Atributet e Allahut

Nga Ali Zaimi

Për ta njohur edhe më mirë Atë, Zoti ynë i madh bën fjalë në Kur’an për atributet e veta. Për t’i besuar Allahut ashtu siç duhet, duhet t’i njohim edhe atributet e Tij.

Shkalla e parë e intuitës së njohjes së Zotit është vështrimi dhe ndjerja e emrave ose atributeve hyjnore që na rrethojnë nga të katër anët.

Me që nuk mundemi ta njohim dhe ta mendojmë individualitetin dhe cilësinë e Allahut, e njohim atë me anë të emrave dhe atributeve dhe ashtu e besojmë. Lidhur me këtë çështje, në Kur’an urdhërohet:

“Shikimet nuk mund ta shohin Atë, por Ai i sheh shikimet. Ai i njeh mirë sendet dhe ka dijeni për gjithçka!” (Kur’ani, El-Ename 103).

Edhe Profeti ynë ka folur për këtë. Ai ka thënë: “Mendoni për krijesat e Allahut, por mos mendoni për personin e Allahut. Padyshim ju s’keni aspak fuqi për këtë!” (Axhluni, Keshfu’l – Hafa, I, 371).

Zoti është krejt tjetër nga gjërat që ka krijuar, nga e vërteta dhe relativiteti i tyre. Në këtë botë të kufizuar, njeriu mendon në mënyrë të kufizuar, sheh në mënyrë të kufizuar, dëgjon në mënyrë të kufizuar.

 Arsyeja njerëzore e ka të pamundur të depërtojë në thelbin e Allahut përmes të menduarit dhe meditimit, sepse forca e mendjes dhe e imagjinatës së njeriut është tejet e kufizuar. Tek dëgjojmë të trokitura në derë, ne e kuptojmë se përpara saj dikush qëndron, por nuk jemi në gjendje ta përfytyrojmë as pamjen e tij të jashtme, as natyrën që ai ka, aq më pak mund ta përfytyrojmë se ç’përfaqëson si njeri ai që troket në derë. Po ashtu ne e kemi të pamundur përcaktimin e asaj se ç’përfaqëson Allahu, as që mund të bëhet fjalë për të depërtuar në thelbin e qenies së Tij, ndonëse në thellësi të shpirtit tonë ne sinqerisht besojmë në qenien e Tij. Myslimanët mësojnë për Allahun nga Kurani dhe nga Suneti duke u njohur dhe me emrat që e lartësojnë Atë, me vetitë që e karakterizojnë Atë. Dhe Allahu është i pastruar nga çdo e metë, Ai nuk ka asnjë mangësi, për këtë arsye edhe emrat që Ai ka përmbajnë të ngërthyera brenda vetes veti nga më të përsosurat e më të lartësuarat.

Gjithësia është mijra gjuhë dhe mijra akorde që na e kujtojnë këtë. Kur’ani, me gjuhën e tij oratorike, është përkujtuesi më i madh, kurse Profeti ynë – kumtuesi më i shkëlqyer i kësaj!

  1. Atributet individuale (dhati)
  2. Atributet qenësore (thubuti)

 

  1. Atributet individuale

Këto janë atribute të posaçme vetëm për individualitetin e Zotit dhe nuk ndodhen te asnjë qenie e krijuar. Atributet individuale të Zotit janë gjashtë:

  1. Ekzistencë (vuxhud). Zoti ekziston, është i gjallë. Lidhur me këtë në Kur’an thuhet: “….Ai është i gjallë…”
  2. Paraqënie (kidem). Zoti është i paraqenë, ekzistenca e Tij nuk ka fillim. Për ekzistencën e Zotit nuk mund të mendohet një fillim. Sado të kthehemi pas në kohë, nuk mund të mendohet një pikë kohore kur Zoti të mos ketë ekzistuar. Në kur’an kjo e vërtetë përcaktohet kështu: “Ai është i parë (ekziston para ç’do gjëje tjetër)…”
  3. Pasqënie (beka). Zoti është, gjithashtu, i pasqënë, I përhershëm. Ekzistenca e Tij nuk ka fund. Ashtu si ekzistenca e Tij nuk ka fillim, nuk ka as fund. Në Kur’an thuhet: “Ç’do gjë që ndodhet mbi tokë, është e përkohshme, kalimtare, e asgjesueshme. Vetëm ekzistenca e Zotit tënd të lartë e bujar është e përhershme!” (Kur’an Er-Rrahman: 26-27).

ç.   Njësi (vahdanjjet). Zoti është një i vetëm. Nuk ka Krijues tjetër veç Zotit. Po të    kishte, kjo rregullsi madhështore që shohim në gjithësi, nuk do të ishte. Do të shfaqej pa përputhshmëria e gjërave dhe parregullsia. Të vërtetën se Zoti është një I vetëm e mësojmë nga libri ynë, Kur’ani, dhe e kuptojmë nga rregullsia në gjithësi. Kështu, në Kur’an urdhërohet: “Thuaj: Allahu është një. Ai nuk ka nevojë për asgjë. As ka lindur, as është i lindur. Asgjë nuk është e njëvlerëshme me Të!” (Kur’an El-Ihlas 1-4).

