Në Arafat, aq sa edhe zemrat të plasin
Vendet e shenjta duhet të vlerësohen mjaft mirë për t’ia paraqitur lutjet dhe vështirësitë tona Allahut. Atje duhet të ndjejmë të gjitha emocionet e veçanta si zemër e umetit të Profetit Muhamed (s.a.s.), e mandej të mundohemi që t’ia rrëfejmë dhe të tjerëve atë emocion. Çasti kur fillon të duket Qabeja është një çast i veçantë dhe i magjishëm kur pranohen lutjet. Andaj, një çast i tillë duhet përdorur sa më mirë për t’iu lutur Allahut (xh.sh.). Po ashtu, kur shkon në Mina, çdo besimtar duhet ta shohë kalimin për në Arafat si një urë të parë të pastrimit, dhe pa lejuar asnjë sekondë që t’i kalojë kot, duhet të mundohet që t’ia zbrazë gjithë ndjesitë e tij Allahut, deri në imtësitë më të vogla.
Kur të mbërrijnë në Arafat, siç shprehen njerëzit e së vërtetës, Allahu, lutjet e bëra atje – megjithëse shprehja me përqindje mund të mos jetë e drejtë, por le ta përdorim për të shprehur mundësinë e madhe të pranimit të lutjeve, me nëntëdhjetë përqind – i pranon. Madje mund të themi, se Allahu për nder të njerëzve që i janë drejtuar atje me gjithë zemër, mund të pranojë edhe lutjet e atyre që ndoshta nuk e meritojnë të përfitojnë prej një mirësie të tillë.
Ashtu siç e dini të gjithë, Profeti ynë i Shtrenjtë (paqja qoftë mbi Të), është lutur veç për umetin e Tij në Arafat. Është përpëlitur së përgjëruari që të pranohet edhe falja e mëkatit të shkeljes së të drejtës së të tjerëve. Sipas një transmetimi thuhet se kjo lutje nuk u pranua për një arsye të caktuar. Vetëm se Profeti i Mëshirës dhe Dhembshurisë (s.a.s.), kur vinte, ashtu zemërthyer dhe i pikëlluar në Muzdelife, i hapte edhe atje duart dhe ia niste të lutej deri në agim, pa fjetur fare, për umetin e Tij. Ibni Abasi (r.a.), na transmeton se ka qenë bashkë me Të Dërguarin e Allahut (xh.sh.) në ato çaste, gjithashtu tregon se si Ai ka buzëqeshur drejt përfundimit të lutjes, duke na folur për mundësinë që ajo buzëqeshje të ishte një shenjë e pranimit të kësaj lutjeje. Sa shumë do kjo zemra ime që të ishte ashtu! Sepse ajo mund të konsiderohet edhe si shpëtimtarja jonë në njëfarë mënyre.
Po, Qabeja, Mina, Arafati dhe Muzdelife janë si nga një dritare më vete, të hapura që ne të mund t’i drejtohemi Allahut më drejtpërsëdrejti. Allahu nuk i kthen kurrsesi duarbosh ata që i drejtohen Atij në ato vende, për t’i kërkuar diçka. Fillimisht çdokush duhet ta besojë këtë deri në thellësi të zemrës. Zaten, a nuk është Profeti i profetëve Ai që na garanton se lutjet tona do të pranohen, duke na këshilluar që të lutemi sa më shumë? Prandaj, ne duhet të lutemi me një ndjesi sikur barku do të na çahet dhe zemrat do të na plasin, e jo me një shprehje: “Të lutem unë njëherë, pa pastaj të ndodhë ç’të ndodhë!”, por me mendimin: “O Zot, erdha në shpresën Tënde! O Zot, vetëm në madhështinë Tënde mund të gjej shpëtim unë! O Zot, po kridhem në thellësinë e mëshirës Sate! O Zot, të përgjërohem, mos më lër mua vetëm për vetëm me shëmtitë e mia! O Zot, erdha këtu që Ti të më pastrosh! Të lutem, pastromë mua, o Zot!”