Disa shembuj në Teurat që tregojnë për ardhjen e Profetit Muhamed (a.s)

Le të japim dy-tre shembuj që tregojnë për Profetin tonë në Teurat:

“Dhe Sara e mundoi atë, ndaj Haxheri u largua prej saj. Engjëlli i Zotit e gjeti atë pranë burimit që rridhte dhe i tha: Pasardhësit e tu do t’i shtoj në vazhdimësi, aq sa prej numrit të shumtë nuk do të numërohen!” (Tekvin: 6-10) “Dhe do ta bëj atë (Sarën) të begatë, do të të jap ty një djalë edhe prej saj dhe ajo do të jetë nëna e popujve; mbretërit e fiseve do të dalin prej andej. Sa për Ismailin, e dëgjova lutjen tënde; pra, e begatova atë dhe do ta favorizoj, do ta shtoj atë edhe më tej; ai do të jetë babai i dymbëdhjetë fiseve dhe i një populli të madh.” (Tekvin: 16-20)

“Dhe Zoti i tha Ibrahimit: Mos të të vijë ligsht prej fëmijës dhe robinës. Dëgjoja Sarës fjalën për çdo gjë; sepse breznia jote do të vijojë prej Isakut. Ndërsa prej djalit të robinës do të nxjerr gjithashtu një komb, sepse ai është vazhdimësia jote. Dhe Zoti e dëgjoi zërin e fëmijës. Engjëlli i tha Haxherit kështu: Ngrihu, merre fëmijën dhe mbaje për dore. Sepse atë do ta bëj një popull më vete.” (Tekvin: 12, 13, 17, 18)

Allahu i Lartë e çoi në vend premtimin e tij për Isakun duke i shtuar pasardhësit përmes tij, Musai i nderuar ishte një profet prej tyre. Edhe më vonë mes Bijve të Izraelit patën ardhur shumë profetë, dijetarë dhe sundimtarë. Të gjithë ata janë fryte të begatisë së dhënë profetit Isak. Ndërsa prej brezit të Ismailit (a.s.), deri në mbërritjen e Krenarisë së Njerëzimit (Paqja qoftë mbi Të) nuk pati dalë ndonjë profet apo mbret. Ata patën vazhduar nëpërmjet linjës së profetit Isak. Me profetësinë e Të Dërguarit të Allahut ky institucion u transferua në sojin e Ismailit dhe kështu iu bindën Atij (a.s.) popuj dhe mbretër. Në këtë mënyrë u vërtetua edhe ajo që qe parathënë në Teurat. Po të mbajmë parasysh jetën e të Dërguarit dhe pikën në të cilën ka arritur feja që solli ai deri më sot, mund ta kuptojmë edhe më qartë sihariqin që lajmëron Teurati.

Në përshtatje edhe me njoftimet e mësipërme, Ismaili (a.s.) u dërgua në Hixhaz për të mbrojtur dhe meremetuar Qabenë së bashku me të atin, profetin Ibrahim. Ai u vendos atje dhe u bë profeti dhe prijësi i fiseve arabe që e besuan. Pikërisht atje mori jetë me emrin Mekë, apo Beke, ai vend në të cilin ndodhej dhe Qabja përreth së cilës bënin tavaf haxhilerët. Hz. Ismail hodhi këtu themelet e një feje të vërtetë dhe traditës së sunetit, ndërsa farefisi i tij filloi të rritej e të shumohej si yjet në qiell. Që nga koha e Hz. Ismailit e deri në ardhjen e Zotërisë sonë (a.s.), Hixhazi, Jemeni dhe vendet e tjera arabe vazhdimisht kishin jetuar në liri dhe si zotër të tokave të tyre. Perandoritë romake dhe sasanite kishin dështuar t’ua ulnin kokat Bijve të Ismailit.

“Zoti iu drejtua njerëzimit në Sina, iu shfaq në Sair, dhe u duk me gjithë madhështinë e Vet në malet Faran.” (Tensije: 2)

Me daljen e Zotit të Lartësuar në Sina nënkuptohet zbritja e Teuratit profetit Musa (a.s.); me përmendjen e Sairit aludohet për dhënien e Ungjillit profetit Isa (a.s.). Sepse Isait i kishte zbritur Ungjilli ndërsa ndodhej në një fshat përreth zonave të Shamit dhe Sairit, në Nasir.

Ndërsa shkëlqimi i plotë në malin e Faranit është shpallja e Kuranit profetit Muhamed (Paqja qoftë mbi Të). Faran është emërtimi i vjetër i maleve përreth Mekës. Është e qartë se kemi të bëjmë me një myzhde të madhe. Para se t’i vinte shpallja, profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi Të) tërhiqej shpesh në shpellën Hira, në afërsi të Mekës, me qëllim përkushtimin në adhurime. Në një prej këtyre çasteve vetmitare kishte filluar revelacioni, fakt ky që nuk bie ndesh me njoftimet e mësipërme të Teuratit.

Postime të ngashme