  1. Pangjashmëri me krijesat (muhalefetun li’l havadith). Qenia e Zotit, në tërësinë e vet, është krejt e kundërta e qenieve të paskrijuara, domethënë të krijuara në një pikë kohore të caktuar e që kanë për t’u asgjësuar në një pikë kohore të caktuar. Zoti është i ndryshëm prej qenieve të krijuara. Në Kur’an thuhet: “Nuk ka gjë që t’I përngjasë Atij. Ai dëgjon dhe sheh!” (Kur’ani Esh-Shura: 11).
  2. Qenie në vetvete (kijam binefsihi). Qenia, ekzistenca e Zotit është nga vetvetja dhe në vetvete. Prandaj është i përplotësuar, kështu që nuk ia ka nevojën asnjë qenieje.

Në Kur’an thuhet: “Allahu është i tillë që nuk ka krijues tjetër veç Tij, është i gjallë, mbikëqyrës i përhershëm mbi krijesat e Tij dhe që nuk ka nevojë për asgjë!” (Kur’ani, Ali Imran 2).

  1. Atributet qenësore

Këto atribute që ndryshe quhen edhe pozitive, ndodhen në mënyrë të kufizuar edhe tek krijesat. Ato ndodhen edhe te njeriu. Megjithatë, ato nuk mund të përqasen me të njëjtat atribute të Zotit, sepse atributet e Zotit janë të pakufizuara, kurse të njeriut, të kufizuara. Atributet qenësore mund t’i përmbledhim kështu:

  1. Jetë (hajat). Zoti është i gjallë. Ky atribut ekziston pa fillim e pa fund te Zoti. Në Kur’an bëhet e ditur se Allahu është i gjallë: “…që i beson dhe mbështetet te Allahu i pavdekshëm dhe gjithmonë i gjallë…”.
  2. Dituri (Ilm). Zoti di gjithçka. Dituria e Zotit është e pakufishme dhe e pafundme. Me diturinë e Tij, Zoti njeh gjendjen e të gjitha qenieve. Zoti njeh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ai njeh të fshehtën si dhe atë që është dhe duket sheshit.

Në Kur’an thuhet: “…Ai di gjithçka që ndodhet në tokë e në det. Jashtë dijes   së Tij asnjë gjeth nuk bie….”  (Kur’ani, El-En’am: 59)

  1. Vullnet (irade). Zoti dëshiron dhe ç’do gjë që dëshiron Ai, bëhet në çast. Ai thotë vetëm “Bëhu!” dhe bëhet. Gjithashtu, gjeja që s’dëshiron Zoti, s’bëhet. Ç’do gjë ndodh dhe përfshihet në vullnetin e Tij.

Në Kur’an thuhet: “Kur Ne dëshirojmë diçka, vetëm themi “Bëhu!” dhe ajo menjëherë bëhet” (-Nahl: 40).

ç.  Fuqi (kudret). Zoti ka fuqi për ç’do gjë. Ai është i fuqishëm. Ai s’ka nevojë për  mbështetjen e dikujt apo diçkaje tjetër. Zoti ka fuqi të pafundme. Në Kur’an thuhet: “…Pa dyshim, Allahu ka mundësi për të bërë ç’do gjë, ka fuqi për ç’do gjë!” (Bekare: 20).

  1. Dëgjim (semi). Zoti dëgjon. Fuqia e Zotit për të dëgjuar është e pakufizuar. Ai dëgjon dhe kupton për ç’do çast dhe në tërë gjithësinë se ç’thonë krijesat e Tij. Për të dëgjuar, Zoti s’ka nevojë për ndonjë organ. Në Kur’an thuhet: “…Dijeni se Allahu dëgjon dhe di!” (Bekare 244).
  2. Shikim (basar). Zoti sheh. Edhe shikimi i Zotit është i pakufizuar. Ai sheh atë që është larg, afër, i fshehur e i dukshëm. Në Kur’an thuhet: “… Allahu sheh saktë ato që bëni!” (Enfal: 72)
  3. Fjalë (kelam). Zoti flet. Për të folur, Zoti s’ka nevojë për mjete të tilla si gjuha, tingulli, zëri, etj. Allahu i Lartë, me disa prej Profetëve ka folur. Ai ka folur me profetin Muhamed (a.s.) natën e miraxhit, me profetin Musa, në malin Sina. Lidhur me këtë, në Kur’an thuhet: “… Allahu vërtet foli me Musanë!” (Nisa: 164).
  4. Krijim (tekvin). Zoti krijon. Ai krijon diçka nga hiçi. Me dijen dhe fuqinë e Tij të pafundme Zoti ka krijuar gjithësinë dhe të gjitha qeniet që ndodhen në gjithësi. Për të krijuar, Atij s’i nevojitet asgjë. Akte të tilla si krijimi, plotësimi I nevojave të krijesave, vdekja, ngjallja (ringjallja), falja, dhënia e dhuntive kryhen si rrjedhojë e domosdoshme e atributit “krijim” të Zotit. Lidhur me këtë atribut, në Kur’an thuhet: “Allahu I krijon krijesat së pari, pastaj, pas vdekjes, i ringjall. Më në fund, te Ai do të ktheheni!” (Rrum: 11).

©URTESI.AL

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: