Të mos turpërojmë askënd!

Sipas një hadithi që kalon te Tirmidhiu, Profeti Muhamed (s.a.s) thotë kështu: “Kush e turpëron (gjykon) vëllain e tij për shkak të një gabimi apo gjynahu që ka bërë, Allahu nuk ia merr shpirtin pa e kryer edhe vetë të njëjtin gjynah”.

Në hadithin e mësipërm, tregohet se kush e turpëron vëllain e tij për një gjynah që e ka kryer ose nuk e ka kryer, nuk do të vdesë pa e kryer vetë të njëjtin gjynah. Si rezultat i gjykimit, apo fajësimit të një gjynahu, mund të ndodhë që të përjetojë një problem një person i afërm i familjes, qoftë ky, djali, vajza, bashkëshortja etj. Domethënë, Allahu ndonjëherë bën që ta vuajë vetë personi dënimin, ndonjëherë lëshon vuajtje për pjestarët e tjerë të familjes. Në shumicën e rastëve personi mund të dalë prej situatës së krijuar nga problemet e ndryshme, por kur bëhet fjalë për njerëzit e afërm, kjo gjë bëhet më e vështirë për të.

Vuajtja në këtë botë mund të jetë edhe si dëmshpërblim për gjynahet e atij personi duke e shpëtuar nga dënimi në Ahiret. Por ndonjëherë ndodh që gjynahu mund të jetë aq i madh saqë nuk mjaftojnë vuajtjet e kësaj botë për ta pastruar nga ai gjynah. Për shembull, përdhosja e të drejtave, shkelja e të drejtave të njeriut, kërcënimi i sigurisë së jetës dhe pasurisë, tallja me nderin, shirku, kufri, hipokrizia etj., padyshim që një person që ka kryer këto krime, do të përballet me dënimin e rëndë të Ahiretit.

Asnjëherë nuk mund ta dimë urtësinë e këtyre ndodhive. Allahu ndonjëherë na e jep dënimin në këtë botë, ndonjëherë e lë për në botën tjetër. Nëse nuk duam të përjetojmë një turpërim të tillë as në këtë botë, as në Ahiret, duhet t’i dalim për zot gjuhës fillimisht ndaj besimtarëve dhe pastaj ndaj të gjithë njerëzve, saqë duhet t’i rishikojmë mendimet tona ndaj tyre.

Në një hadith tjetër profeti Muhammed (a.s.) thotë: “Kush më garanton mua atë që ka mes dhëmbëve dhe mes këmbëve unë i siguroj atij xhenetin.”

Nga ky aspekt gjuha është shumë e rëndësishme, në fillim ta mbash mbyllur gojën është shumë e lehtë. Por pasi fillon të flasësh, është shumë e vështirë t’i mbledhësh e t’i riparosh gjërat të cilat i ke thyer. Më e thjeshta e cila është përtej gabimit ose gjynahut të bërë, kur i hyjmë në hak një personi, ajo që duhet të bëjmë është t’i kërkojmë atij hallallin. Në të kundërt do të shkojmë në Ahiret me barrën e këtij gjynahu.

Edhe kur gjendemi në rrethana për të treguar një ngjarje, duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pa i shkelur kufijtë. Duhet t’i përzgjedhim aq shumë fjalët në mënyrë që askush të mos pësojë dëme apo të preket nga fjalët tona. Por, nëse gjatë shpjegimeve tona themi filani e bëri kështu e bëri ashtu, për faj të tij na ndodhën gjithë këto gjëra, atëherë të jemi të sigurtë që kemi marrë në qafë shumë shpirtra, kemi bërë një bisedë të ngritur mbi themelet e keqpandehmës dhe si rrjedhojë, jemi bërë pjesë e ngarkesave shumë të mëdha gjynahesh.

Profeti (a.s.) nëpërmjet hadithit të mësipërm na tregon se Allahu do të na dënojë edhe neve duke kryer të njëjtin gjynah që kemi gjykuar, apo përgojuar. Po nëse personat janë të pafajshëm për ato gjëra që akuzohen? Dëmi është akoma edhe më i madh në rastin ku akuzohen njerëz pa të drejtë, tërësisht të pafajshëm. Në rast se akuzohen grupe njerëzish, atëherë duhet t’u merret hallalli secilit prej individëve që janë pjesë e atij grupi. Nuk bëhet fjalë që lojëra të tilla kaq të ulëta, që janë të barasvlefshme me mohimin, të mund t’i bëjnë besimtarët.

Besimtari, ashtu siç tregohet i kujdesshëm në ruajtjen e nderit të vet, po aq i kujdesshëm dhe i ndjeshëm duhet të tregohet edhe ndaj nderit të të tjerëve. Ai nuk duhet të cënojë as me dorë e as me fjalë askënd, madje jo vetëm kjo, por edhe mendimet e ndotura duhet t’i mveshë me mendime të bukura dhe këtë gjë duhet ta bëjë pjesë të natyrës së tij. Nga vetë fjala mumin- besimtar, të gjithë njerëzit përreth duhet të ndihen të sigurtë. Një besimtar i vërtetë duhet të premtojë aq shumë siguri, saqë askush të mos ndihet i cënuar se mund t’i ndodhë diçka prej tij, madje, edhe nëse i bën vetë atij një të keqe, e di shumë mirë që ai nuk do t’i kthehet me të njëjtën mënyrë.

Është shumë e rëndësishme që disa sjellje të bëhen pjesë e karakterit të njeriut. Gjithsecili ka një karakter të vetin që nga lindja. Por, të bashkëngjitur me të, ka edhe karakterin e fituar me njohjen e Islamit. E pra, një mysliman që përfaqëson karakterin e Islamit, sjelljet që ia kërkon morali i bukur i kësaj feje, duhet t’i veprojë shumë natyrshëm, pa u vështirësuar fare. Nëse një njeri është ngjyrosur me moralin e Islamit, atëherë kundrejt çdo të keqeje ai nuk lëshon pe nga karakteri i tij dhe asnjëherë nuk reagon në të njëjtën formë, përkundrazi.

Por nëse nuk e kemi bërë pjesë tonën një moral të tillë, do të vështirësohemi në shumë aspekte dhe nuk do të arrijmë gjithmonë të tregojmë një vendosmëri të tillë. Në momentin e parë kur do të na preket damari, atëherë do t’i nxjerrim kthetrat menjëherë duke i lënë me gojë hapur njerëzit nga sjelljet tona. Prandaj është shumë e rëndësishme që vazhdimisht duke bërë praktikë, ta bëjmë pjesë të karakterit tonë një sjellje të tillë.

 

Postime të ngashme