Profeti Nuh (a.s.)
Pas vdekjes së Ademit kaluan shumë vite. Para se të lindte Nuhu, në botën tonë jetuan edhe pesë njerëz të mirë, që mësuan rrugën e drejtë. Ata quheshin Ved, Suva, Jagus, Jeuk dhe Nesr. Pas vdekjes së tyre, njerëzit ngritën përmendoret e tyre që të mos i harronin.
Brezat u ndërruan, vdiqën baballarët e u lanë vendin bijve, gjeneratat ndoqën njëra- tjetrën. Por brezat e mëvonshëm e harruan shkakun e vërtetë të ndërtimit të këtyre përmendoreve. Shejtani ishte gjithmonë i gatshëm për të prishur mendjen e njerëzve dhe më në fund, ia arriti t’i bindte se ata statuja ishin perënditë e tyre. Njerëzit nisën t’i adhuronin këto statuja, madje gdhendën edhe të tjera.
Biri i njeriut kishte harruar Krijuesin e vërtetë dhe kishte nisur të adhuronte idhujt.
Në një atmosferë të tillë, Zoti u dërgoi bijve të Ademit, Nuhun për t’i thirrur në rrugë të drejtë, për t’iu kujtuar mesazhin e vet dhe për t’i udhëhequr drejt së mirës.
Nuhu nuk ishte as mbret dhe as ishte pjesë e ndonjë shtrese të lartë të shoqërisë. As nuk kishte ndonjë pushtet të mbështetur në pasuri. Por, pa diskutim, ishte njeriu më i madh i asaj kohe. Madhështia është një veti që nuk matet as me pasuri, as me pushtet, as me forcë, por është ajo veti sublime humane e pajisur me kthjelltësinë e zemrës, pastërtinë e ndërgjegjes dhe lartësinë e mendimeve që zbukurojnë botën e idealeve të tij.
Besimi i sinqertë dhe mirënjohja që ushqente ai për Krijuesin e tij, ia shtonte edhe më fort madhështinë këtij njeriu të mirë. I Fundit i Lajmëtarëve do e kujtonte Nuhun me fjalët që Zoti e përmendte në Kuran: “Ai ishte një rob i vërtetë që falënderonte Zotin pa pushim”.
Robin e vet mirënjohës, Zoti e zgjodhi për profet. Dhe ai, pa përtuar, ditë e natë, ftoi njerëzit në rrugë të drejtë. Foli me ta në gjuhën më bindëse. Nuk la asnjë rast pa i njoftuar për Krijuesin e vërtetë dhe për vlerat e larta njerëzore me të cilat Ai e kishte pajisur njeriun.
“Adhuroni Zotin tuaj, o njerëz. Atë që është i vetëm dhe që ju ka krijuar. Duhet të ktheheni nga kjo rrugë pa fund ku keni hyrë. Duhet të keni frikë nga dënimi i Zotit.”
Pa u lodhur, pa përtuar, pa u mërzitur, Nuhu vazhdoi t’i ftonte njerëzit në rrugë të drejtë… U shpjegoi se nuk ishin në rrugë të drejtë, se kishin rënë në kurthin e shejtanit, se kishte ardhur koha të sistemonin jetën e tyre dhe të ishin më të kujdesshëm e më njerëzorë. U tregoi për vlerën e madhe të cilën Zoti i kish dhënë njeriut, për virtytet e larta me të cilat e kishte stolisur, si e kishte krijuar në formën më të bukur, si kishte krijuar gjithato mirësi për të plotësuar më së miri çdo nevojë të tij. I ftoi të vinin në punë arsyen, se nuk kishte si të ishin zota, ato objekte të gurta që ata adhuronin, se mendja e tyre po humbte duke humbur edhe shpirtin pas idhujve që nuk të ofronin asgjë.
Të gjithë e dëgjonin të heshtur profetin Nuh. Fjalët e tij kishin rënë si rrufe në mendjet e tyre të mpira.
