Surja Karria-101

Interpretimi i sures Karria

                                                                     بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ 

  1. الْقَارِعَةُ
  2. مَا الْقَارِعَةُ
  3. وَمَا أَدْرَاكَ مَا الْقَارِعَةُ
  4. يَوْمَ يَكُونُ النَّاسُ كَالْفَرَاشِ الْمَبْثُوثِ
  5. وَتَكُونُ الْجِبَالُ كَالْعِهْنِ الْمَنفُوشِ
  6. فَأَمَّا مَن ثَقُلَتْ مَوَازِينُهُ
  7. فَهُوَ فِي عِيشَةٍ رَّاضِيَةٍ
  8. وَأَمَّا مَنْ خَفَّتْ مَوَازِينُهُ
  9. فَأُمُّهُ هَاوِيَةٌ
  10. وَمَا أَدْرَاكَ مَا هِيَهْ
  11. نَارٌ حَامِيَةٌ

 

Shqipërimi

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit 

  1. Krisma e kiametit. 
  2. Ç’ka është krisma? 
  3. Dhe ç’të mësoi ty se ç’është krisma (e kiametit)? 
  4. Ajo është ditë, kur njerëzit bëhen si flutura të shpërndara. 
  5. Dhe malet bëhen si leshi i shprishur. 
  6. E sa i përket atij që i rëndohet peshoja e veprave të tij, 
  7. Ai është në një jetë të këndshme. 
  8. Ndërsa, atij që ka peshojën e lehtë të veprave të tij, 
  9. Vendi i tij do të jetë në Heuije. 
  10. A e di se ç’është ajo (Heuije)? 
  11. Është zjarri me nxehtësi shumë të lartë.

 Surja Karria e zbritur në Meke, ka 11 ajete. Ajeti i parë i sures, që është një përshkrimin i kiametit është bërë edhe emër i saj. Nuk është vetëm emër i sures, por në të njëjtën kohë edhe tema kryesore e saj. Sepse, surja flet rreth kiamet dhe gjendjes së tij të tmerrshme, rreth ahiretit (botës së pasme) dhe situatat e vështira që do të kalohen aty dhe rreth situatave të ngjarjeve të mëdha që do të ndodhin atë ditë.

 

Interpretimi (Tefsir)

الْقَارِعَةُ

  1. Krisma e kiametit. 

Karria, rrjedh prej fjalës karra’a, që ka kuptimin me e përplas aq fortë sa të nxjerrë një zë të llahtarshëm, të trokasësh në derë, të dridhet zemra prej tmerrit. Kiameti, meqë e godet njeriun me gjendjen e tij të tmerrshme, është quajtur “Karria”. Në Kuran përmenden emra të Kiameti si: el-Karria, el-Hakka, et-Tamme, es-Sahha dhe el-Gashije.

 

مَا الْقَارِعَةُ 

  1. Ç’ka është krisma? 

مَا është përemër pyetës. Por, këtu nuk ka kuptimin e një pyetje e vërtetë, por, është për të frikësuar me kuptimin “Ç’krismë e tmerrshme është karria”.

 

وَمَا أَدْرَاكَ مَا الْقَارِعَةُ

  1. Dhe ç’të mësoi ty se ç’është krisma (e kiametit)? 

Ose, ku e dije ti se ç’është krisma e kiametit. Duke theksuar se askush nuk mund ta dijë me mendjen e tij tmerrin e asaj dite, qoftë ky edhe vetë Profeti, vetëm se me informim e Allahut (xh.sh). Kjo e përforcon dhe shton frikën për atë ditë. Përsëritja tre herë e fjalës “karria” pa përdorur përemër, është për të treguar tmerrin e asaj dite. Atëherë kuptimi është: Ruajeni veten, sepse, Karria ekziston! Karria është shumë e frikshme, aq sa nuk mund ta kuptoni madhësinë me mendjen tuaj pa e parë me sy.

 

يَوْمَ يَكُونُ النَّاسُ كَالْفَرَاشِ الْمَبْثُوثِ 

    1. Ajo është ditë, kur njerëzit bëhen si flutura të shpërndara. 

الْفَرَاشِ Ferrash është shumësi i ferrasheh. Flutura, të cilat natën sillen rrotull dritës e zjarrit, përpëliten duke fluturuar dhe bien në zjarr.

Mebthuth, ka kuptimin të shpërndara. Tregon gjendjen e tyre të shpërndarjes, përpëliten e përpëliten dhe shpërndahen, shtrihen e shtriqen.

Sipas disa interpretuesve të Kuranit, kjo gjendje do të ndodhë kur të ngrihen njerëzit nga varret të frikësuar. Kjo gjendje e tyre u ngjason fluturave, të cilat shpërndahen sa andej këndej, prej frikës së madhe dhe tmerrit përplasen me njëri-tjetrin. Sepse, shprehja e përdorur në Kuran “ flutura të shpërndara”, tregon se këto insekte të mjera sillen rrotull zjarrin, përpëliten e në fund përfundojnë në zjarr. Për rrjedhojë, kuptohet që, njerëzit atë ditë prej tmerrit të asaj dite do t’i humbin ndjenjat e do të bien përtokë, do të jenë të hutuar e të sfilitur. Kjo tregon tmerrin e madh, që do të ngjallë në shpirt  fryrja e parë e bririt që do t’i thërrasë njerëzit në Gjykatën Supreme. Atë që e dëgjojnë trumbetën ftuese atë ditë, do t’i humbin ndjenjat e do të shtrihen përtokë, përveç një pakice. Kur ta dëgjojnë zërin e dytë zgjohen e rendin drejt vendit ku ndodhet Gjykata.

