Barazia si bazë e objektivave themelore të sheriatit Islam

Drejtësia në shtetin Islam përfshin edhe jomyslimanët, si ruajtje e qetësisë shoqërore, në saj të porosive të Dërguarit të Allahut drejt tyre, parime që Islami i rrënjosi thellë dhe të gjithëve i thotë:  “Unë e ftoj të gjithë botën të kapet pas parimit të vëllazërisë dhe barazisë Islame. Ky është shembulli më i lartë i besimit Islam, i cili i ofron shpresë për të gjithë botën.”

Shkenctarët e jurisprudencës Islame e kanë trajtuar temën e barazisë dhe të drejtat e njeriut, në brendësi të temave të ndryshme si: objektivat e sheriatit, dobitë e përgjithshme dhe sigurimi i fisnikërisë. Ata kanë vendosur se prej parimeve më të rëndësishme, mbi të cilat ngrihen qëllimet e sheriatit Islam janë drejtësia dhe barazia midis njerëzve. Njeriu, përsa i përket cilësive të tij njerëzore është mëkëmbës mbi tokë dhe krijesë e lartë, kështu që arritja dhe zbatimi i drejtësisë dhe barazisë midis njerëzve, e ngre atë në gradë të larta dhe kështu ai arrin të fitojë lirinë, lavdinë dhe lumturinë. Përsa i përket këtij aspekti, çdo urdhër në këtë drejtim konsiderohet hyjnor dhe me të synohet e mira e të gjithë krijimit.

Sheriati Islam ka bërë që të drejtat e njeriut, për të cilat është përgjegjes çdo qenie njerëzore, të jenë domosdoshmëri dhe urdhëresë. Ushqimi, pija, veshja, venbanimi, siguria, liria e mendimit, besimit, shprehjes, mësimit, shpjegimit dhe bashkimi në arritjen e rregullit të përgjithshëm janë domosdoshmëri e shoqërisë dhe shteti e ka për të detyrë të tregojë kujdes të madh për to dhe gjithashtu është detyrë e njerëzve që t’i kërkojnë dhe t’i ruajnë ato, vetëm për faktin e të qenurit qenie njerëzore. Sipas besimit Islam të gjithë njerëzit janë robër të një Zoti të vetëm dhe në drejtimin e adhurimit ndaj Tij ata janë të gjithë të barabartë me njëri tjetrin.

Barazia në Islam nuk synon asnjëherë që të vendosi dorë mbi ndryshimin dhe aftësitë e njerëzve, sepse ndryshimi është rregull i krijimit dhe prej zakoneve të Allahut në krijimin e tij. Kjo është një e vërtetë prezente në krijimin e Allahut dhe nuk ka mundësi që njeriu mos ta kuptojë këtë gjë. Por, barazia ka për qëllim drejtësinë dhe ajo nuk ndërhyn te veprat dhe zgjedhjet e njeriut. Prandaj duhet që zbatimi i drejtësisë të bëhet mbi parimin e të kuptuarit dhe respektimin e ndryshimeve dhe aftësive të ndryshme, që mund të kenë njerëzit dhe largimi nga bërja e padrejtësisë përsa i përket këtij aspekti.

Kurani tregon qartë se në esencë të gjithë krijesat janë të barabarta me njëri-tjetrin. I lartësuari thotë:

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju. (Nisa, 1)

Në një ajet tjetër thotë:

“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.”  (Huxhurat, 13).

Pra, o njerëz ju të gjithë jeni prej një çifti të vetëm, Ademit dhe Havasë.

Edhe pse ajeti mund të vijë në kontekstin e informacionit, ai përfshin një çështje që thotë: O ju njerëz largohuni prej çdo faktori të prishur, i cili përdhos nderin, lavdinë e njeriut dhe kapuni pas faktorit të pastër, prej të cilët përfitojnë të gjithë, gjë e cila është devotshmëria ndaj Krijuesit.

Gjithashtu kuptohet nga ajeti kuranor konteksti i dallimit në fjalën “më i nderuari midis jush”, i cili shpreh qartë gradën më të lartë të nderimit dhe lavdisë. Në brendinë e tij kuptohet se te çdo njeri gjendet mirësia, porse te ai që i dorëzohet Krijuesit dhe është punëmirë, ai është akoma më i ngritur.

Nderi i lartë i njeriut, në përgjithësi është një kufi të cilin askush nuk duhet ta kalojë, ai është kufiri i drejtësisë dhe vjen si pasojë e të qenurit njeri, i cili ka nevoja jetësore, kërkesa të domosdoshme dhe nevojë për respekt dhe vlerësim.

Në porositë e Profetit (paqja qoftë mbi të) ka shënjime të shumta që flasin për drejtësinë dhe barazinë midis njerëzve. Transmetohet se Profeti (s.a.s) ka thënë: “Vërtet që prejardhja juaj nuk është për shkakun e askujt prej jush, por ju jeni bijtë e Ademit. Askush prej jush nuk është më i lartë se tjetri, përveç atij që është më i devotshëm dhe më punëmirë.” (Musnedi Ahmed)

Transmetohet nga Ibni Omeri se Profeti (a.s) iu drejtua njerëzve në çlirimin e Mekës me këto fjalë:

“O ju njerëz, Allahu e ka hequr nga ju një ves të keq të periudhës së injorancës, që është mburrja, krenaria e tepruar me prejardhjen. Njerëzit janë dy lloje, njeri i pastër, i devotshëm dhe bujar tek Allahu dhe njeri i prishur, mendjemadh, larg prej Allahut. Porse njerëzit janë të gjithë bijtë e Ademit, i cili u krijua prej baltës.” (Tirmidhiu).

Barazia, nderimi i tjetrit dhe veprimi me drejtësi vazhdojnë të jetë ende një parim morali i ngulitur thellë në jetën e besimtarëve. Barazia në Islam nuk është thjesht e kufizuar vetëm në disa parime të shkruara, por myslimanët e bënë atë një pjesë të zakonshme të jetës së tyre, tek i cili nuk qëndron asnjë lloj vështirësie. Xhamitë janë vendet ku i bardhi dhe i ziu qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, si të barabartë në adhurimin e Zotit dhe gjithashtu në haxh, të gjithë të veshur nën petkun e bardhë, pavarsisht prejardhjeve nuk tregojnë dallim midis njëri-tjetrit.

Drejtësia në shtetin Islam përfshin edhe jomyslimanët, si ruajtje e qetësisë shoqërore, në saj të porosive të Dërguarit të Allahut drejt tyre, parime që Islami i rrënjosi thellë dhe të gjithëve i thotë:  “Unë e ftoj të gjithë botën të kapet pas parimit të vëllazërisë dhe barazisë Islame. Ky është shembulli më i lartë i besimit Islam, i cili i ofron shpresë për të gjithë botën.”

Nga: Dr. Ali Xhuma

Përktheu nga arabishtja: Aorel Senja

©URTESI.AL

 

Postime të ngashme