Froni i ligësisë në botë kishte nisur e po tundej nga themelet prej fjalëve gjithë dashuri të profetit Nuh. Fara e urrejtjes nuk po nxinte më si më parë. Pushteti i dhunës po tronditej. Mesazhi i Nuhut (a.s.) pritej mirë nga njerëzit e mirë, të shtypurit, të varfrit, por kurrsesi s’mund të gjente mbështetje nga të këqijtë, shtypësit, mizorët.
Nuk donin kurrsesi që ingranazhi shoqëror i ndërtuar të prishej. Ata ishin të pasur, e kishin vënë këtë pasuri duke shtypur të varfrit, duke grabitur e plaçkitur, duke mashtruar njerëzit në emër të idhujve e të sistemit që gjoja ata u mësonin. Një sistem i ri, një besim i ri, padyshim që do prishte punë. Prandaj vendosën t’i hapin luftë Nuhut (a.s.) dhe i thanë:
– Po ti që pretendon se je profet, nuk ke asnjë ndryshim prej nesh. Edhe ti je njeri.
Po, ai ishte si gjithë të tjerët, ishte njeri, se Zoti patjetër që të dërguarit e Vet i zgjidhte mes njerëzve, për njerëzit. Sikur banorët e tokës të kishin qenë engjëj, edhe profeti i tyre engjëll do ishte. Po në qoftë se Zoti do u dërgonte njerëzve për profet një engjëll, atëherë do ishte shumë e zorshme, se engjëjt nuk flenë, nuk ushqehen, nuk kanë funksionet e njerëzve. Ndaj njerëzit asnjëherë nuk do kishin një shembull konkret për t’u treguar atyre rrugën e drejtë.
Profetët gjithmonë kanë qenë njerëz. Sepse ata jetojnë mes njerëzve, si njerëzit e tjerë, hanë, pinë, flenë, punojnë, udhëtojnë e flasin dhe kanë jetën e tyre familjare si gjithë të tjerët. Por çdo moment i jetës së tyre është shembull për njerëzit për devotshmërinë, ndershmërinë, humanizmin dhe parimet që ata posedojnë.
Zemra e tyre është e mbushur me dashuri për Krijuesin dhe krijesat. Dëshira e tyre më e madhe është që të gjithë njerëzit të ndjekin rrugën e besimit të pastër, të duan njëri-tjetrin dhe të adhurojnë Zotin. Ata janë yjet e njerëzimit, udhëheqësit dhe liderit më të mëdhenj.
Diskutimet dhe kundërshtimet mes profetit Nuh dhe jobesimtarëve vazhdonin rreptë çdo ditë.
– A e sheh? – i thoshin ata. Ty nuk të vjen pas asnjë, veç varfanjakëve e qyqarëve.
– Vërtet ata janë të varfër, por pasuria e tyre shpirtërore as krahasohet dot me ata që keni ju! – u përgjigjej i Dërguari.
– Ata nuk janë paria e shoqërisë, si ne. Ata nuk janë as të pasur! Si mund të rrimë ne me ta?
Profeti Nuh u mërzit shumë. Si mund t’ua shpjegonte këtyre njerëzve se nuk është pasuria ajo që e nderon njeriun?
Ata vazhduan të këmbëngulnin në të tyren:
– Dëgjo, Nuh! Në qoftë se do që t’i vëmë vesh atyre që thua ti, së pari duhet të përzësh ata fukarenjtë që ke përreth. Ne jemi zotërinjtë e tyre, nuk mund të rrimë në një vend me ata mjeranë lecka-lecka.
Profeti Nuh (a.s.) i dëgjoi për ditë të tëra këta njerëz që gjithmonë gjenin arsye e shkaqe për të mos u bindur. Nuk u zemërua me ta, përkundrazi, u mundua t’i bindte me argumente të sakta e me fjalë të logjikshme. Si mund t’i përzinte ata njerëz të mirë që kishte përreth për arsyen e vetme se ishin të varfër? Së pari ata nuk vinin për të, por për Zotin, ishin miqtë e Tij. Shtëpia e Zotit ishte burim i Mirësisë së Pashtershme. Si mund ta pengonte Nuhu ardhjen e njerëzve te dera e Mëshirës?
