Allahu ekziston dhe është një
Nga Ali Zaimi
Njeriu duke vështruar gjithësinë dhe të gjitha qeniet e gjalla e jo të gjalla që ndodhen në gjithësi, e kupton se Allahu ekziston dhe se është një.
Njeriu mund ta kuptojë ekzistencën e Allahut dhe duke bërë një sërë shqyrtimesh edhe në botën e tij të brendshme, edhe në botën jashtë tij. Për shembull, duke vështruar rregullsinë në organet e veta, përsosmërinë e funksionimit të tyre, njeriu e kupton se kjo përsosmëri nuk mund të arrihet me fuqinë e qenieve të krijuara. Veçanërisht, duke vështruar rregullsinë në natyrë, njeriu e kupton se malet dhe detet, stinët, ditët dhe netët, dielli dhe hëna nuk mund të lëvizin në mënyrë të harmonishme vetvetiu. Njeriu I arsyeshëm e kupton se prania e ujit në përbërjen e gjallesave, se vënia në lëvizje e reve nga era dhe se e gjithë kjo rregullsi si, bie fjala, ringjallja e tokës së vdekur pas rënies së shiut nuk mund të ekzistojnë, të kryhen vetvetiu dhe, si përfundim I kësaj, arrin në pranimin e ekzistencës dhe njësisë së Allahut!
Gjithësia është një libër i mrekullueshëm që më së miri flet për Madhështinë dhe Përsosjen e Krijuesit të saj. Po ta lexosh me vëmendje këtë libër, në çdo faqe të tij gjen shenja, të cilat e dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme madhështinë e Allahut dhe atributet e larta të Tij. Sigurisht, mendja jonë nuk është në gjendje të depërtojë aq thellë, sa të arrijë ta bëjë zbulimin e të gjitha fshehtësive dhe sekreteve të Gjithësisë në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, por gjithsesi njeriu duhet të merret me studimin e saj për të përfituar në raport me aftësitë që Allahu I ka dhënë. ai e ka për detyrë t’i shfrytëzojë si duhet të gjitha mundësitë e veta për ta njohur Gjithësinë, për ta vënë në dukje në çdo hap Madhështinë e Allahut dhe për t’iu afruar sa më shumë Atij.
Faktikisht Feja Islame i drejtohet natyrës fillestare të njeriut dhe i kujton atij pohimin e besimit, dhënë para krijimit, në botën e shpirtrave sikurse përmendet në ajetin kuranor: “A nuk jam Zoti juaj? Ata thanë: Po, dëshmuam!” (Araf 7: 172)
Në Kur’an, Allahu, ekzistencën dhe njësinë e vetes ua parashtron kështu atyre që kanë arsye:
“Thuaj: “Allahu është një. Ai nuk ua ka nevojën të tjerëve, por të tjerët ia kanë nevojën Atij. As ka lindur e as është lindur. Dhe asgjë s’është e njëjtë me të!” (Ihlas: 1-4).
Me që Zoti e di se robtë, krijesat e Tij do të mendojnë se mund të ketë më shumë se një krijues, na e tërheq vëmendjen në këtë çështje dhe na sqaron kështu:
“Po qe se në tokë e në qiell do të kishte zota të tjerë veç Allahut, toka e qielli do të shkatërroheshin (El-Enbija: 22)
Edhe ne e besojmë ekzistencën e Allahut ashtu siç është bërë e ditur në Kur’an, I zbatojmë urdhrat e Tij dhe ruhemi prej gjerave të ndaluara prej Tij!
©URTESI.AL