Edukimi fetar i fëmijës në periudhën parashkollore dhe përfytyrimi i Zotit

Çdo fëmijë mëson dhe kalon një periudhë ndikimi të paramenduar apo jo të tillë në periudhën parashkollore. Merr një zhvillim në çështjet me përmbajtje besimore, morale dhe sociale, duke formuar një karakter të tijin kulturor.
Në këtë periudhë bëhen të qarta të gjitha të vërtetat e formësuara, qofshin këto pozitive apo negative, këto të vërteta që feja i ka pranuar si të vërteta logjike/paragjykime dhe virtytet morale.

Duhet ta bëjmë të qartë se, edukimi fetar nuk është vetëm mësimi i informacioneve fetare të nevojshme për një fëmijë, duke bërë një ndërhyrje në trurin e tij. Objektivi që dëshiron Islami ta dërgojë njeriun është besimi, morali dhe bashkë me pjekurinë në veprime, në lumturinë e botës së amshueshme, shihet se këto të dhëna të përftuara nuk luajnë rol tjetër veçse, arritjen e nivelit të cilin përmendëm.

Edhe pse disa terma si Zot, Profet apo Engjëll janë të panjohur për fëmijën në periudhën e edukimit parashkollor, ata përsëri duke pyetur pyetje të ndryshme, mundohen të largojnë këtë perde paqartësie nga mendjet e tyre. Lënia pa përgjigje apo mos lidhja e mendimeve për çështjet me brendësi fetare nga ana e të rriturve mund të bëhet shkas për vakume shpirtërore të fëmijëve. Për këtë arsye, duhet që në fillim të mbyllen këto hapësira, sepse me kalimin e kohës mund të kthehen në boshllëqe të pamundur për t’u mbyllur.

Nëpër librat e hadithit ka shumë porosi të Profetit (a.s) në lidhje me emërtimin e fëmijëve, ku thotë: “vendosini emra të bukur fëmijëve”. Duke marrë shkas nga ky hadith, mund të themi se edukimi fetar fillon që në ditët e para të jetës. Në ditët në vazhdim fëmija do jetë në kontakt dhe do të ndikohet nga fjalët dhe lutjet e ndryshme si: “MashaAllah” “Zoti të ruajtë”, etj., të cilat do t’i dëgjojë dhe përftojë në ambientin ku do të rritet.

Kështu që kur bëhet programi i edukimit fetar të fëmijës, në etapën e parë mund fillohet me përsëritjen e disa termave dhe shprehjeve fetare. Fjalët që fëmija dëgjon shpesh, kur është në moshë të vogël si: Allah, xhami, ezan, mysliman, Kuran dhe të ngjashme me këto, duke u përsëritur në bazë të kapacitetit të tij për të kuptuar dhe për t’u shprehur, mund të përdoren në mënyrë graduale, që t’i zhvillohen ndjenjat shpirtërore. Mund të mësohet gradualisht fëmija, që gjithmonë para ushqimit ose para gjumit të bëjë lutje të ndryshme si “kërkoj mbrojtje prej Zotit nga djalli i mallkuar”, duke e ambientuar kështu me lutjet dhe me atmosferën e lutjes. Me rritjen e moshës mundet që të aktivizohet në nisma me tematikë bamirëse në shoqëri, dhe nëse ka qëndrime negative duhet bërë çmos për ta larguar prej tyre.

Fëmija mëson duke parë dhe dëgjuar, po ashtu dhe personaliteti i tij, nga gjërat që sheh dhe dëgjon rreth tij formohet. Fillimi i një edukimi fetar të suksesshëm, realizohet në një ambient ku praktikohet feja, ose në një familje e cila e organizon jetën sipas urdhrave dhe praktikave fetare.

Besimi dhe Koncepti i Zotit te fëmijët

Problemi se në ç’moshë fëmija fillon ta konceptojë Zotin? Është një problem dhe një pyetje e vështirë. Përgjithësisht, fëmija që në momentin kur fillon të bëjë pyetje rreth vetes së tij dhe botës përreth, pranohet se ai ka krijuar kontaktin e parë dhe me konceptet fetare. Konceptimi i Zotit nga fëmija nuk ndikohet vetëm nga faktori moshë, përpos moshës dhe maturimit të fëmijës të cilat janë faktorë të rëndësishëm, nuk mund të nënvlerësohet edhe ndikimi që kryen ambienti fetar në formimin e fëmijës.

Që në moshën 3-4 vjeçare mund të fillohet dhënia e informacioneve të para si, Zoti është krijuesi dhe mirëmbajtësi i gjithësisë, konceptimi i Zotit, mund themi se kjo nuk mund t’i vështirësoje fëmijët në atë moshë. Më e rëndësishmja është se fëmija në këtë moshë nuk arrin të mendojë dhe të dyshojë rreth gjërave që i fliten, kështu që ai i beson sinqerisht, pa dyshim gjërat që i thuhen, sepse është i përshtatshëm dhe i gatshëm të besojë. Kjo nuk është vetëm besimi i shprehur me gjuhë, por njëkohësisht është besimi dhe aprovimi i shpirtit, dhe padyshim kjo është më e natyrshmja. Me këtë besim të aprovuar, fëmija e ndjen veten më të sigurt dhe të afruar me Zotin. Kështu ai gjen një vlerë, e cila ia vlen që jetën ta jetojë sipas virtyteve të bukura dhe të mira.

Pyetja e të rriturve, dëshira dhe interesi për të mësuar tregon qëndrimin e tij pozitiv. Duhet treguar një kujdes i madh në momentin kur fëmijës i shpjegohen çështjet si madhështia e Zotit, Zoti si krijuesi dhe zotëruesi i të gjitha mirësive.

Tema themelore e fesë e cila është besimi në Zot, mund që t’i shpjegohet edhe në këtë formë. P.sh. Zoti është krijuesi i të gjithë krijesave, Ai i cili e ka ngritur njeriun më lartë se krijesat e tjera, i cili i do njerëzit dhe veçanërisht fëmijët, i cili i mbron, i ushqen që të rriten, i jep ushqime dhe pije nga më të mirat e të shijshmet, Ai i cili e ka mbushur natyrën me kafshë dhe lule shumëngjyrëshe, Ai i cili na jep kohë që të pendohemi për gabimet dhe fajet që në kryejmë, Ai është Zoti i Madhëruar i cili na shpërblen shumëfish për veprat e mira që ne kryejmë dhe na mundëson të arrijmë më shumë me dhuntinë e Tij.

Ose mund t’ia shpjegojmë mëshirën dhe dhembshurinë e Zotit në atë formë që fëmija mund ta kuptojë. Mund të shpjegohet edhe si Zoti ne na mbron, ushqen, rrit dhe na dhuron neve dashuri dhe mëshirë, duke na mbrojtur prej çdo të keqeje që mund të na vijë. Kjo mund ta bëjë entuziast fëmijën, duke u bërë shkas për forcimin e lidhjes së tij me Zotin.

Përgatiti: Marius Tafani

© URTESI.AL

Postime të ngashme