Ata vazhdonin të këmbëngulnin, profeti Nuh vazhdonte të argumentonte ëmbël. Gjithë arsyet që nxirrnin ata, profeti Nuh (a.s.) i hodhi poshtë butësisht, nuk u mbeti më asgjë e mençur që të thoshin. Pas kësaj nisën një mënyrë tjetër. Kur e panë se nga kjo rrugë nuk nxirrnin dot gjë, lanë mënjanë edukatën dhe nisën nga fyerjet e kërcënimet.
– Ti je çmendur, Nuh. Gjithë këto që thua s’janë tjetër veç përralla! Broçkulla!
Profeti Nuh u përgjigj me një edukatë që veç të Dërguarit mund ta kenë:
– O njerëzit e mi, unë nuk jam çmendur, as përrallis. Mua ma dha detyrën t’iu mësoj ju të drejtën, Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë… Detyra ime është t’iu përcjell ju mesazhet e Tij. T’iu kujtoj ato që keni harruar dhe t’iu këshilloj. Gjithashtu t’ju mësoj ato që ju ende nuk i dini e që mua m’i mësoi Zoti.
Dhe profeti Nuh (a.s.) vazhdoi të fliste me njerëzit e tij. Ditë të tëra, muaj të tërë, vite të tërë, u shpjegoi pa u mërzitur, ditë e natë, haptas e fshehurazi. Herë me të ëmbël, herë me të ashpër, u tërhoqi vëmendjen për jetën e gabuar që bënin. Kishte për qëllim të ndriçonte sadopak ato mendje të mpira. U tregoi mrekullitë e krijimit, u shpjegoi hënën, diellin, yjet, jo vetëm ashtu siç i shihnin ata, por si ishin në të vërtetë. U shpjegoi gjithësinë e mbushur nga çdo anë me mrekulli që ishin shembujt e forcës hyjnore.
Fjalët e profetit Nuh (a.s.) ishin shumë të bukura, të mençura, bindëse. Shembujt që ai jepte dhe dituria hyjnore që Zoti i kishte mësuar atij, ishin një mrekulli e vërtetë. Edhe kundërshtuesit e tij më të flaktë nuk gjenin fjalë për të hedhur poshtë argumentet e tij. Por kjo nuk mjaftonte që ata të besonin. Sa herë që takonin Nuhun, ata ndërronin rrugë, kur ai fliste, mbyllnin veshët me gishtërinj për të mos dëgjuar fjalët e tij. Asnjë fjalë, asnjë gjest nuk kishte më domethënie për ta. Asgjë nuk i pengonte më në rrugën e tyre të gabuar.
Kështu vazhdoi kjo histori për nëntëqind e pesëdhjetë vjet. Asgjë nuk ndryshoi, as u shtua numri i besimtarëve, as ndryshoi numri apo mënyra e jetës së jobesimtarëve. Megjithëse kjo gjendje e mërziste pa masë profetin Nuh, ai asnjëherë nuk e humbi shpresën dhe durimin. Vazhdimisht e ftoi popullin e tij në rrugë të drejtë, kurse ata iu përgjigjën me inat, me arrogancë dhe nuk hoqën dorë prej talljeve e gabimeve të tyre.
Ai ishte shumë i trishtuar, por jo i pashpresë. Besimi që kishte ai te Krijuesi i vet nuk e linte të humbte shpresat. Megjithëse kishin kaluar plot nëntëqind e pesëdhjetë vjet, ai nuk dorëzohej. Siç duket, para stuhisë, jeta e njerëzve ka qenë shumë e gjatë. Ose një jetëgjatësi e tillë ishte një dhuratë e Zotit për profetin Nuh, nuk i dihet.
Së fundi, Zoti (xh.sh.) i tha profetit Nuh se pas kësaj dite askush tjetër, veç atyre që kishin besuar, nuk do i përgjigjej thirrjes së tij, prandaj s’kishte pse të mërzitej më tepër. Pas kësaj, profeti Nuh ngriti duart lart:
“O Zoti im, shkatërroji këta njerëz që nuk të besojnë!”
