Profeti Ynë (8) – Vitet që kaluan pranë mëndeshës (1)

Nga atdheu i Beni Sadëve, prej nga vinin shumë familje për të marrë fëmijë të gjirit, kishin ardhur edhe Harith bin Abduluza bashkë me gruan e tij Halime binti Abdullah bin Harith. Bashkë me ta kishin ardhur edhe dhjetë gra të tjera po me të njëjtin qëllim. Sepse thatësira kishte pushtuar krejt rretherrotullin në Mekë aq keqani, sa nuk kishin më as ç’t’i jepnin trupit kundrejt nevojave të tij për ushqim. Andaj, këto nëna nuk dinin as me se të ushqenin edhe vetë foshnjat e tyre që qanin nga uria. Qumështi u kishte shterur pasi as vetë nuk kishin me çfarë të ushqeheshin, duke ia bërë kësisoj të harruar ndjesinë e dhënies së gjirit ndaj fëmijëve të tyre. E vetmja shpresë ishte që të nisnin reshjet e një shiu freskues. Dhe rruga ishte tmerrësisht e gjatë e nuk i shihej fundi.

Mbi të gjitha, ecja e gomarit të dobët ku kishte hipur Halimja, dhe devesë së plakur të Harithit ishte ngadalësuar ndjeshëm. Ata tashmë nuk po i arrinin dot bashkudhëtarët e tyre. Kësisoj, kur mbërritën në Mekë, e panë se foshnjat i kishin marrë, madje edhe kishin nisur rrugën e kthimit.

Harithi dhe Halimja nisën të trokisnin derë më derë me të njëjtin qëllim. Fëmija që kishte ngelur pa iu dhënë askujt ishte vetëm jetimi i Abdullahut, Muhamedi. Çdokush që trokiste, pasi e merrte vesh se Ai ishte jetim, hiqte menjëherë dorë duke u kthyer mbrapsht për të trokitur në një tjetër familje, ngase mendonte se nuk do të merrte dot kurrfarë shpërblimi kundrejt shërbimit që do të bënte. Më në fund, aty erdhi edhe Harithi me Halimen, por edhe ata si të tjerët hoqën dorë me shpresën se mund të gjenin një fëmijë tjetër. Nuk e dinin ata se pikërisht aty ishte njeriu që do t’i drejtonte të gjithë njerëzit drejt vetes. Kërkimet e tyre vazhduan, por më kot, nuk gjetën askënd. As të ktheheshin duarbosh nuk ishte afër mendjes. Halimja, sakaq i tha të shoqit të saj:

Nuk dua të kthehem pranë shoqeve pa gjetur një foshnje, andaj eja ta marrim atë fëmijë jetim e të kthehemi për në shtëpi.

Si të duash, le të shkojmë e ta marrim. Ndoshta Allahu na fal begati për hir të atij fëmije,[1] – iu përgjigj Harithi së shoqes, duke u drejtuar saora për nga porta e shtëpisë së Abdulmutalibit.

Kur Amina e pa se çifti erdhi sërish, u mundua t’u shpjegonte atyre se fëmija që po merrnin nuk ishte një fëmijë si gjithë të tjerët. Nga pas u bëri fjalë për rehatinë që kishte pasur gjatë lindjes, për ëndrrat e para gjatë periudhës së shtatzënisë dhe për shpjegimet që u ishin dhënë atyre ëndrrave. U bëri fjalë, se ky nuk ishte amanet vetëm i Aminës, por ishte njëkohësisht edhe i mbarë njerëzimit, prandaj edhe rëndësia dhe kujdesi i treguar ndaj Tij duhet të ishte po i kësaj natyre. Ai duhej të ruhej si sytë e ballit nga çdo lloj rreziku i mundshëm.

[1] Ibni Hisham, Sire, 1/300; Ibni Sad, tabakat, 1/110-1

Postime të ngashme

%d bloggers like this: