Zemra që qajnë dhe përgjërohen për umetin e Profetit Muhamed s.a.s.

Çdokush mund të lutet edhe për familjen ose për të afërmit e tij të tjerë teksa gjendet në këto vende të bekuara dhe brenda këtyre çasteve të shenjta të kohës. Megjithëse, në ditët e sotme, gjendja e përgjithshme e umetit të Profetit Muhamed (s.a.s.) është shumë më e rëndësishme se sa gjendja jonë personale. Gjendja e mjerueshme e gjeografisë islame është e dukshme qartë. Gjatë gjithë historisë së Islamit, nuk kemi qenë asnjëherë kaq të dobët. Nuk kemi fuqi as për të qëndruar mbi këmbët tona, por vetëm me ato që na kanë vënë njerëzit e tjerë përposhtë, të cilat nuk e dimë as se përse na i kanë vënë. Ndonjëherë këto mbështetje na hiqen fare, e ne sakaq ngelemi të varur në ajër, si në fill të perit. Bediuzaman Said Nursiu, i tronditur jashtë mase nga gjendja e mjerueshme e botës islame, shprehej se mendimi për problemet e botës islame nuk e kishte lënë asnjëherë të mendonte për veten. Prandaj, atyre që u bie për pjesë mundësia ta kryejnë detyrën e haxhit, kur ta shohin Qaben, të nisin e të luten për botën islame, gjersa zemrat t’u plasin: “O Zot, fali paqe umetit të Profetit Muhamed! O Zot, mëshiroje umetin e Profetit Muhamed! O Zot, fale umetin e Profetit Muhamed! O Zot, bëjua myslimanëve të mundur që të mund ta mbledhin veten e të vijnë në një gjendje të pëlqyeshme! O Zot, tregoju myslimanëve rrugëdaljet për në një rilindje!” Edhe kur të ecin për në Mina, edhe kur ta gdhijnë atje, ta vendosin fytyrën në sexhde, dhe të përsërisin të njëjtat lutje për umetin e Profetit Muhamed (s.a.s.). Sepse vetë Mina është një vend i bekuar, që ka shumë veçori të vyera. Mendoni, që Profeti ynë i Dashur e ka gjetur atje përgjigjen që e kërkonte prej njerëzve në Mekë apo në shumë vende të tjera. Vetëm atje qe mirëpritur. A nuk është kjo një shenjë se ai është një vend ku mund ta ndjesh veten të mirëpritur? Ja, pikërisht, në një vend të tillë, ku drejtimi i Allahut kah teje është më i mundur, edhe ne do të mendojmë se do të mirëpritemi më lehtë, andaj t’i hapim duart dhe duhet të lutemi: “O Zot, drejtoja belin e përkulur umetit të Profetit Muhamed (s.a.s.)! Bëja të mundur orvatjen e tyre për t’u rigjallëruar edhe njëherë!”

Teksa ecin drejt Arafatit, besimtarët duhet të jenë të vetëdijshëm se janë duke ecur drejt një vendi shumë të rëndësishëm. Kushedi, ndoshta ai mund të jetë vendi ku gjendesh më pranë Allahut. Ndoshta edhe ata që nuk janë ende në një lartësi të konsiderueshme, mund të shijojnë njëfarë afërsie që ndjehet shpirtërisht. Patjetër, atje Allahu ndoshta u fal njerëzve mirësi më të mëdha prej visareve të Tij të pafundme. Prandaj, duke qenë në një vend kaq të afërt, duhet të lutet me një tjetër ndjesi, t’i përgjërohet Allahut më përshpirtshëm për gjendjen e umetit të Profetit Muhamed (s.a.s.). Nuk duhet ta harxhojë kohën duke ngrënë apo duke pirë; ndoshta duhet të hedhë në gojë diçka për të ngrënë dhe për të pirë, aq sa të mos i bjerë të fikët gjatë ditës, derisa në muzg të mos i ketë ngelur asnjë sekondë, asnjë grimë-çast pa u lutur, pa u përgjëruar karshi bujarisë së pakufishme të Allahut (xh.sh.). Dua ta përmend edhe njëherë, se nuk kurrfarë gabimi nëse dikush zë e lutet për të afërmit e tij, vetëm se është shumë e rëndësishme për shpirtin e sakrificës dhe qashtërsisë që të lutemi: “O Zot, e shumëzova veten me zero. I vura kryqin vetes. E kam kthyer vështrimin vetëm kah umeti Muhamed. Veç për ta po mendoj, dhe veç për ta po të lutem.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: