Dëshmia e Profetit a.s në ditën e Gjykimit
Ndër veçoritë e profetit (a.s) është ndërmjetësimi dhe dëshmia e tij për besimtarët ditën e gjykimit. Ashtu siç dhe Allahu i drejtohet në kuran; “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues, njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.”[1] Ai do të jetë dëshmitar i njësisë së Allahut, shembull i përuljes dhe robërisë ndaj Tij dhe gjithashtu një njohës i besimtarëve dhe veprave të tyre, gjithashtu është dhe dëshmitar i profetëve të tjerë.
“Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?! Atë ditë, ata që nuk kanë besuar dhe që nuk i janë bindur të Dërguarit, do të dëshironin të rrafshoheshin me tokën, por Allahut nuk mund t’i fshehin asnjë fjalë.”[2]
“Ditën kur do të sjellim kundër çdo populli dëshmitarë nga gjiri i tyre, Ne do të të sjellim ty (Muhamed) dëshmitar kundër këtyre. Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët.”[3]
Në ahiret popujt e profetëve të tjerë do t’i mohojnë shpalljet e sjella nga profetët e tyre, pastaj Allahu do të kërkojë prova prej profetëve, dhe në fund do të sillet ummeti (populli) i profetit Muhamed (s.a.s) dhe ata do të dëshmojnë për këtë: “I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!”[4] Popujt e tjerë; po ju nga e dini? Do të pyesin. Ata do të përgjigjen; këtë na e ka treguar Allahu, nëpërmjet profetit të Tij. Pastaj do të sillet profeti Muhamed (a.s) dhe do t’i pyetet për popullin e tij. Ai do të dëshmojë për vërtetësinë e atyre që ata kishin thënë, duke i nxjerrë ata të drejtë në ç’ka kishin thënë.[5]
Këtë çështje e shpjegojnë qartazi dhe ajetet e mëposhtëme;
“Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju…”[6]
“Luftoni në rrugën e Allahut, ashtu si duhet luftuar. Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj, fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai ju ka quajtur juve myslimanë qysh më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kuran), me qëllim që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë. Andaj, faleni namazin, jepni zeqatin dhe mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai!”[7]
Tregon Ibn Mesudi (r.a) se profeti (a.s) emocionohesh shumë kur kujtonte dëshminë e tij ditën e gjykimit, ku tregon; një ditë profeti (a.s) më tha; lexo kuran të të dëgjojmë. Unë i thashë; o i Dërguari i Allahut si të lexoj unë kur kurani të ka zbritur ty!? Unë pëlqej t’i dëgjoj të tjerët kur lexojnë kuran! Fillova të lexoja suren Nisa nga fillimi, kur arrita në ajetin; “Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?![8] Më thanë, ndalo, ndalo. Kur kthehem dhe shoh; Profeti (a.s) po qante, prej syve i rridhnin lot.[9]
Prof. Dr. Muhittin Akgül
Përshtati: Marius Tafani
[1] Ahzab, 45-46.
[2] Nisa, 41-42.
[3] Nahl, 89.
[4] Bekara, 285.
[5] Buhari, Tefsîr 2/13.
[6] Bekara, 143.
[7] Haxh, 78.
[8] Nisa, 41.
[9] Buhârî, Tefsîr 4/9; Muslim, Musâfirûn 247-248.