Zekati në borxh
Zekati jepet edhe në pasurinë të cilën një person ia ka dhënë borxh dikujt tjetër. Dijetarët e shkollës juridike Hanefi, çështjen e zekatit në pasurinë e dhënë borxh e kanë shtjelluar në detaje dhe për ta sqaruar më mirë borxhin e ndajnë në tri kategori:
1. Borxhi i lehtë
Borxhi i lehtë është ai i cili rrjedh nga detyrimi që nuk bëhet me këmbimin e pasurisë, do të thotë nuk ka lidhje me ndërrimin e ndonjë pasurie, siç është rasti me borxhin e mehrit, pastaj borxhi i hul’it etj.
Mehri është pasuria e caktuar që bashkëshorti ia jep bashkëshortes së tij. Ky është detyrim i bashkëshortit të cilin e meriton femra me përfundimin e lidhjes së kurorës së vlefshme, ose pas gjerdekut dhe prishjes së kontratës martesore. Në këtë rast, nëse bashkëshorti nuk ia ka paguar bashkëshortes së tij mehrin, ajo pasuri ngelet borxh i bashkëshortes në dorën e burrit që nëse e plotëson nisabin e caktuar, për të duhet dhënë zekat.
El-Hul’u është lloj shkurorëzimi me marrëveshje, i cili kërkon që gruaja t’i kompensojë diç nga pasuria e saj bashkëshortit, kur ai e pranon dëshirën e saj për shkurorëzim, duke e mbyllur tërë procedurën me ixhab dhe kabul (pëlqimin dhe pranimin). Ky lloj shkurorëzimi quhet MUHALE’A. Në këtë rast, nëse gruaja nuk ia ka paguar pasurinë e premtuar, ajo ngel borxh ndaj bashkëshortit dhe për këtë pasuri është e detyruar t’i paguajë zekat kësaj pasurie, nëse e plotëson nisabin.
Në këtë lloj borxhi, nëse plotësohet nisabi, duhet patjetër të jepet zekati, por pasi të kalojë një vit nga dita e realizimit të borxhit, respektivisht nga dita e marrjes së borxhit.
2. Borxhi i mesëm
Borxhi i mesëm është ai që nuk është borxh tregtie, siç është borxhi i shtëpisë për banim, rroba etj. Në borxhin e mesëm zekati detyrohet vetëm atëherë kur plotësohet nisabi. P.sh. nëse ka dhënë borxh 500 dërhemë, detyrohet me zekat vetëm atëherë kur të ketë marrë 200 dërhemë dhe për këtë sasi duhet të japë 5 dërhemë. Kuota pasurore e këtij borxhi llogaritet nga data e plotësimit të kohëzgjatjes së tij, të pranuar nga palët e jo nga data e kthimit të pasurisë së marrë borxh.
3. Borxhi i rëndë
Borxhi i rëndë është ai kur borxhliu ka marrë pasuri ose ka blerë veresie në tregti dhe borxhmarrësi e pranon atë si borxh për t’u kthyer. Në këtë lloj borxhi, dhënia e zekatit është detyrim edhe për vitet e kaluara. Zekati jepet aq sa pranohet nga borxhliu, por me kusht që të pranohet me vlerë prej 40 dërhemësh. Nëse pranohet 40 dërhemë, atëherë jepet zekat 1 dërhem. Për shembull, nëse një person ka borxh te dikush tjetër 300 dërhemë, që i ka marrë para tre vjetëve dhe pas tre vjetëve ka borxh 200 dërhem, për këtë rast detyrohet të paguajë zekatin për çdo vit prej 5 dërhemësh, që do të thotë 2.5%. Mirëpo, nga kjo pasuri ka për të paguar zekatin edhe për dy vjetët e tjerë. Llogaria bëhet si vijon: Kur kemi paguar 5 dërhemë prej 200 kanë ngelur edhe 195 dërhemë, atëherë, për pagimin e zekatit të vitit të dytë veprohet sipas parimit 40 dërhemë me 1 dërhem. Nga kjo del se për vitin e dytë ai paguan 4 dërhem, e po ashtu edhe për vitin e tretë, kur paguhen vetëm 4 dërhem. Vit i plotë te borxhi i rëndë konsiderohet nga dita e plotësimit të nisabit e jo nga dita e dorëzimit të pasurisë.