Lutja, rruga për të biseduar me Zotin

Rruga për të komunikuar me Zotin është lutja. Njeriu kërkon qetësinë shpirtërore përmes lutjes dhe pendimit. Në Islam lutja është adhurim dhe manifestohet në dy forma. Lutja individuale me vullnet të lirë në çdo kohë dhe në çdo moment, e njohur ndryshe si duà dhe lutja e urdhëruar e cila realizohet përmes ritualit të faljes, i njohur si namaz.

Duà-ja, në aspektin gjuhësor vjen herë në kuptimin e kërkimit të ndihmës e adhurimit e herë në kuptimin e lutjes. Në aspektin njerëzor, lutja është kërkesë. Çdo nevojë morale e materiale, ne e kërkojmë prej Zotit. Kjo lutje mund të jetë me fjalë, mund të jetë me gjendje, mund të jetë edhe thjesht me zemër.

Ajo realizohet nga njeriu në çdo kohë dhe çdo vend dhe në çdo gjendje fizike apo pozicion qëndrimi, si: ulur, në këmbë, duke ecur, me zë, nën vete e në heshtje. Allahu i Cili i është njeriut më afër se damari i qafës, në çdo moment dëgjon lutjet me zë apo pa zë, të fshehta apo haptazi.

Përmes saj njeriu i kërkon Zotit të tij qetësi shpirtërore, i kërkon lehtësim nga problemet e kësaj bote, i kërkon mëshirë për gabimet e tij, i kërkon falje, i kërkon për këtë botë dhe botën tjetër sepse Zoti i tij i ka premtuar: “Lutmuni mua se do t’ju përgjigjem…”

Lutja është një lidhje dhe marrëdhënie e fortë mes robit e Zotit dhe një ndër cilësitë e Zotit është dhe El-Muxhibu (Lutje pranuesi).

Gjithë çka njeriu kërkon e që nuk arrin ta plotësojë me mundësitë e fuqitë e veta, ia kërkon Krijuesit me anë të lutjes.

Për besimtarët jeta nuk mund të mendohet pa lutjen, sepse jeta vetë është një lutje, nga lindja në vdekje.

Krenaria e Njerëzimit, Profeti Muhamed ka thënë se “Lutja është vetë adhurimi”, kjo pasi teksa i lutesh Zotit, ti ndjen nevojën që ke për Të. Teksa i lutesh Zotit, ti i je përulur dhe nënshtruar vetëm Atij.

Andaj, në çastet kur ke arritur përkushtimin maksimal ndaj Zotit, lute Atë sa më shumë, pasi janë çaste kur të pranohet lutja.

Është e pamundur të përcaktohet se kur ajo nis e kur mbaron, ndoshta nuk ekziston një përkufizim i tillë përsa i përket lutjes, përsa kohë që nuk ekziston asnjë moment, gjatë të cilit njeriu nuk ia ndjen nevojën lutjes.

Ndaj edhe njeriu, që për asnjë çast nuk ndodhet jashtë ndikimit të Pushtetit Hyjnor, nuk duhet të ndahet asnjëherë nga lutja sepse në derën e Zotit mund të arrihet veç me anë të lutjes. Në atë derë mund të hysh me lutje dhe lutja është ajo që tërheq mëshirën mbi ne.

Ai që na ka krijuar bashkë me dëshirën për të kërkuar, Ai na mëson edhe si të kërkojmë me anë të atyre lutjeve. Padyshim që lutjet më të bukura e më të ndjeshme, Allahu ia ka mësuar profetit të Vet. Shpeshherë lutja del nga zemra drejtpërdrejt, vetëm si një ndjenjë, në formën e një dëshire të zjarrtë a të një pasioni. Në këtë rast njeriu nuk përdor asnjë fjalë. Ndoshta as buzët nuk i lëviz, po ai është aq i ndërgjegjshëm se Allahu e di gjendjen e tij dhe atë që do zemra e tij më së miri, dhe lë gjithçka në dorë të Tij, kështu dhe i gjen përmbushje për kërkesat e lutjet që ka.

Ashtu si në rastin, Kur profetin Ibrahim po e hidhnin në zjarr, në çastin kur çdo shkak hesht, çdo mundësi është e pamundur, urdhri hyjnor i bëhet atij burim shpëtimi në një formë të tillë, që askush nuk e priste: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” (Enbija 21/69). Dhe zjarri u ftoh.

Përcjellja me gjuhë e me fjalë e ndjenjave të zemrës drejt Zotit, është një tjetër formë e lutjes. Në këtë formë, robi paraqet veç gjendjen e tij, nuk kërkon diçka specifike. Ndonjëherë, ai mund të shprehë edhe gjendjen në të cilën ndodhet, edhe atë çfarë kërkon.

Në Kur’an jepet shembulli i të dy formave të kësaj lutjeje, si lutje profetësh. Si shembull i formës së parë, janë lutja e profetit Ejjub (a.s.): “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” (Enbija 21/83) dhe lutja e profetit Junus (a.s.): “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (Enbija 21/87).

Kurse shembull i formës së dytë është lutja e profetit Zekerija (a.s.), i cili i lutet Zotit kështu: “Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!” (Ali Imran, 3/38).

Lutja është një fjalë që përsëritet e përsëritet e nuk ndahet nga buza e tij, përgjërimi e thirrja e shpirtit të tij, që nuk reshtte asnjë çast.

Çfarë tjetër bën njeriu në jetë, përveç adhurimit? Ha e pi, shtrihet e ngrihet, qesh e qan, gëzohet e hidhërohet, martohet, bëhet me fëmijë… vesh rroba të reja, niset për udhëtim ose kthehet nga udhëtimi, lufton, përpiqet, kthehet nga beteja, merr një lajm të mirë a të hidhur… takon një mik të dashur, sëmuret, shërohet… fle, shikon një ëndërr të bukur ose një ëndërr të frikshme, bashkë me këto bën edhe qindra gjëra të tjera, gjendet edhe në sa e sa situata të tjera. Ja, profeti, në të gjitha këto situata, gjatë gjithë këtyre veprimeve, thotë nga një lutje të posaçme për atë situatë, duke lartësuar qenien e tij njerëzore dhe duke e bërë thuajse një me engjëj.

Përveç këtyre, ka edhe plot ngjarje që përjetohen jashtë njeriut, që i interesojnë atij në mënyrë indirekte. Për shembull thatësira, eklipset, zjarri, përmbytjet, stuhitë e fatkeqësitë e tjera natyrore, të cilat edhe nëse nuk e dëmtojnë njeriun drejtpërsëdrejti, në një farë mënyre e ndikojnë atë. Edhe në këto raste, profeti lexon lutjet e posaçme, që edhe të formohet shpirti i përbashkët i shoqërisë, edhe njerëzit t’i drejtohen Zotit në çdo situatë.

Në Kur’an në qindra ajete dhe në qindra e qindra hadithe të Përcjella nga profeti, theksohet rëndësia e lutjeve dhe paraqiten qindra lutje që u këshillohet besimtarëve t’i bëjnë në çdo etapë të jetës.

© URTESI.AL

 

 

 

Postime të ngashme