Besimi në ekzistencën e Engjëjve
Nga Ali Zaimi
Një tjetër shtyllë e besimit islam është edhe besimi në mbretërinë e padukshme të ekzistencës dhe në qënieve që e popullojnë atë, besimi te ekzistenca e engjëjve. Allahu në Kur’an urdhëron “Edhe i Dërguari i besoi asaj që iu zbrit nga Zoti, edhe besimtarët; secili prej tyre u besoi Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij…” (Kur’ani, el-Bakara: 285)
Urtësia kërkon që sikurse toka, megjithëse shumë e vogël në krahasim me qiejt ka banorët e saj të vetëdishëm, edhe qiejt me yjësitë e tyre madhështorë si pallate të zbukuruar duhet të kenë krijesa të vetëdishme që vlerësojnë e lartësojnë me lavde mjeshtërinë e skalitur në krijim nga Krijuesi i Gjithëditur e Fuqiplotë.
Engjëjt janë qenie të krijuara prej “dritës,” jo prej dritës që njohim ne, por të një forme më të rafinuar e reduktuar drite, e quajtur nur. Ata nuk mund të perceptohen e të njihen me anë të organeve të shqisave. Për rrjedhojë, njohuri të drejta mbi engjëjt mund të marrim prej Kur’anit dhe haditheve, porosive profetike.
Në një hadith, Profeti ynë (a.s.) ka porositur: “Engjëjt janë krijuar prej drite, xhinët prej flake, kurse Ademi prej dheu…” (Muslim, Zuhd, 10)
Nga Arabishtja fjala engjëll (melek) mbart kuptimet: i dërguar, përfaqësues, i ngarkuar, mbikqyrës, i fuqishëm. Engjëjt nuk kanë sprova si njerëzit megjithëse kanë njëfarë lirie veprimi. Ata nuk kanë ndjenja negative si zemërimi, nxitimi, urrejtja, smira apo zilia. Engjëjt kanë një pozitë fikse, ata janë shërbëtorë të Zotit që ndërtojnë marëdhënie ndërmjet botës metakozmike dhe asaj materiale, përcjellin urdhërat e Zotit, me lejën e Zotit drejtojnë veprat dhe jetët e gjallesave, si dhe kryejnë adhurimet që ju takon. Drita është ajo që i mban gjallë, aromat e mira ju japin kënaqësi dhe adhurimi që kryejnë ju fal lumturi atyre. Me adhurimin e tyre universal e gjithpërfshirës, melekët (engjëjt) përfaqësojne lavdërimet e fuqishme dhe gjithëpërfshirëse të universit. Sepse arti dhe dekori i hollë, delikat dhe i shkëlqyer në gjithë universin, në këndvështrimin e urtësisë, kërkon vlerësues të nivelit që ta kuptojnë, admirojnë dhe vlerësojnë atë. E kështu Profetët, Librat e shenjtë, njerëzit e dijes na njoftojnë se këto krijesa ekzistojnë dhe janë engjëjt. Pavarësisht paaftësisë tonë për ti parë, arsyetimi i shëndoshë e pranon dhe e beson pa asnjë mëdyshje ekzistencën e tyre.
Heshtja dhe dhe qetësia e qiejve, organizimi dhe rregullsia e tyre, gjerësia dhe dritësia e tyre, tregojnë se banorët e tyre nuk janë si ata të tokës. Ata janë të bindur, ata veprojnë atë që urdhërohen.
Më poshtë po rendisim edhe një sërë veçorish të posaçme që i dallon engjëjt prej qenieve të tjera.
- Engjëjt janë qenie të krijuara prej drite. Te engjëjt nuk ka veçori njerëzore, të tilla si ngrënia e pirja gjinia, martesa, fjetja, lodhja, rinia dhe pleqëria.
Kur’ani urdhëron kështu:
“… Ata që ndodhen pranë Tij (engjëjt), as druhen për t’I bërë adhurim, as lodhen. Natë e ditë e përmendin Allahun, nuk mërziten!” (Kur’ani, el-Enbija: 19 -20)
- Engjëjt nuk e kundërshtojnë Allahun, nuk ngrenë krye kundër Tij. Ata nuk shmangen prej urdhrit të Tij dhe kryejnë detyrën që u jepet.
Në Kur’an thuhet: “Duke u frikësuar prej Zotit të tyre, Sundues i Plotfuqishëm, (engjëjt) bëjnë çfarëdo që t’u urdhërohet!” (Kur’ani, en-Nahl: 50)
- Engjëjt janë qenie tejet të shpejta. Mund të shkojnë në çdo vend që t’u kërkohet dhe me shpejtësinë që të duan.
Në Kur’an thuhet: “Lavdi Allahut që ka krijuar ‘qiejt dhe tokën e që i ka bërë engjëjt korrierë me nga dy, me nga tre e me nga katër krahë…” (Kur’ani, el-Fatir: 1)
- Me urdhrin dhe lejen e Allahut, engjëjt mund të marrin trajta të ndryshme. Në Kur’an thuhet:
“Pa dyshim, të dërguarit (engjëjt) tanë i shkuan Ibrahimit me sihariq dhe i thanë, “selam!” Edhe ai i përshëndeti me “selam” dhe, pa humbur kohë, u nxori një viç të pjekur. Pastaj nuk i pëlqeu që nuk zgjatën duart te mishi dhe ndjeu frikë. Dhe ata i thanë: “Mos u frikëso, ne jemi dërguar te fisi i Lutit!” (Kur’ani, el-lud 69- 70)
- Engjëjt nuk shihen me sy vecse kur Allahu ua lejon atë Profetëve apo njerëzve të dijes. Pamja e jashtme e engjëjve është e ndryshme. Disa prej tyre janë krijesa me dy flatra, disa të tjerë kanë disa qindra flatra. Në Kuran thuhet: “Falënderimi i qoftë Allahut, Krijuesit të qiejve e të tokës, Sajuesit të engjëjve me nga dy palë, tri palë e katër palë krahë” (sure 35 Fatir (“Engjëjt”), ajeti 1). Nga hadithet mësojmë se Kryeengjëlli Xhebrail ka gjashtë flatra. Profeti për të ka thënë: “Unë atë e kam parë dy herë, më është paraqitur i bërë nga gjashtë flatra. E kam parë duke zbritur nga qielli dhe ishte aq i madh, sa e mbuloi të gjithë hapësirën ndërmjet vetes së tij dhe tokës”.
- Engjëjt nuk e dinë të ardhmen.
Në Kur’an urdhërohet: “Thuaj: “Në qiej e tokë, askush veç Allahut nuk mund ta dijë të fshehtën…” (Kur’ani, en-Neml: 65)
©URTESI.AL