Zoti e pranoi lutjen e profetit dhe e urdhëroi atë të ndërtonte një anije gjigante.
Së pari, profeti Nuh mbolli pemë, të cilat do i duheshin për anijen. Pas disa vitesh, i preu ato pemë dhe i bëri dërrasa. Pastaj filloi t’u jepte formën që donte atyre dërrasave. Nuk ishte aspak e lehtë të ndërtoje një anije. Kjo punë zgjati me vite të tëra. Profeti Nuh (a.s.) e ndërtoi anijen ashtu sikurse e kish mësuar Zoti. Ishte shumë e gjatë, shumë e lartë dhe përbëhej nga tre kate. Në katin e parë do rrinin kafshët, në të dytin njerëzit, në të tretin shpendët. Kishte një derë të madhe hyrjeje në njërën anë dhe një mbulesë nga sipër.
Filloi një thatësirë e madhe. Nuk binte asnjë pikë shi. Burimet kishin shterur, lumenjtë ishin tharë. Fakti që edhe deti nuk ishte afër, i bënte njerëzit të çuditeshin sa herë që shihnin Nuhun duke punuar për anijen. Kurse armiqtë e tij e pyesnin duke u tallur:
– Po me këtë anijen, nëpër gurë e male do lundrosh? Kemi thënë ne, je i çmendur ti, i çmendur. Pastaj qeshnin me të madhe.
Më në fund, ndërtimi i anijes përfundoi.
Papritur, nga furra e shtëpisë së profetit Nuh shpërtheu uji. Ai ujë ishte lajmërues për stuhinë e madhe. Profeti Nuh (a.s.) mori nga një çift prej secilit lloj të kafshëve në anije. Gjithashtu, kur kishte ndërtuar anijen, profeti Nuh kishte vendosur edhe kafaze për të futur shpendët e egër. Pasi futi gjitha kafshët në anije, hipi dhe vetë me një grusht njerëz.
Por profetin Nuh e mërziste më shumë se çdo gjë fakti se gruaja me të birin nuk besonin. Dhe kushti për të hipur në anije ishte besimi. Gjithsesi, profeti Nuh vendosi ta provonte sërish.
– Hipni në anije! – u tha. – Në këtë anije që me emër të Zotit do lundrojë e me emër të Zotit do shpëtojë.
Po është e pamundur ta shohin të vërtetën ata njerëz që janë bërë pre e mohimit, sado e afërt dhe e dukshme të jetë ajo. Nuk pranuan të hipnin. As që e besonin Nuhun ndopak dhe i kthyen shpinën Shpëtuesit të madh.
Arriti stuhia…
Nga çdo e çarë e tokës vërshonte ujë, nga qielli binte një shi që nuk ishte parë gjer atë ditë, sikur të ishte shpuar. Çdo anë e mbuloi uji.
Profeti Nuh u soll nga i biri që vazhdonte të këmbëngulte në të vetën. Kishte hipur mbi një shkëmb të lartë dhe shikonte anijen që largohej. I foli me dhembshurinë e një prindi:
– Bir, eja! Beso, mos i bëj padrejtësi vetvetes. Beso dhe hip në anije bashkë me ne!
Në anije hipnin vetëm ata që besonin, ky ishte kushti. Prandaj dhe profeti Nuh e ftonte të birin të besonte. Por i biri ia ktheu:
– Do ngjitem në mal, në maja të larta, aty ku uji nuk vjen dot. Ata do më mbrojnë.
Por, ajo ishte një ditë kur askush veç atyre që kishin merituar dashurinë e Zotit, nuk do shpëtonte. Ishte ditë dënimi… Një ditë kur qielli e toka shfrynin zemërimin e tyre mbi njerëzit pa besim.
Pas pak, dallgë të stërmëdha nisën të rrihnin shkëmbinjtë ku gjendej i biri. I riu hipi në një majë të lartë për t’u mbrojtur nga uji, por asgjë nuk mund ta përballonte furinë e ujërave të zemëruar. Një dallgë sa një mal përfshiu majën ku ishte djali dhe ai humbi mes ujërave.
