Besimi dhe dashuria për Allahun

Nga Ali Zaimi

Nëpërmjet besimit njeriu ngjitet në shkallën e tij më të lartë dhe bëhet i denjë për parajsë.  Ndërsa mohimi e shndërron atë nga esenca e tij e natyrshme dhe e bën të denjë për xhehenem (ferr), sepse besimi është lidhje me Krijuesin e Gjithësisë. Vetëm me anë të besimit lexohet tek njeriu skalitja e emrave hyjnorë dhe e mjeshtërisë hyjnore në krijimin e tij. Ndërsa mohimi e fsheh këtë art, e madje e konsideron njeriun si një objekt rastësie me një vlerë thjesht kalimtare.

Me dritën e besimit ne e shikojmë njeriun si një vepër antike e përkryer arti, i punuar nga Krijuesi i Gjithëditur. Ai është mrekullia më e hijëshme e të Gjithëfuqishmit, Të Urtit, I Cili e krijoi që ti shfaqë tek ai të gjithë Emrat e Tij së bashku me mbishkrimet dhe skalitjet e tyre në formën e një modeli të zvogëluar të universit.

 Kurani Fisnik fillon me fjalët “Bismil’lahi Rahmani Rahim”, që do të thotë “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”. Kjo formulë haset në Kuran 114 herë: e gjejmë në fillimin e të gjitha sureve, me përjashtim të sures Et Teube (“Pendimi”), dhe po ashtu e gjejmë në ajetin 30 të sures 27, En Neml.

Mëshira është një veti e mahnitshme, prej së cilës Allahu është udhëhequr dhe udhëhiqet si gjatë krijimit të botëve, ashtu dhe gjatë drejtimit të tyre. Në të është e përqendruar baza e të gjitha të mirave që përfitojnë njerëzit dhe qeniet e tjera. Allahu e shfaq mëshirën ndaj njeriut, atëherë kur e ngjiz atë në barkun e nënës dhe mandej e nxjerr në dritë, kur i dhuron atij shëmbëllesën e mrekullueshme dhe aftësitë që nuk kanë të numëruar. Zoti e shfaq mëshirën e Tij ndaj robëve të Tij, kur i drejton dhe i nxit të ecin në rrugën e drejtë. Madje edhe atëherë kur njeriu shfaq mosmirënjohje dhe bën mëkat, Ai ia shtyn afatin e shlyerjes së gabimit dhe i jep mundësi mëkatarit që ta çlirojë shpirtin e tij nga mëkati. Në njërin prej haditheve të shenjta thuhet: “Mëshira Ime prevalon ndaj zemërimit Tim”.

Në Kuranin e Shenjtë përmenden mjaft emra, që flasin për qëndrimin mëshirues dhe tolerant të Allahut ndaj krijesave të Tij. Këta emra mund t’i cilësonim si Mëshiruesi, Mëshirëbërësi, Zemërgjeri, Toleranti, Falësi, Bamirësi, i Miri, Pendimpranuesi, Dashuruesi, i Dhembshuri, Mirënjohësi, Falënderuesi, Dhuruesi.

Duke bërë shpjegimin e pafundësisë që ka Mëshira e Allahut, Profeti Muhamed ka thënë: “Allahu e ndan si mëshirën, si përdëllimin në dy pjesë: duke mbajtur për veten e Tij 99% të tyre dhe duke zbritur në tokë vetëm 1% të tyre; falë kësaj të fundit tregojnë mëshirë dhe përdëllim që të gjitha krijesat. Madje edhe kuajt i ngrenë lart thundrat nga frika se mos prekin me to mëzat”. Mëshira dhe përdëllimi janë baza mbi të cilat duhet të ndërtohen marrëdhëniet e ndërsjella të krijesave. Njeriu si qenie e arsyeshme dhe sociale që është, po ashtu duhet të udhëhiqet në çdo gjë prej kësaj ndjenje të madhe, në dëshiron të sigurojë për veten e tij paqe dhe qetësi, por edhe për të afërmit, për popullin dhe për mbarë njerëzimin.

 

