A do të m’i falë Zoti mëkatet?
Një person erdhi i dëshpëruar dhe me zemër të thyer pranë të Dërguarit të Allahut. Atë njeri e kishin pushtuar dhimbjet shpirtërore dhe ashtu në atë gjendje tha me zë të lartë: “Mëkatet më kanë shkatërruar! Mëkatet më kanë vrarë!” Ai vazhdoi ta përsëriste shumë herë këtë gjë. Ndoshta shumë prej nesh mund të ndihen si ky njeri.
Profeti (a.s) i tha atij njeriu të ulej bashkë me të dhe të thoshte: “O Allah, falja jote është më e madhe sesa mëkatet e mia. Kam më shumë shpresë te mëshira jote, sesa te veprat e mia.” Profeti i tha që ta përsëriste këtë dhe më pas i tha: “Çohu, Allahu të ka falur ty!” I Dërguari i Allahut kishte ardhur për t’i falur shpresë njerëzve.
Ai ka thënë gjithashtu: “Një rob bëri një mëkat dhe më pas tha: ‘O Allah, ma fal mëkatin tim!’ Allahu tha: ‘Robi im ka bërë një mëkat dhe ai e di që ka një Zot që i fal mëkatet dhe do ta marrë atë në llogari.’ Robi u kthye sërish te mëkati i tij dhe tha: ‘O Allah, ma fal mëkatin tim!’ Allahu tha: ‘Robi im ka bërë një mëkat dhe ai e di që ka një Zot që i fal mëkatet dhe do ta marrë atë në llogari.’ Robi u kthye sërish te mëkati i tij dhe tha: ‘O Allah, ma fal mëkatin tim!’ Allahu tha: ‘Robi im ka bërë një mëkat dhe ai e di që ka një Zot që i fal mëkatet dhe do ta marrë atë në llogari, kështu që pavarësisht atyre që ka bërë, Unë do t’ia fal të gjitha mëkatet!”
Nëse njeriu e përsërit vazhdimisht një mëkat gjatë ditës, ai asnjëherë s’duhet ta humbasë shpresën nga mëshira e Zotit. Nëse kthehet me sinqeritet tek Zoti, Ai do t’ia falë mëkatet. Dera e mëshirës është gjithnjë e hapur. Feja jonë nuk është fe e dëshpërimit, por e shpresës. Ashtu siç kemi shumë gjëra të ndaluara, që janë të dëmshme për ne, po ashtu e kemi të ndaluar ta humbasim shpresën nga mëshira e Zotit.