Ai (a.s) gjithmon ka qenë i besueshmi…
Periudhat e fëmijërisë, të rinisë e të pjekurisë së tij patën qenë në cilësinë e hyrjes, shkallareve dhe shkallëve drejt profetësisë në mënyrë të tillë që një shumicë njerëzish nga ata që e njihnin, i patën besuar dhe i qenë dorëzuar sapo pati shpallur se ishte ngarkuar me detyrën e profetësisë.
Ai nuk kishte gënjyer qoftë edhe një herë të vetme në jetën e tij. Kurse tani pikërisht ky njeri fliste për Allahun dhe thoshte se ishte pejgamber. Si mund të ndodhte që një njeri që nuk kishte thënë diçka të kundërt me realitetin edhe në çështjet më të vogla, të mund të thoshte gënjeshtër në një çështje kaq të madhe e sublime? Një gjë e tillë s’mund të ndodhte kurrsesi! Ja, pra njeriu i asaj dite kështu mendonte; edhe nëse jo të gjithë, ata që e linin mënjanë inatin dhe zilinë, besonin menjëherë. Periudha që jetoi Profeti, qe periudha e injorancës, mirëpo ky emërtim i është dhënë kësaj periudhe lidhur me jetesën e atyre që patën mbetur jashtë kohës që qe e posaçme vetëm për të. Ai kurrë nuk e pati jetuar periudhën e injorancës ndonëse pati jetuar në atë periudhë. Ai pati qenë njeriu i sigurisë e i besueshmërisë. Dhe, gjithashtu, çdo njeri të tillë e pranonte atë. Bie fjala, dikush donte të bënte një udhëtim për ç’shkak i duhej ta linte familjen në një dorë të sigurt. Dhe për këtë, pa u lëkundur aspak, do t’i drejtohej Muhammedit (s.a.v.). Nëse dikush mendonte t’ia dorëzonte mallin në ruajtje dikujt, për këtë do t’i drejtohej Muhammed Eminit (të Besuarit) duke e ditur se nga malli nuk do t’i prekej as edhe një grimcë. Nëse dikush donte të dinte mendimin më të drejtë mbi një çështje, vraponte te ai etaloni i drejtësisë, e dëgjonte atë, konkludonte në bazë të thënieve të tij dhe të gjitha shpjegimet e tij i mbante për parime në çdo punë, sepse, siç thamë, ai s’kishte gënjyer qoftë edhe një herë në jetën e tij!
Mos doni argumente ? Ja, pra! Ai ka dalë në kodrën Ebu Kubejs dhe i pyet njerëzit që ka përreth: “A do të më besonit sikur t’u thosha se pas kësaj kodre po vjen një ushtri për të na sulmuar?” Të gjithë në një gojë i thonë: “Po, do të të besonim, sepse kurrë nuk dëgjuam që të kesh thënë gënjeshtër!” Midis atyre që përgjigjen kështu, gjenden edhe armiq të fesë si Ebu Leheb dhe Ebu Xhehl16. Mirëpo të gjithë e vërtetojnë drejtësinë e tij dhe e pranojnë besueshmërinë e tij. Ai e pati humbur të atin duke qenë ende në bark të nënës, kurse nënën kur qe bërë pesë-gjashtë vjeç. Pastaj e pati marrë nën mbrojtje i gjyshi, Abdylmuttalibi. Por edhe këtë e pati humbur sa pati shkelur në të tetat. Dukej sikur kaderi, paracaktimi hyjnor, e ndante atë prej çdokujt dhe e përgatiste për t’iu dorëzuar tërësisht Allahut. Të gjithë mbrojtësit që mund t’i zgjasnin dorën, shkonin një e nga një dhe tërhiqej vëmendja mbi mbrojtjen e Providencës Hyjnore drejtpërsëdrejti e praktikisht. Ai duhet t’i ketë ndjerë që në krye të herës në ndërgjegje dhe duhet t’i ketë shqiptuar “Fjalën e Njësisë” dhe shprehjen “Hasbinallah”, “Allahu më mjafton”. Prandaj të gjithë faktorët aparentë duhej të shmangeshin tërësisht nga mesi dhe ashtu pati ndodhur…
“Abdullah” që do të thotë “Robi i Allahut” dhe “Amine” që do të thotë “Grua e drejtë dhe e besueshme”, janë emrat e prindërve që e patën sjellë atë në jetë. Po, ai vinte në botë nga një grua që lindte besim, që ishte ruajtësja e amanetit të besimit e të sigurisë. Po ashtu, emri i të atit të këtij njeriu të nderuar, i cili qysh para profetësisë krenohej me të qenët rob i Zotit, bartte kuptimin “Rob i Zotit”. Këto nuk janë rastësi. Nuk janë, sepse është Allahu ai që i përcakton.