Besnikëria, trëndafili që rritet në klimën e miqësisë
Besnikëria është ndër ato trëndafila që rriten në klimën e miqësisë. Atë është e pamundur që ta gjesh në një atmosferë armiqësie. Besnikëria është veçanti e njerëzve që kanë të përbashkëta në ndjenja, në mendime e në ide. Ndjenja si mëria, urrejtja dhe smira janë armiqtë kryesorë të besnikërisë. Ajo hedh shtat në kraharorin e dashurisë e të humanizmit. Ka pasur edhe nga ata që besnikërinë e kanë përshkruar si njësim të njeriut me zemrën. E vërteta është se ndër njerëzit që nuk kanë një jetë të zemrës e të shpirtit nuk është e lehtë të bëhet fjalë për besnikëri. Që kur të thuash të vërtetën kur flet, që të jesh i besës kur jep fjalën a betohesh, është drejtpërdrejt e lidhur me jetën shpirtërore. Nëse dikush nuk e çliron dot veten prej gënjeshtrave e mashtrimeve, nëse sillet në kundërshtim me fjalët që ka dhënë e me betimet që ka bërë dhe nuk e ndien peshën e përgjegjësisë që merr përsipër, nëse mendon se mund të bëjë një jetë shpirtërore si ajo e hipokritëve dhe e mendjemëdhenjve, atëherë është njëlloj sikur ai të mashtronte vetveten.
Në fjalorë, fjala “besnikëri” përkufizohet si e kundërta e mashtrimit dhe e tradhtisë, si vënie në vend e fjalës së dhënë, si mbajtje e fjalës, si pagesë e borxhit. Ajo përdoret, gjithashtu, në kuptimet e dashurisë, të lidhjes së ngushtë e të vendosmërisë në miqësi, të përkujdesjes e të rritjes, të moralit të bukur e të lartës. Njeriu i besës është ai që i zbaton pa mungesa detyrimet që ka mbi vete kundrejt të tjerëve dhe që mbart detyrime vetëm ndaj vetvetes.
Si në Kuranin Fisnik, ashtu edhe në hadithe e madje edhe në veprat më të zgjedhura të letërsisë botërore, tema e besnikërisë është shtjelluar gjerësisht. Allahu i Lartësuar, sikurse pohon që vetë është i besës, përmend se besa, në radhë të parë, është cilësi dhe mirësi themelore e profetëve dhe e njerëzve të zgjedhur (Bekare, 177).
Atëherë, krahas cilësive si mirësia, mbajtja e fjalës së dhënë, kujdesi për të mos përgojuar e paragjykuar njeri, edhe besnikëria është një ndër parimet e bukura të moralit që çdo besimtar duhet ta bëjë sunduese në qenien e tij, si një ndër veçantitë themelore që nevojitet në çdo fushë të jetës. Individi, me ndjenjën e besnikërisë, fiton besueshmëri dhe lartësohet në shoqëri. Familja e ngritur dhe e mbajtur në këmbë mbi ndjenjën e besnikërisë, qëndron në këmbë dhe kthehet në një kënd prej këndeve të Parajsës. Shteti e ruan respektin kundrejt qytetarëve dhe popullit të vet vetëm nëpërmjet ndjenjës së besnikërisë. Në një vend ku ka humbur ndjenja e besnikërisë, nuk është e mundur që të bëhet fjalë as për individë të pjekur, as për vatër familjare që premton siguri, as për shtet të qëndrueshëm e të besueshëm. Në një vend ku nuk ka besnikëri, individët sillen ndaj njëri-tjetrit me dyshim, nuk gëzojnë paqe në vatrat familjare, shteti sillet keq me popullin e vet dhe gjithçka e gjithkush është e huaj për gjithçka e gjithkënd, njëlloj si sendet e pajeta… Edhe në qofshin njëri mbi tjetrin a njëri në tjetrin… Njerëzimi, për t’u çliruar prej problemeve nga të cilat vuan dhe për ta kthyer në parajsë botën e shndërruar në ferr për të, mund ta realizojë me sukses këtë qëllim vetëm duku u angazhuar në marrëdhënie të ngritura mbi ndjenja të besnikërisë ndaj shoqërive dhe kombeve. Historia ka dëshmuar se kombet e shtetet që godasin miqtë e tyre pas shpine, që nuk u përmbahen marrëveshjeve të bëra, që ndjekin politika të mbështetura në interesa të njëanshme, nuk jetojnë dot në pavarësi politike, ekonomike e kulturore dhe nuk gëzojnë respekt. Kurani Fisnik i cilëson njerëzit e përgjegjshëm si njerëz të besës: “Vetëm njerëzit e përgjegjshëm pranojnë këshilla. Ata që janë besnikë ndaj fjalës së dhënë Allahut dhe që nuk i prishin marrëveshjet e tyre.” (Rad, 19-20)
Fjala e dhënë apo besa që duhet mbajtur, miqësitë që duhen respektuar dhe marrëveshjet, kushteve të të cilave duhet t’u përmbahemi janë tri lloje:
- të njeriut në marrëdhënie me Zotin;
- të njeriut në marrëdhënie me vetveten;
- të njeriut në marrëdhënie me njerëzit dhe me krijesat e tjera.
