ZEKATI NË XEHERORË DHE PASURI TË FSHEHUR NË TOKË

Me grupet e fjalëve “zekati në xeherorë” dhe “ zekati në pasurinë nëntokësore” nënkuptojmë pasurinë e cila gjendet në tokë dhe nuk dihet pronari i saj. Në të përfshihet çdo pasuri nëntokësore, si p.sh. hekuri, bakri, nafta etj. Këtu kemi të bëjmë me pasurinë të cilën e ka krijuar Allahu xh.sh. në tokë.

Nga llojet e pasurisë së fshehur në tokë kemi edhe një lloj pasurie të fshehur nga njerëzit, e cila quhet “rekkaz. Pasuri “rekkaz” quhet ai thesar i gjetur në tokë, i cili përmban simptoma joislame, pavarësisht se bëhet fjalë për ar apo argjend.

Sipas juristëve myslimanë, personi i cili e gjen pasurinë “rekkaz” në tokën e cila është pronë e askujt, detyrohet të japë zekat 20 %, pra do të thotë 1/5 e saj, pavarësisht se plotësohet apo nuk plotësohet nisabi i zekatit, kurse pasuria tjetër i ngel atij. Ky zekat i jepet arkës shtetërore të myslimanëve (Bejtul Mal). Nëse pasuria e gjetur në tokë ka shenja të Islamit, të ketë ndonjë emër të ndonjë udhëheqësi islam, apo në të ka deklarimin e besimit (Shehadetin), atëherë ajo pasuri e deklarohet dhe duhet të ruhet një vit, e pastaj mund të ndahet si lëmoshë. Në rastin kur personi e shfrytëzon atë për interesat e veta, ai njehsohet si pronari i saj, prandaj duhet ta kompensojë atë.

Argumenti, i cili flet për dhënien e zekatit të pasurisë së gjetur nëntokësore, është hadithi i Profetit a.s.:

فِي الرَّكَازِ الخُمُسُ

Për pasurinë e gjetur në brendësi të tokës, jepet zekat 1/5.” (Buhariu)

 Po ashtu edhe hadithi i Profetit a.s., i cili, kur është pyetur për pasurinë e gjetur, ka thënë: “Pasuria e cila është gjetur në rrugë kalimtare ose në ndonjë vendbanim, një vit duhet të reklamohet dhe të lajmërohet, nëse paraqitet pronari i kthehet e nëse jo, atëherë është e jotja. Nëse ajo pasuri është gjetur në rrugë jokalimtare ose jashtë vendbanimit, për atë pasuri jepet zekat 1/5.”

Zekati në xeherorë

Sipas mendimit të dijetarëve të shkollës juridike Hanefi, xeherorët nëntokësore ndahen në tri lloje:

  1. Xeherorët që janë të ngurtë, të cilët përpunohen, shkrihen dhe përsëri ngurtësohen, siç janë ari, argjendi, bakri, plumbi etj. Për këto lloj xeherorësh jepet zekat 20% ose 1/5 e vlerës së saj, pa marrë parasysh sa është sasia, plotësohet apo nuk plotësohet nisabi dhe nuk kushtëzohet që të kalojë viti. Për këtë argumenton ajeti Kur’anor që thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَنْفِقُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا كَسَبْتُمْ وَ مِمَّا أَخْرَجْنَا لَكُمْ مِنَ الأَرْضِ

O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që fituat dhe nga ajo që jua dhamë prej toke.” (Bekare: 267)

  1. Pasuri e ngurtë që nuk shkrihet, siç është gipsi, zinku, qymyrguri, gëlqerja etj. Për këtë lloj pasurie, nëse nuk është nxjerrë për tregti, nuk jepet fare zekat, e nëse është nxjerrë për tregti, atëherë zekati i saj është 2.5 %.
  2. Pasuria, e cila është në gjendje të lëngët dhe që nuk pranon ngurtësimin, si p.sh. nafta, gazi, etj. Edhe për këtë pasuri nuk jepet zekat, nëse nuk përdoret për tregti dhe nëse përdoret për tregti, atëherë zekati i saj është 2.5 % të vlerës.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: