ZEKATI NË MALLRA TREGTIE
Mall tregtie konsiderohet ajo pasuri, e cila është përgatitur për ta tregtuar. Në mallra tregtie, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve myslimanë, nuk bëjnë pjesë ari, argjendi dhe monedhat, por bëjnë pjesë të gjitha pasuritë e tjera. Dhënia e zekatit në mallra tregtare, sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefi, duhet t’i plotësojë këto kushte:
- Që vlera e pasurisë për tregti të arrijë nisabin e caktuar të arit apo argjendit. Nëse nuk e arrin nisabin e njërit, atëherë llogaritet me atë të tjetrit. Vlera e tyre llogaritet me çmimin e kuotës së arit dhe argjendit në vendin që gjendet pasuria.
- Të kalojë një vit, prej ditës në të cilën është bërë pronë e pronarit me qëllim tregtie.
- Në momentin kur pronari e blen atë pasuri kushtëzohet që pronari ta ketë blerë me nijet tregtie. Në rastet kur personi ka blerë një mall, por jo me nijet tregtie, dhe më pas vendos që ajo pasuri të jetë pasuri tregtie, konsiderimi i vlerës së saj për zekat llogaritet nga dita kur ka vendosur që ajo pasuri të jetë pasuri tregtie.
Tregtari për dhënien e detyrimit pasuror duhet të llogarisë kapitalin, fitimin, rezervat e pastaj të hollat në përgjithësi dhe për të gjitha këto jep 2.5% si zekat. Çmimi i llogaritjes për dhënien e zekatit bëhet në momentin e detyrueshmërisë së dhënies së zekatit e jo në momentin e blerjes së asaj pasurie.