Ekzistencën e këtyre dhe kushtet përkatëse mund t’i njohim ose nëpërmjet Kuranit dhe Sunetit, ose nëpërmjet arsyes, përvojës dhe të ushtruarit.
Nga ana tjetër, besnikëria ka lidhje me koncepte fetare si pendesa, sinqeriteti, përgjegjshmëria, mbajtja e fjalës së dhënë, këmbëngulja në të vërtetën, hixhreti, durimi, qëndrueshmëria etj.. Kurse e kundërta e saj janë konceptet e lidhura ngushtë me mashtrimin, tradhtinë, dyfytyrësinë, mosmirënjohjen e të tjera si këto. Në të vërtetë, thuajse në të gjitha konceptet që gjenden në grupin e parë është e mundur të vërehet besnikëria, ndërsa në të dytat pabesia. Për shembull, nëse pas njëfarë shthurjesh e zvetënimesh të brendshme, njeriu bën pendesë duke iu kthyer sërish drejtësisë dhe duke u njësuar me thelbin e vet, kjo përbën një lloj besnikërie. Po ashtu, të penguarit e daljes në shesh të së vërtetës, mbulimi i saj, loja e dyfishtë, zbatimi i atij që në ditët tona është bërë modë të quhet “standard i dyfishtë”, përbën pikërisht pabesinë ndaj të drejtës dhe drejtësisë. Shkurt, ndërsa nga njeriu i besës kërkohen apo priten pendesë, sinqeritet, përgjegjshmëri, mbajtje e fjalës së dhënë, këmbëngulje në të drejtën, hixhret, durim dhe qëndrueshmëri, nga njeriu i pabesë, herët a vonë, priten të shfaqen sëmundje si mashtrimi, tradhtia e dyfytyrësia. Ndaj edhe besa qëndron në krye të atyre virtyteve që, marrëdhëniet e ndërsjella dhe në sjelljet tona, duhen përdorur si një etalon.
Në Kuranin Fisnik, besnikëria është shtjelluar në pesë kuptime:
- Besnikëria në marrëveshje
Ajeti që vijon tërheq vëmendjen në këtë lloj besnikërie: “Mos e shfrytëzoni pasurinë e jetimit ndryshe, përveçse në mënyrë të mirë (për t’ia shtuar), gjersa ai të arrijë pjekurinë e vet. Premtimin çojeni në vend, sepse për premtim ka përgjegjësi. Masën mbusheni kur matni dhe peshoni me peshore të saktë. Kjo është më e dobishme dhe sjell përfundim më të mirë.” (Isra, 34-35)
- Besnikëria në fjalë
Ka kuptimin e mbajtjes së fjalës së dhënë. Ajeti i mposhtëm tërheq vëmendjen te kjo cilësi: “Sepse ai (Ismaili) e mbante fjalën dhe ishte një profet i dërguar nga Ne.” (Merjem, 54)
- Besnikëria në blatim
Me blatim në këtë rast kuptojmë vendimin personal për të kryer një vepër të lejuar, me qëllim të ibadetit dhe të arritjes së kënaqësisë së Allahut. Blatimi, ajo çka blatojmë, mbart kuptimin e një dhurate që ia dhurojmë një individi apo institucioni. Në lidhje me këtë çështje mund të kujtojmë këtë ajet: “Ata janë që i vënë në vend blatimet e tyre dhe i tremben një dite, dëmi i së cilës ka përmasa të mëdha.” (Insan, 7)
- Besnikëria në peshë e masë
Të maturit dhe të peshuarit e saktë e pa mangësi, kryesisht në tregtim. Kjo çështje argumentohet, ndër të tjera, me këtë ajet: “Matni saktë dhe mos u bëni ndër ata që lënë mangët.” (Shuara, 181).
- Besnikëria në kontrata
Me kontratë kuptojmë arritjen e dy personave ose të dy palëve në një marrëveshje për një çështje pune apo angazhimin e tyre në një premtim të ndërsjellë (si akti i nikahut)
Në lidhje me këtë çështje mund të mjaftohemi me këtë ajet: “O ju që besuat! Zbatojini kontratat!” (Maide, 1) Në radhët që pasojnë, do të përpiqemi të sqarojmë, sipas radhës, rreth kuptimit që ithtarët e tasavvufit i kanë dhënë besnikërisë ndaj Profetit, ndaj prindërve, ndaj miqve e shokëve dhe ndaj bashkëshortëve e bashkëshorteve.