• July 8, 2020

Dashuria për Atdheun, më e madhe se etja për fitim

Historia e lëvizjeve të mëdha kombëtare për liri e pavarësi, për arsimim e aspirata, në ndërtimin e identitetit kombëtar, ruajtjes së vlerave universale, trashëgimisë së madhe kulturore të harmonisë e bashkëjetesës te shqiptarët, i përket një rëndësie të madhe për kombin tonë.

Ashtu si çdo atdhetar tjetër, edhe udhëheqësit fetarë të vendit punuan në shekuj për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, duke i shndërruar institucionet e kultit në vatra të fuqishme lirie, të nxitur, përveçse nga atdhetaria edhe vetë fakti se edhe mësimet e profetit, Kuranit, udhërrëfyesit të myslimanëve, nuk e ndajnë kurrë Atdheun nga feja, përkundrazi, ato nxisin dashurinë ndaj vendit dhe kombit.

E, kështu, në këtë përvjetor të Shqipërisë, lind nevoja të kujtojmë me respekt të shkuarën, rrënjët tona, lirinë tonë, të cilat janë fryt i ndërgjegjes kombëtare dhe përpjekjeve të bijve që lindi e rriti ky truall.

Ne, sot, kujtojmë me nderim dhe mirënjohje ata burra e gra që na lanë trashëgim vendin, rruga drejt së cilës ishte tejet e mundimshme. Sot, ne i përulemi me nderim atyre që na mësuan gjuhën mëmë, atyre që e ruajtën atë nga zhdukja.

Përvjetorët gjithmonë kanë shërbyer si momente reflektimi e llogarish, se ku jemi? Çfarë kemi bërë? Ku do të shkojmë? Sakrificat e të parëve tanë, presin në mos shpërblimin – njohjen. Motet e errëta, veshur me cinizmin e kuq nuk e njohën këtë sakrificë dhe përpjekjet e tyre, ose të paktën nuk i njohu të gjithë, por ato që ia deshi propaganda dhe qëllimi i tyre.

“Për Shqipëri u përpoqa/Rrezikova jetën time/Nuk rrëfehet sa hoqa/Se shteti mi njihte krime”, do të shkruante Hafiz Ali Korça.

Tashmë na takon neve të kthejmë vëmendjen drejt arsyes, drejt së vërtetës, ashtu siç është e bardhë mbi të zezë, pa u anuar në një krah më shumë e në krahun tjetër më pak. Në sajë të kontributit të atyre burrave të lartë të kombit shqiptar, ne sot zotërojmë një “tapi” të përbashkët, që dëshmon pronën e mbarë shqiptarëve.

E, në prag të shekullit të ri, lutemi e shpresojmë që të jetë më i drejtë me shqiptarët.

“Zot të na rrojë atdheu e kombësija, aqë sa të na rrojë edhe gjithësia”. (Hafiz Ali Korça)

Dashuria për Atdhe duhet të kultivohet gjithmonë dhe kurrë nuk është e mjaftueshme. Nderimi i sotëm dhe dashuria për të është nderim për të kaluarën, për familjen, për gjithë ata që ranë për lirinë e vendit.

Ne krenohemi me vendin që për herë të parë na panë sytë në këtë jetë, me tokën në të cilën mbështetëm kokën dhe shtrimë, trupin, në vendin e stërgjyshërve e baballarëve tanë. Por, dashuria për atdheun duhet të jetë më e madhe se etja për fitim, duhet të jetë më e madhe se ambiciet personale, apo interesat e ulëta individuale. Nuk duhet të pyesim se çdo të bëjë atdheu për ne, por se çfarë ne do të bëjmë për të?

Në prag të këtij shekulli të ri, shqiptarët duhet të ecin përpara, duke njohur të shkuarën, duke punuar me drejtësi të tashmen, për ta fituar dhe merituar të ardhmen.

Postime të mëparshëm

Kushtet e martesës në Islam

Postime të rradhës

Ç’është Israfi?