 

 وَتَكُونُ الْجِبَالُ كَالْعِهْنِ الْمَنفُوشِ

  1. Dhe malet bëhen si leshi i shprishur. 

Kur malet do të jenë kështu, imagjinojeni gjendjen e njerëzve se si mund të jetë.

الْعِهْنِ Ihn, lesh, veçanërisht ka kuptimin e leshit shumëngjyrësh. Ndërsa, menfush, ka kuptimin i shprishur, i shpërbërë, i bërë fije-fije me dorë ose i shpupuritur e i bërë grimca-grimca. Sepse, malet si fillim do të zvogëlohen e do të bëhen masa të frikshme pluhuri, më pas do të përhapen në re pluhuri “si lesh shumëngjyrësh i hedhur”. E më pas formohet një mirazh mjegullor. Përngjasimi i maleve me leshin shumëngjyrësh është për arsye se, në dukje ngjan shumëngjyrësh. Disa pjesë duken të bardha, disa të zeza e disa të kuqe. Për rrjedhojë, malet e shprishur duken si lesh shumëngjyrësh.

Në pjesën deri këtu, flitet rreth etapës së parë të fillimit të një bote tjetër që nis me kiametin, i cili i bën njerëzit të humbin ndjenjat e të bien përtokë, i shkatërron e malet dhe e bën tokën fushë. Pas këtij ajeti vjen etapa e dytë ku; njerëzit ngrihen nga varret dhe dërgohen në Gjykatën Supreme. Veprat e kryera në këtë botë peshohen në peshoren e drejtësisë së Gjykatës Supreme. Atij që i rëndon peshorja e veprave të mira, pra veprat e mira i peshojnë më tepër se veprat e këqija, do të jetë i lumtur në xhenet (parajsë).  Ndërsa, atij që ka peshojën e lehtë të veprave të tij, do të jetë në Hauije. Vendi i tyre është gropa e xhehenemit (ferrit).

 

 فَأَمَّا مَن ثَقُلَتْ مَوَازِينُهُ

  1. E sa i përket atij që i rëndohet peshoja e veprave të tij, 

Fjala meue’zin është shumësi i fjalës peshore, mizan. Mizan është instrumenti që peshon rëndesën e gjërave, pra peshore. Po ashtu, përdoret me kuptim të figurshëm për matjen e gjërave metafizike që nuk janë të kufizuara nga rëndesa, si drejtësia dhe të drejtat. Dihet se, rëndimi i peshores është në përputhje me rëndesën e asaj që peshohet. Dita e kiametit, e cila nuk ka dyshim në ekzistencën e saj, edhe pse në atë ditë duhet të jetë një peshore që ka dy anë ku peshohet dhe dy gjuhë që tregojnë rëndesën e secilës anë, sipas së vërtetës së punëve është larg mendjes sonë perceptimi i saktë i formës dhe madhësisë së  kësaj peshoreje. Për këtë arsye, dijetarët kanë thënë se, është kusht besimi në ekzistencën e peshores por, nuk është kusht besimi në emërtimin e madhësisë së kësaj peshoreje. Në këtë situatë, mohimi i peshimit të veprave është kufr (mohim), ndërsa, mohomi i detajeve rreth madhësisë së peshores nuk të bën mohues.

Sipas disa dijetarëve, me peshoren në ajet kuptohet drejtësia absolute e Allahut (xh.sh) në botën e pasme (ahiret). Sepse, njerëzit e simbolizojnë drejtësinë me peshoren. Siç dihet, në të shumtën e rasteve simboli i fakultetit të drejtësisë është peshorja. Drejtësia e gjykatësit, përngjasohet me pohoren që i ka të dyja anët e barabarta. Për rrjedhojë, të krahasosh situatat e botës së pasme (ahiret) të shpjeguara në Kuran me gjërat që dimë ne, dhe kështu ta mendosh peshoren me peshoren e kësaj bote është e gabuar. Mizani (peshorja) që shprehet në ajete dhe hadithe[1] (Allahu e di më së miri) janë kuptime të figurshme që simbolizojnë drejtësinë e Allahut (xh.sh).

