Feja është këshillë
Zgjedhja e fesë me anë të vullnetit të lirë është një e drejtë e çdo qenieje njerëzore. Ajo, nuk na ofrohet neve me anë të rrugës së detyrimit apo të imponimit, por me atë të pëlqimit dhe zgjedhjes së lirë. Ai që e përkufizoi në mënyrë konçize të gjithë këtë sistem është pikërisht Profeti Muhamed (s.a.s), duke e quajtur fenë si këshillë. (Muslimi) Këto janë dy terma të barazvlefshëm, sipas konceptit që na ofron Profeti (a.s), sepse të dy kanë për synim përmirësimin e individit.
Këshilla është një fjalë që në thelbin e saj përmban mesazh të fortë, me anë të së cilit ne largohemi nga e keqja dhe afrohemi tek e mira. Ajo ka për qëllim përmirësimin e një sjelljeje tonën, duke e zëvendësuar me një tjetër më pozitive dhe duke na bërë kështu njerëz më të mirë.
Këshilluesit më të dalluar të njerëzimit padyshim që kanë qenë të dërguarit e Allahut. Ata nuk ishin dërguar për qëllim tjetër veçse si këshillues, përgëzues dhe qortues. Në Kuran, Zoti na tregon për Profetin Nuh (a.s), se ai iu drejtua popullit të tij kështu: “Unë ju sjell shpalljet e Zotit, ju këshilloj dhe di nga Allahu atë që ju nuk e dini”. (Araf, 7/62) Pas disa ajeteve shprehet rreth Profetit Hud (a.s) në këtë formë: “Unë ju sjell shpalljet e Zotit tim dhe jam këshillues besnik”. (Araf, 7/68)
Fjala nasihat e përkthyer në gjuhën shqipe do të thotë këshillë e sinqertë, që buron nga zemra e njeriut. As që nuk mund të mendohet një këshillë, që nuk buron prej zemrës dhe gjithashtu as nuk pritet ndonjë ndikim prej saj. Padyshim, që rolin e këshilltarit të mirëfilltë jo çdokush mund ta luajë, por megjithatë, shpeshherë ne e gjejmë veten në një pozicion të tillë. Por, çfarë duhet të ketë parasysh një njeri para se të këshillojë të tjerët?
Së pari, ai duhet të rregullojë qëllimin në zemrën e tij. Me këshillën të ketë për synim vetëm përmirësimin e tjetrit dhe jo t`i vëjë atij në dukje cilësinë apo sjelljen negative. Gjithashtu nuk duhet të ketë për qëllim të tregojë se sa i dijshëm është, por vetëm fitimin e kënaqësisë së Allahut.
Së dyti, këshillën duhet ta japin vetëm njerëzit që janë të dijshëm, specifikisht për atë që duan të këshillojnë. Këshilla mund të gjejë ndikim te tjetri, kur ajo shoqërohet me argumentet përkatëse dhe sqarimet e nevojshme. Një këshillë e dhënë pa dije, mund të rezultojë edhe negativisht.
Së treti, këshilla duhet dhënë në formë të butë dhe duke shfaqur gjendje dhembshurie. Butësia te fjalët dhe dhembshuria që ne ndiejmë, mund të kenë një ndikim të veçantë. Sado e keqe të jetë gjendja që ne duam të ndryshojmë, asnjëherë nuk duhet ta harrojmë porosinë kuranore ndaj dy profetëve, Musait dhe Harunit (a.s), të cilët po shkonin te Faraoni. “Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet”! (Taha, 20/44)
Së katërti, këshilla duhet dhënë në formë sa më private dhe jo në publik. Nëse jepet në publik, atëherë jepet në formë të përgjithësuar, pa përmendur emra konkretë. Imam Shafiu thotë: “Nëse e këshillon dikë në privatësi, ti e ke këshilluar atë, por nëse e këshillon në publik, ti veçse e ke nënçmuar atë njeri”.
Së pesti, duhet njohur gjendja dhe kapaciteti i personit që ka nevojë për këshillë. Edhe pse mund të synohet të largohet e njëjta sjellje, metodat që përdoren mund të jenë të ndyshme. Profeti (a.s) duke njohur gjendjen e njerëzve jepte këshilla të ndyshme, për atë që ata kishin më shumë nevojë. Dikujt i sugjeronte respektin ndaj prindërve, dikujt namazin e natës dhe dikujt tjetër dhënien e lëmoshës.
Së gjashti, këshilluesi duhet të jetë një shembull i denjë për t’u ndjekur nga të tjerët. Ai në radhë të parë duhet të ketë përmirësuar sa më mirë karakterin dhe sjelljen e tij. Gjërat që i këshillon duhet të jetë i pari që i kryen dhe është i pari, që dëgjon më së shumti këshilla prej të tjerëve. Atij duhet t’i kumbojë gjithnjë në vesh ajeti: “O besimtarë, përse i thoni ato që nuk i veproni”?! (Saf, 61/2)
Padyshim që përveç këtyre pikave mund të shtohen edhe të tjera si mirësjellja, kërkimi i lejes për të këshilluar, shmangia nga paragjykimet etj. Përçimi i këshillës është një mekanizëm i rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes së shoqërisë. Nuk duhet harruar, që njeriu përveç dhënies së këshillave duhet të jetë një dëgjues i mirë i tyre. Shpresojmë, që me anë të këshillës ne do të ecim më shpejt përpara dhe do të kemi më shumë sukses në jetët tona.