Argumente mbi Ekzistencen e Allahut (3)
Argumenti i shpirtit dhe ndërgjegjes
Edhe cilësia e shpirtit tonë që nuk ia njohim natyrën, por për ekzistencën e të cilit askush nuk ka dyshim, dhe e veprimit të funksioneve të tij mbi kurmin tonë, është një ndër argumentet që njoftojnë për Zotin. Elementi që e përfaqëson në botën tonë Botën e Urdhrit[3], është shpirti dhe shpirti ka ardhur në këtë botë vetëm për zhvillim dhe përsosje[4]. Meqë ndikimi i urtësisë së kësaj mbi përfundimin është jashtë temës sonë, po mjaftohemi këtu vetëm duke e prekur pikën që e argumenton ajo. Fakti që shpirti që, si natyrë, nuk ka të bëjë aspak me botën tonë materiale, dërgohet këtu nga një botë e posaçme për të dhe që vihet në një proces maturimi sipas një programi të caktuar, është, pa dyshim, një prej argumenteve më të rëndësishëm që njoftojnë për Zotin.
Nga ana tjetër, parandjenjat te njeriu dhe kthimet te Zoti pa pasur asnjë shkak të jashtëm, orientimet kah Ai dhe përsëritja në miliona herë e këtyre dukurive janë një argument i hapur i faktit që ndërgjegjja e cila ndodhet te njeriu në mënyrë të bashkëlindur dhe është njëri prej preteksteve më të rëndësishëm për gjetjen e Zotit, është e dhënë gjer në adhurim pas Krijuesit të vet dhe është e lidhur me Të me të gjithë qenien e vet. Fundja, a s’është ndërgjegjja njëri prej dëshmitarëve të pagabueshëm të marrëveshjes mes Zotit dhe shpirtit të njeriut? Ja, pra, me shtytjen e domosdoshmërisë dhe detyrimit të respektimit të kësaj dëshmitarie, ndërgjegjja thotë: “Allah”!
Argumenti i krijimit dhe historisë
Ekzistenca tek çdo njeri e një ndjenje dashurie ndaj të mirës dhe të bukurës si dhe, në të kundërt, e një ndjenje urrejtjeje ndaj të keqes dhe të shëmtuarës, është një realitet aq i hapur e i qartë, sa askujt nuk do t’i shkonte mendja për të kundërtën. Kjo do të thotë se, me ndërtimin e tyre siguron prirjen nga moraliteti dhe e mira dhe largimin me neveri dhe urrejtje nga imoraliteti dhe e keqja, këto ndjenja argumentojnë se i zoti i sistemit që e urdhëron njeriun për të vepruar mirë e bukur dhe e pengon nga sjelljet e këqija e të shëmtuara, është po ai Individualitet që ia ka dhënë njeriut këto ndjenja. Dhe, pa asnjë dyshim, ky Individualitet është Allahu, Zoti i gjithësisë!
Historia e feve është dëshmitare se njerëzimi nuk e ka kaluar asnjë prej periudhave të tij pa besim. Në çdo periudhë, njeriu ka pasur një besim qoftë edhe të shtrembër apo bestyt, qoftë edhe qesharak, dhe ka ndjekur një sistem moralo-shpirtëror të caktuar. Në mënyrë të veçantë, besimi është një nevojë sepse ekziston në krijim. Individualiteti që e ka shtresuar këtë nevojë në krijimin e njeriut dhe Individualiteti që na urdhëron ne të besojmë, është i njëjti Individualitet. Ai është Allahu, Zoti i gjithësisë!
Argumenti i ndjenjave
Njeriu është pajisur me mijëra ndjenja. Çdo ndjenjë bart një natyrë mesazhi nga një botë jashtëlëndore. Ndërkaq, te çdo njeri është një ndjenjë që ia bën të njohur atij Zotin drejtpërdrejt. Kjo është ndjenja e pavdekshmërisë. Për shkak të kësaj ndjenje njeriu përpiqet pa pra për pavdekësinë dhe amshueshmërinë. Asgjë e fundme, e konsumueshme dhe e vdekshme nuk mundet ta kënaqë atë vërtetësisht. Dhe kjo ndjenjë nuk është e mundur t’i jetë lënë njeriut nën ndikimin e ndonjë gjëje të fundme. Asnjë prej shkaqeve që janë të fundmë nuk mund ta ofrojë këtë pasion për pavdekshmërinë. Mirëpo ekzistenca e kësaj ndjenje është një fakt, një realitet, pra është e pamundur të mohohet. Atëherë themi se këtë ndjenjë na e ka dhënë neve ai që na ka krijuar, Zoti. Dhe është Ai që ka për të na e dhënë edhe jetën e pafundme!
Argumenti i marrëveshjes
Po qe se dhjetë gënjeshtarë të njohur na vijnë njëri pas tjetrit e na thonë se na është djegur shtëpia, themi “ka mundësi” edhe pse i njohim ata dhe e dimë se qoftë edhe një herë s’kanë thënë të vërtetën! Ndodh kështu sepse në mes është një marrëveshje, qoftë edhe mes disa gënjeshtarësh! Mirëpo marrëveshja (se Zoti ekziston) për të cilën po bëjmë fjalë këtu, është marrëveshje mes mijëra profetësh, qindramijëra shenjtorësh dhe miliona njerëzish. Pika kryesore e marrëveshjes së arritur nga këta njerëz që kanë jetuar në kohë dhe vende të ndryshme, është e vërteta “Allahu ekziston”. Kur i jepet rëndësi edhe marrëveshjes së dhjetë gënjeshtarëve mbi një gënjeshtër, ç’njeri mund të jetë ai njeri që nuk i beson marrëveshjes së miliona profetëve dhe njerëzve të shquar që s’është dëgjuar të gënjejnë kurrë? Dhe si mund të quhet i mençur një njeri i tillë?
Argumenti i Kur’anit
Të gjitha argumentet që vërtetojnë se Kur’ani është fjalë e Allahut, janë, në të njëjtën kohë, edhe prova të ekzistencës së Allahut, Zotit të gjithësisë. Janë qindra argumente mbi Kur’anin si fjalë e Zotit që janë të parashtruara me imtësi në burimet bibliografike e teorike të Islamit lidhur me çështjen përkatëse. Ne po mjaftohemi duke ua lënë atyre aspektin vërtetues të çështjes. Të gjitha këto argumente, me gjuhën e tyre të posaçme, thonë: “Allahu ekziston”!
Argumenti i profetësisë
Edhe të gjitha argumentet që vërtetojnë profetësinë e profetëve, veçanërisht të profetit Muhammed (s.a.s), duhet t’u shtohen provave që flasin për Zotin. Sepse qëllimi final i ekzistencës së profetëve është shpallja e unitetit të Zotit, e emërtuar në Islam, tevhid, besimi monoteist mbi Allahun, Zotin e vetëm të gjithësisë. Prandaj, të gjitha argumentet e çdo profeti që vërtetojnë profetësinë e tij, janë, në të njëjtën kohë, në tërësi, argumente të ekzistencës së Zotit. Ndërkaq, ne s’do të qëndrojmë mbi ta një për një sepse kjo është jashtë tematikës sonë, por do të themi vetëm kaq, që, të gjitha argumentet që pohojnë se një profet është i vërtetë, pohojnë me të njëjtën forcë, madje më me forcë se Allahu ekziston dhe është një!