Është e pamundur të numërohen dhuntitë që Allahu i Lartë na ka dhënë. Ai na ka nxjerrë ne nga hiçi në egzistencë,  Ai ka krijuar për ne botën ku jetojmë, qiellin, tokën. Na ka dhënë ajrin, që të mund të jetojmë, ujin, që të përfitojmë prej të mirave të tij. E çdo gjë që kemi, jemi apo jo në djeni të tyre, Ai na e ka dhuruar. Me anë të një vështrimi të përgjithshëm në ku jetojmë ne do të shikojmë se të gjitha gjërat, e në mënyrë të vecantë krijesat e gjalla kanë nevoja të shumta, të ndrysme dhe kërkesa të gjithfarëllojshme. Ato kërkesa e nevoja u përmbushen atyre në kohën e përshtatshme, në mënyra të paparashikuara, nga vende që ato nuk i njohin e që duart e tyre mund ti arrijnë me aftësitë që kanë. Edhe po të marrim në konsideratë veten tonë arrijmë në të njëjtin përfundim. Sa shumë nevoja e kërkesa kemi; E sa pak mundësi e aftësi ti arrijmë! Ne na ofrohen nga një mëshirë dhe bujari jashtë aftësive tona. As natyra e pafuqishme, as rastësia e pamend dhe as shkaqet e pajeta nuk mund të jenë shpjegim për gjithë këto mirësi që përfitojmë. Përshembull vetëm ajrin, që është domosdoshmëri dhe kryen funksione pafund në dobinë tonë, a mund ta sigurojmë me aftësitë tona? Apo mund t’ja atribuojmë rastësisë së verbër? Të gjitha këto, si drita e diellit që tregon diellin tregojnë një Ekzistues të Vetëm të Domosdoshëm, para perdes së të padukshmes, të Vetmin e Unitetit, dhe tregojnë se Ai, Krijuesi, midis titujve të tjerë, është Kerim, Rahim, Murebbi, Mudebbir, Gjithëbujar, i Gjithëmëshirshëm, Furnizues dhe Rregullator.

Si përgjigje ndaj këtyre dhuntive, Allahu i Lartë kërkon prej nesh vetëm ta duam, ta besojmë dhe ta adhurojmë.

Dashuria për Allahun është rrjedhojë e domosdoshme e besimit te Ai. Njeriu që e beson Allahun, duhet ta dojë Krijuesin e Lartë që i ka dhënë dhunti të pafundme.

Profeti (a.s.) është lutur: “Allahu im! Mundësoma të të dua Ty, atë që të do ty si dhe atë gjë që do të më afronte te Ti dhe dashurinë për Ty bëma më të pëlqyeshme se dëshirën për ujë të ftohtë në vapën e verës!”

Dashuria për Zotin është thelbi i gjithçkaje dhe burimi më i kulluar dhe i pastër për të gjitha dashuritë. Mëshira dhe dashuria vërshojnë në zemrat tona prej Tij. Çdo lloj i bashkëpunimit njerëzor do të ndërtohet në përputhje me marrëdhëniet tona me Atë. Dashuria për Zotin është besimi ynë, bindja jonë dhe shpirtrat tanë në trupin tonë. Ai na bëri të gjallë kur ne u krijuam. Nëse ne jetojmë sot, është vetëm nëpërmjet Tij. Esenca e gjithë ekzistencës është dashuria e Tij dhe fundi është shtrirja e dashurisë hyjnore në formën e parajsës. Ai ka krijuar çdo gjë të kushtëzuar në dashuri dhe ka lidhur marrëdhëniet e Tij me njerëzimin nga kënaqësia e shenjtë për qeniet e dashura.

Në të kundërt të dashurisë për llogari vetëm të kësaj bote që argument dhe arsye për dshurinë kanë aspektet si bukuria, përsosmëria, forma, harmonia në paraqitje, madhështia, fama, forca, pozita, gjendja shoqërore, begatia, familja, prejardhja, ku herë pas here, prej këtej njerëzit kanë rënë në gabimet e partneritetit me Zotin; Përsa u përket besimtarëve, në anën tjetër, ata e duan Zotin para çdo gjëje tjetër, dhe ndjejnë dhembshuri për të tjerët përmes dashurisë për Atë. Për arsye të manifestimit dhe bekimit nga Një i Vetmi, ata mbajnë lidhje me çdo njeri dhe gjithçka tjetër, deklarojnë dashurinë e tyre dhe janë mirënjohës për gjithë të mirat në emër të Tij.

Sigurisht, pa marrë Zotin në konsideratë, çdo dashuri për këtë ose atë objekt është e kotë, e pashpresë, e pavendosur dhe e pafrytshme. Mbi gjithçka, një besimtar duhet të dashurojë Atë, dhe ka një qëndrim pozitiv ndaj të tjerëve vetëm sepse ata janë manifestime dhe pasqyrime plot ngjyra të Atributeve dhe Emrave Hyjnorë të Tij. Po ashtu, njeriu duhet t’i mirëpresë këto gjëra me një admirim të madh dhe çdo herë që një person vështron gjëra të tilla, duhet të mendojë se edhe ato janë prej Zotit, duke përjetuar, kështu, një periudhë tjetër bashkimi me të Dashurin.

Besimtarët e duan Allahun, sepse Ai e meriton dashurinë më të pastër, Atij i përulen, sepse Ai e meriton shërbimin më të sinqertë. Kurse shpërblimi në jetën më të fundme nuk është pagesa e merituar nga njeriu për fjalët dhe për veprat e tij në këtë jetë, por është Mëshira e Mëshirëbërja më bujare që tregon Allahu, Bamirësi që e ka shumë përzemër Bamirësinë.

Më e bukura e dashurisë për Allahun është ajo e rrethuar nga njëra anë me respektin, nga ana tjetër, me frikën ndaj Tij.

C’fitim I madh për ne që Allahu na ka dhënë mundësi ta duam.

 

 

Postime të ngashme