Kështu që, atij që i rëndohet meuezin’i (peshorja), pra atij që ka më shumë vepra të mira :

 

 فَهُوَ فِي عِيشَةٍ رَّاضِيَةٍ

  1. Ai është në një jetë të këndshme. 

Ai tashmë është në një jetë të lumtur. Një jetë e lumtur dhe një jetë e kënaqshme. Pra, një jetë aq e lumtur, ku ai që ka kryer vepra të mira nuk mjaftohet vetëm me të qenurit i lumtur por, siç thuhet në ajet: “O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar! Futu në grupin e robërve të Mi! Dhe futu në xhenetin Tim!” (Surja Fexhrr, 27-30) prej gradës së nefsit rradije (shpirtit të kënaqur) duke u lartësuar në gradën e nefsit merrdije (shpirtit të vetëkënaqur), do të jetë i lumtur përgjithmonë s’do të dojë të largohet asnjë çast prej aty. Do të jetë i rrethuar me lumturi nga të gjitha anët dhe do të jetë i zhytur në lumturi të pafundme.

Në fakt, atyre që i peshon rëndë peshorja e veprave të mira, në përgjithësi edhe në jetën e kësaj bote jetojnë të lumtur. Sepse, duke i zbatuar me përpikëri urdhrat e Allahut (xh.sh) dhe duke u larguar prej gjërave të ndaluara, jetojnë me ndërgjegje të pastër. Po ashtu, ruhen edhe prej shumë sëmundjeve trupore. Duke qenë se i besojnë botës së pasme (ahiretit) dhe llogaridhënies, nuk frikëson nga vdekja dhe nuk i bëjnë keq askujt. Kësodore shpëtojnë prej dënimeve dhe poshtërimeve të kësaj bote.

Ndërsa, atyre që, peshojën e veprave të mira e kanë të lehtë, edhe se duket sikur jetojnë një jetë të lumtur në këtë botë, në fakt ata nuk janë aspak të lumtur. Sepse, duke mos i besuar Allahut dhe botës tjetër nuk të janë të qetë shpirtërisht. Frika prej vdekjes dhe largimit nga kjo botë, frika e mospasjes, humbja dita ditës e të afërmeve që vdesin, fakti që edhe ata do të largohen nga botë që e duan tej mase, ia bren shpirtin çdo ditë. Duke qenë se nuk i zbatojnë urdhrat dhe ndalesat e Allahut (xh.sh), bien pre e shumë sëmundjeve shpirtërore e trupore. Kësodore e jetojnë ferrin që kur janë në këtë botë.

 

  وَأَمَّا مَنْ خَفَّتْ مَوَازِينُهُ

  1. Ndërsa, atij që ka peshojën e lehtë të veprave të tij, 

Pra, ata të cilët nuk kanë sevape (punë të mira), ose kanë më shumë mëkate do të jenë në:

 

 فَأُمُّهُ هَاوِيَةٌ

  1. Vendi i tij do të jetë në Heuije. 

Pra, vendi ku do të shkojë, shtrati i tij, vendi ku do të strehohet është heuije. Nuk do të ketë vend ku të strehohet dhe do të hidhet në gropën e xhehenemit, që quhet heuije. Me një shprehje tjetër, do të hidhet në fund të xhehenemit dhe atje do të valojë. Nëna, duke qenë si vend mbrojtjeje e strehimi për femijën e saj në çaste frike e tmerri, Allahu (xh.sh) e ka përshkruar xhehenemin si “Ummuhu” (nëna e atij) që do të hidhet aty. Ashtu si nëna i ruan dhe i mbron fëmijët e saj, zjarri i xhehenemit do t’i strehojë ata; ashtu si nëna ia hap krahët fëmijës për ta përqafuar, edhe xhehenemi do të hapë krahët për ta. Sipas disa dijetarëve “Heuije” është një prej emrave të xhehenemit. Për arsye se është shumë e thellë, i është dhënë ky emër.

 

 وَمَا أَدْرَاكَ مَا هِيَهْ

  1. A e di se ç’është ajo (Heuije)?[2]

Pra, çfarë ta bëri të ditur ty se ç’ka është Heuije? Ku e di ti se ç’gjë e tmerrshme është ajo? Pyetja në ajet, tregon se sa e madhe dhe e frikshme është Heuije.

 

نَارٌ حَامِيَةٌ

  1. Është zjarri me nxehtësi shumë të lartë.

حَامِيَةٌ Hamije, rrjedh nga fjala “hami” që tregon gradën e lartë të nxehtësisë, zjarr shumë i fuqishëm dhe me nxehtësi shumë të lartë. Vetë fjala نَارٌ zjarr nënkupton nxehtësinë, por kur kësaj i shtohet edhe përshkrimi hamije (shumë i nxehtë), tregon se sa i nxehtë do të jetë zjarri i xhehenemit.


[1] Ka dy fjalë që i do Allahu, janë të lehta për t’u thënë, të rënda në peshore dhe ato janë: كلمتان خفيفتان على اللسان، ثقيلتان في الميزان، حبيبتان إلى الرحمن: سبحان الله وبحمده، سبحان الله العظيم

Buhari, Ejmen 19, Da’auat 66, Teuhid 58; Muslim, Da’auat 31; Tirmidhi, Da’auat 59; Ibn Maxhe, Edeb 56; Musned, II, 232.
[2] مَا Me, është pyetëse mohuese. هَاوِيَةٌ heuije është përemër mueneth raci (femërore); shkronja në fund është he-u shehit ( he dëshmuese). Origjinali është مَا هِي që do të thotë nga se është e përbërë, nga ç’përbëhet.

Postime të ngashme