Ujërat rridhnin nga çdo anë. Rriteshin e rriteshin, ishin bërë sa mbulonin malet. Gjithë bota u përmbyt. I ngjante një oqeani pa fund. Ngado kishte veç ujë dhe errësirë. Një grup besimtarësh në një anije druri, dridheshin nga frika e i luteshin Zotit për shpëtim.
Përveç atyre që ishin në anije, mbi dhé nuk kishte mbetur asgjë e gjallë. As nuk mund të përshkruhet e as nuk mund të imagjinohet tmerri i asaj stuhie. Një fatkeqësi, një gjëmë e vërtetë. Anija e Nuhut ndërkohë vazhdonte udhëtimin duke u kacafytur me dallgët e larta. Forca e Zotit ishte ajo që e kish bërë botën oqean dhe mëshira e Zotit ajo që mbronte anijen e Nuhut nëpër dete. Një ditë, Zoti urdhëroi qiejt të mbanin shirat, tokën të gëlltiste ujërat dhe anijen e Nuhut të zbarkonte pranë maleve Xhudi. Profeti Nuh (a.s.) dërgoi një pëllumb të kontrollonte përreth. Ai, kur u kthye, mbante në sqep një degë ulliri. Kështu, Nuhu e kuptoi se furtuna kishte pushuar dhe në botë kishte ardhur sërish qetësia.
Stuhia kishte pushuar, ditët e frikshme kishin ngelur pas. Por në zemrën e Nuhut kishte një peng. Ai ishte një baba, një baba shumë i mirë e shumë i dhimbshëm. Me duar të hapura iu lut Atij që do e kuptonte më mirë se kushdo, Zotit të vet.
“Zoti im, më i Larti i të lartëve. Im bir ishte pjesë e familjes sime dhe pjesë e zemrës sime. Po edhe fjala jote është absolutisht e drejtë. Çdo veprim nga Ti ka një mijë e një arsye dhe askush më mirë se Ti nuk mund të marrë vendim.”
Zoti i kishte premtuar Nuhut se familja e tij do shpëtonte. A nuk ishte i biri familja e tij?
I Gjithëdituri foli me logjikë dhe dije. I tha:
“Jo o Nuh, ai nuk është nga familja jote. Ai ishte e keqja e vetes. Faji i tij është shumë i madh. Ai preferoi terrin e mohimit në vend të së drejtës.”
Ai djalë nuk mund të ishte bir i Nuhut. Ai e mohonte Zotin. Nuk mjaftonte pastaj vetëm lidhja e gjakut për të qenë nga familja e Nuhut. Duhej besimi, ideali. Familja e vërtetë e Nuhut ishin ata që besonin atë dhe Zotin që e kishte dërguar.
Nuhu e kuptoi se kishte logjikuar gabim, jo ashtu si i takonte nivelit të tij si profet. Për ditë të tëra qau, u pendua dhe iu lut Zotit ta falte. Dhe Zoti e fali duke e mbuluar me mëshirë. Pastaj e urdhëroi atë dhe të tjerët të linin anijen dhe të fillonin jetën në atdheun e ri. Pasi la të lirë zogjtë e kafshët, Nuhu zbriti nga anija. Ra në sexhde sapo i shkelën këmbët. Toka ishte ende e lagët. U fal duke falënderuar Zotin dhe vendosi të ndërtonin një faltore të madhe, për të cilën nisi punën menjëherë.
Forca e Zotit (xh.sh.) që kishin dëshmuar i kishte lënë pa gojë. Por tashmë i ishin kthyer sërish jetës.
Një jetë e re nisi mbi botë. Vitet ndoqën njëri-tjetrin. Profeti Nuh nuk reshti kurrë së shpjeguari Zotin… Por, një ditë, dhe ai e ndjeu se i ishte afruar vdekja. Mblodhi bijtë rreth vetes dhe u la amanetin. Edhe fjalët e tij të fundit ishin këto:
“Mos reshtni së adhuruari Zotin. Mos u ndani nga rruga e Tij!”