Haxhi, një udhëtim shpirtëror!
“Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër pos xhenetit”. (Profeti Muhamed a.s.)
Në kuptimin më të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë përtej atij metafizik, haxhi është vizita që kryhet në Qabe dhe në vendet e bekuara përreth saj, me qëllim përmbushjen e një adhurimi fetar, në një interval të caktuar kohor.
Ndërsa në kuptimin shpirtëror e metafizik ai është shumë më i gjerë e shumëdimensional, përmes të cilit njeriu arrin kulmin e përkushtimit, sakrificës dhe devotshmërisë.
Ky udhëtim e pastron egon e njeriut prej mëkateve, e bën atë të dëlirë, e pajis me një kthjelltësi besimi, i çel dyert e një jete të re, përforcon jetën shpirtërore, konsolidon besimin që ai ndien kundrejt mëshirës dhe faljes hyjnore, ndihmon në ripërtëritjen e besës së dhënë Allahut, çon drejt asaj pendese të fuqishme që nuk shkelet lehtë, pastron krejtësisht shpirtin duke rafinuar ndjenjat dhe thuajse i jep krahë atij.
Vizita e vendeve të shenjta, bindshmëria dhe përgjigja ndaj thirrjes së Allahut Mëshirues për të qenë atje, është pjesë e pandarë e kornizës së të qenit mysliman, është kulmimi i përkushtimit fizik dhe shpirtëror i krijesës ndaj Krijuesit.
Haxhi është momenti kur njerëzit e bindur dhe respektues të Allahut Mëshirëplotë i përgjigjen Atij në një kor të përbërë prej gjuhësh mikse dhe në sfondin e një mozaiku racash dhe kombesh të ndryshme, me fjalët Lebejk Allahume Lebejk “Ju përgjigjja thirrjes tënde o Allah, ju përgjigjja”.
Kjo dëshmon unitetin e myslimanëve, njerëzve të besimit e të bindjes ndaj Zotit, dëshmon pandashmërinë dhe praktikimin e këtij besimi në çdo cep të globit në gjurmët e pahumbura të Krenarisë së Njerëzimit, Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të.
Rituali i haxhit shpreh një akt adhurimi të shkallës më të lartë të mundshme. Ai është çelësi që u hap pelegrinëve shumë dyer të prezantimit të mbretërisë universale. Ai paraqet horizontet e Madhështisë Hyjnore, të cilat ne nuk arrijmë t’i shohim ndryshe. Një pelegrin bëhet dëshmitar për faktin se cilësitë tokësore si raca, prejardhja, statusi, bukuria dhe rinia nuk janë asgjë tjetër përveçse emërtime të përkohshme, të destinuar të humbasin.
Një udhëtim që të çon një hap më pranë Krijuesit tënd. Një hap pranë parajsës së shumëdëshiruar. Një udhëtim shpirtëror, përtej çdo dimensioni e kufiri, një udhëtim drejt pavdekshmërisë, drejt madhështisë së pafundme të të Plotfuqishmit.
Jehona e thirrjes së miliona myslimanëve nga e gjithë bota, përshkon kupolën qiellore, shpërthen dyert e qiellit e shkon te i madhi Zot. Sytë e tyre shkëlqejnë, fytyrat shndrisin nga nuri qiellor, zemrat rrahin fort e shpirtrat “ngjiten” lart drejt mëshirës së Tij.
Haxhi e bën njeriun të përjetojë një panoramë që i përket parajsës dhe i shfaq të vërtetën se në këtë botë ai s’është gjë tjetër veçse një vizitor i përkohshëm. Barazia dhe ngjashmëria universale është bashkudhëtar e palëkundur në këtë rrugëtim shpirtëror.
“Nxitoni të shkoni në haxh, sepse askush prej jush nuk mund ta dijë se kur do t’i vijë vdekja.” (Profeti Muhamed a.s.)