Argumente mbi Ekzistencen e Allahut (1)
Argumentimi i të qenës është gjithmonë më i lehtë se argumentimi i të paqenës. Ekzistencën e një varieteti molle mbi tokë mund ta vërtetojmë duke treguar edhe vetëm një kokërr prej atij varieteti. Kurse personi që pretendon se varieteti në fjalë nuk ekziston, mund ta vërtetojë pretendimin e tij vetëm pasi të ketë shëtitur të gjithë tokën. Dhe kjo do të thotë vështirësi gjer në përmasat e të pamundurës. Prandaj mund të themi se e paqena kurrë nuk mund të vërtetohet.
Dy vërtetues parapëlqehen ndaj mijëra kundërshtuesve dhe mohuesve. Po qe se dy vetë kanë rënë në marrëveshje mbi të njëjtën të vërtetë, mohimi i asaj të vërtete nga mijëra vetë me anë të vështrimeve të veta nga dritaret e tyre të ngushta, nuk ka asnjë vlerë.
Po qe se nga një mijë dyert e një pallati, 999 janë të hapura e njëra, e mbyllur, askush nuk mund të pretendojë se në atë pallat nuk mund të hyhet. Ja, pra, se ç’bën mohuesi: duke u treguar shikimeve vetëm atë derë, kërkon ta përqëndrojë vëmendjen vetëm te ajo. Në të vërtetë, edhe ajo derë është e mbyllur vetëm për botën shpirtërore të atyre që, si ai, u kanë zënë sytë perde. Për besimtarin nuk ka derë të mbyllur, mjafton që të mos i mbyllë sytë! Fundja, 999 dyer janë të hapura për të gjithë, madje me të dyja kanatet!
Disa prej argumenteve:
Argumenti i mundësisë
Gjithësia është nga lloji i qenieve të mundshme. Pra, ekzistenca dhe mosekzistenca e saj janë në raport të barabartë ndaj njëra-tjetrës: gjithësia mund të ekzistojë po aq sa mund të mos ekzistojë ose, e kundërta, mund të mos ekzistojë po aq sa mund të ekzistojë. Ndërkaq, çdo qenieje e mundshme varet nga një shkak jashtë saj, pra, që të ekzistojë, duhet të jetë një shkak i jashtëm që mundëson së pari ekzistencën e saj, pastaj edhe format dhe cilësitë e ekzistencës së saj. E thënë ndryshe, duhet të jetë një shkak i jashtëm që të zgjedhë ekzistencën e qenies së mundshme ndaj mosekzistencës së saj. Dhe ky shkak është Allahu, Zoti i gjithësisë.
Argumenti i akcidencës
Gjithësia është në ndryshim të vazhdueshëm e të pandërprerë. Çdo gjë që ndryshon, është e pasqenë, akcidenciale. Nga ky aspekt, materia nuk mund të jetë e paraqenë. Dukuri si rrëshqitja e vazhdueshme e materies, sipas ligjeve të termodinamikës, drejt mosqenies, zgjerimi i pandërprerë i gjithësisë dhe ecja e shpejtë e diellit drejt konsumimit tregojnë se ekzistenca e ka një fillim. Çdo qenie akcidenciale, pra, e qenë ose e krijuar pas, e ka një krijues; nuk mund të ketë efekt pa motiv, rezultat pa shkak dhe art pa artist. Ndërkaq, shkaqet nuk mund të zgjaten në kahje të kundërt në formë zinxhiri të pafund. Atëherë themi se kjo gjithësi materiale që është në ndryshim të pandërprerë, që s’është e paraqenë por e krijuar pas, domethënë akcidenciale, e pasqenë, për pasojë, nevojtare për një shkak të parë, e ka një krijues i cili është Allahu, Zoti i gjithësisë.
Argumenti i jetës
Jeta, një mister transparent! Po, jeta është aq e çuditshme sa të mos mund të shpjegohet me shkaqe të jashtme dhe transparente për sa i përket argumentimit të Fuqisë Krijuese. Jeta e tregon dhe e shpall Krijuesin e vet drejtpërsëdrejti. Jeta është një dukuri e magjishme që i magjeps shkencëtarët me përbërjen e saj misterioze, kurse njerëzit e thjeshtë, me transparencën e saj! Dhe, me gjuhën e gjendjes cilësore të saj, jeta duket sikur thotë: “Mua më ka krijuar Allahu, Zoti i gjithësisë!”
Argumenti i rregullsisë
Ashtu si çdo objekt përbën një tërësi pjesësh harmonike, ashtu dhe gjithësia është një tërësi pjesësh harmonike. Dhe ky është një argument i pagabueshëm që tregon se në gjithësi ka rregull dhe harmoni dhe argumenton ekzistencën e një Rregulluesi dhe Harmonizuesi që është Allahu, Zoti i gjithësisë.
Argumenti i artit
Nga atomi te njeriu, nga qeliza te galaktikat, në tërë gjithësinë bie në sy një art i hollë dhe marramendës. Sigurisht, në tërë gjithësinë, çdo vepër (objekt)
ka një vlerë shumë të madhe artistike,
është shumë e çmuar,
bëhet shumë lehtë dhe brenda një kohe shumë të shkurtër,
bëhet në një numër të madh,
është e ndërlikuar dhe e shumëllojshme,
është e vazhdueshme.
Mirëpo, në punët e bëra në dukje në një kohë të shkurtër, në një numër të madh, lehtë dhe të komplikuara, nuk duhet të ketë vlerë artistike. Vetëm se, nëse bërësi është Allahu, Zoti i gjithësisë, çdo gjë ndryshon dhe të kundërtat bëhen bashkë!