët (mushrik) dhe hipokritët (munafik) mbeten jashtë shefaatit, ndërmjetësimit për falje.

Kurse në hadithet Profetike ka njoftime të hapura lidhur me shefaatin. Kështu, në një hadith, Profeti (sal’lallahu alejhi uesel’lem) ka thënë se do të ndërmjetësojë për faljen e atyre personave nga bashkësia e tij që kanë bërë mëkate,  kurse në një hadith tjetër ka bërë të ditur se për çdo Profet ka një lutje të posaçme që i pranohet, kurse lutjen e vet ai do ta bëjë në ahiret për të ndërhyrë për falje për umetin e vet.  Gjithashtu, në një hadith tjetër, Profeti (sal’lallahu alejhi uesel’lem) ka thënë se, ndërsa në Mahsher njerëzit do të jenë duke pritur të vuajtur e të emocionuar që të merren në pyetje, do t’i lutet Allahut që hetimi dhe llogaridhënia të mbarojnë një çast e më parë.

Nisur nga kjo, ajo që i bie si detyrë njeriut për të merituar një shefaat të tillë, është të jetë i vëmendshëm në kryerjen e detyrimeve të kërkuara prej tij nga Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe, duke pasur frikë nga ndëshkimi i Allahut, t’i kërkojë ndihmë Atij!

 

Postime të ngashme