Cilat janë dijet e detyrueshme për një mysliman?
I Dërguari i Allahut (s.a.s) ka thënë: “Kërkimi i diturisë është detyrim për çdo mysliman!”[1] Për këtë arsye, çdo mysliman sipas moshës dhe gjendjes është i detyruar që të mësojë disa gjëra të caktuara. Për shembull, pasi të ketë arritur moshën e pubertetit, duhet të mësojë fjalën e Shehadetit dhe kuptimin e saj. Pas kësaj duhet të mësojë prej urdhrave të Allahut adhurimet si namazi dhe agjërimi, aq njohuri sa t’i mjaftojnë për veten e tij. Ky është farz ajn (detyrim individual) për çdo mysliman.
Nëqoftëse fetarisht konsiderohet i pasur, ai duhet të mësojë edhe dispozitat që lidhen me zekatin dhe haxhin. Prej këtij personi nuk kërkohet që të ketë njohuri të detajuara rreth këtyre temave, por aq sa t’i mjaftojnë për adhurimin e tij. Veçanërisht, myslimani duhet të mësojë dituri aq sa ta mbajë veten larg gjërave shkatërruese dhe të përmirësojë gjendjen e tij shpirtërore. Dituritë e tjera jashtë këtyre konsiderohen si farz kifaje (detyrim kolektiv).
Shkencat fetare janë klasifikuar në nivele të ndryshme, përsa i përket epërsisë së tyre dhe çdo ekspert i një fushe e ka konsideruar degën e tij si më të lartën ndër të tjerat. Për shembull dijetarët e Akaidit e kanë quajtur atë si më të lartën shkencë, sepse ajo bëhet shkak për njohjen e qenies së Allahut të Lartësuar, atributeve dhe emrave të Tij. Nga ana tjetër juristët kanë konsideruar fikhun si shkencë më të lartë, sepse nëpërmjet tij myslimani njeh të lejuarën e të ndaluarën dhe merr njohuri mbi veprimtaritë e tij të përditshme.
Dijetarët e mëdhenj kanë përvetësuar përveç diturive të jashtme si Akaidi dhe Fikhu, edhe dituritë e brendshme si Tasavufi. Këta ishin dijetarët si Ebu Hanifja, Imam Shafiu, Imam Maliku, Ahmed b. Hanbeli dhe Sufjan Theuriu. Këta personalitete ishin njëkohësisht dijetarë dhe asketë. Ata me çdo dituri të tyren dëshiruan vetëm kënaqësinë e Allahut.
Ihjau Ulumi’d-Din
“Mësimi i shkencës së zemrave, duke njohur sëmundjet e saj si xhelozia, arroganca, krenaria dhe më pas braktisja e tyre është detyrim për çdo mysliman.”
Imam Xhelaludin Sujuti (r.a)
[1] Ibn-u Maxhe, Mukaddime 17.