ZEKATI NË AR DHE ARGJEND

Zekati në ar

Dhënia e zekatit në ar dhe argjend është detyrim i përfituar nga argumentet e padiskutueshme që i përmendëm më parë. Ky është mendimi i të gjithë dijetarëve myslimanë. Që të detyrohet dhënia e zekatit në ar, patjetër duhet të plotësohet kuota pasurore, i cili është së paku njëzet (20) mithkal (gjegjësisht 91 gr. ar). Argument se për pronësinë e 91 gramëve ar, duhet dhënë zekati,  është hadithi i Profetit a.s., kur i thotë Aliut r.a.: “O Ali, nuk e ke detyrim zekatin derisa t’i plotësosh njëzet mithkal, e kur t’i plotësosh njëzet mithkal, për ato jep zekat gjysmë mithkali.

Nga kjo nënkuptohet se personi, i cili ka në pronësinë e tij 91.6 gr.) gramë ar dhe është bërë plotësimi i vitit, detyrohet me dhënien e zekatit 2.5%. Nëse nuk plotësohet nisabi, atëherë nuk detyrohet me dhënien e zekatit.

Zekati në argjend

Gjithashtu edhe për dhënien e zekatit në argjend duhet të plotësohet nisabi, i cili është 200 dërhemë, që sipas dijetarëve të shkollës juridike  Hanefi është i barabartë me 700 gramë argjend. Kur plotësohet kuota dhe e plotëson vitin, atëherë jepet zekat 2.5%. Kjo vërtetohet me hadithin e Profetit a.s. të transmetuar nga Amr Ibni Hazmi, i cili thotë: “Në argjend nuk ka zekat derisa të plotësohen dyqind dërhemë, e kur të plotësohen dyqind dërhemë, atëherë për to duhet dhënë zekat pesë dërhemë.

Zekati në pasurinë e përzier ar-argjend

Nëse një pronar zotëron një pasuri nga ari dhe një tjetër nga argjendi, e që asnjëra prej tyre në vete nuk e arrin kuotën e caktuar sipas llojit, atëherë sipas mendimit të Imam Ebu Hanifes ari dhe argjendi përcaktohen si vlerë dhe për ta jepet zekati. Kjo çështje duket kuptuar kështu: Nëse dikush ka në pronësi dhjetë mithkalë ar dhe një enë nga argjendi që është më pak se dyqind dërhemë, por vlera e së cilës është sa dhjetë mithkalë, në këtë rast sipas Ebu Hanifes, detyrohet me zekat. Sipas Ebu Hanifes, përcaktimi bëhet duke llogaritur homoniminë e tyre, që është në vlerë, prandaj nëse plotësohet nisabi i njërës prej tyre, atëherë gjendet edhe shkaku për dhënien e zekatit. Imami në këtë rast gjithnjë në përparësi ka të varfrin e jo të pasurin.

Kur është fjala për shtimin e nisabit për adhurim, atëherë edhe për të jepet zekati me përqindje.

Zekati në monedhë (bankënotë)

Meqë përdorimi i bankënotave është i kohës së re, dijetarët myslimanë-(fukahatë, juristët) bënë hulumtime të thukëta dhe në fund njëzëri përfunduan për detyrueshmërinë e dhënies së zekatit. Nisabi i bankënotave llogaritet në ar dhe argjend, që janë bazë për llogaritjen e detyrimit në zekatin që shlyhet në monedha, në bankënota, apo në letra me vlerë. Do të thotë se nëse zotëron aq para sa i përgjigjet vlerës së nisabit të arit apo argjendit, atëherë duhet të jepet zekat. Edhe pse nisabi në ar dhe argjend në kohën e ligjësimit të tyre ishte përafërsisht i barabartë në vlerë, marrë parasysh faktin se këta dy artikuj janë të ndryshëm nga koha në kohë, pra në rastet kur ekzistojnë diferencime ndërmjet arit dhe argjendit, për nisabin e monedhave merret për bazë çmimi më i ulët, ngase, sipas rregullit të sheriatit, kur është fjala për interesin e të varfrit dhe të pasurit, i jepet përparësi interesit të të varfrit.

Sa i përket pasurisë që e zotëron myslimani në ar, argjend, monedha, kartmonedha apo letra me vlerë, nëse njëra nga këto në vetvete nuk e përmbush nisabin, por që të gjitha nga pak e përmbushin atë, atëherë detyrohet me zekat.

Zekati në stolitë e femrës

Juristët myslimanë janë njësuar në mendimin e tyre se për stolitë e femrës që nuk janë prej ari dhe argjendi, siç janë inxhitë dhe stolitë e tjera që nxirren nga deti, nuk jepet zekat.

Sa u përket stolive të femrave që janë prej ari dhe argjendi, dijetarët e shkollës juridike Hanefi janë të mendimit se për to duhet dhënë zekat për çdo vit, nëse plotësohet nisabi i caktuar. Ky mendim mbështet në gjithëpërfshirjen e shumë haditheve që flasin për detyrueshmërinë e zekatit.

Në një hadith tjetër, i regjistruar tek Ebu Davudi, transmetohet se si kishte ardhur një grua te Profeti a.s., e cila me vete kishte edhe vajzën e saj. Vajza kishte në dorë dy zinxhirë të trashë dhe të shtrenjtë prej ari, e Profeti a.s. e pyeti: “A e jep zekatin e kësaj? – Jo, -tha ajo. – Të qoftë e lehtë, sepse Allahu këto dy do t’i shndërrojë në zinxhir prej zjarrit të Xhehenemit Ditën e Kiametit. – i tha Profeti a.s. Vajza i hoqi nga dora dhe i lëshoi para Profetit a.s. dhe tha: – Këta dy zinxhirë le të jenë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij.

Nga këto hadithe kuptohet se femrat që kanë ar apo argjend për stoli, detyrohen të japin zekatin nëse e plotësojnë kuotën në sasinë e duhur.

Dijetari bashkëkohor, dr. Ibrahim Salkini, në veprën “Fikhul islamij”, sjell edhe mendimet e disa dijetarëve të tjerë, të cilët thonë se nëse femra ka stoli prej ari dhe argjendi, deri në një masë të caktuar, pa e tepruar sasinë, atëherë nuk detyrohet me dhënien e zekatit. Këtu paraqitet ekspertiza ligjore islame (fetvaja) e shejh Muhamed Sheltutit, i cili ka thënë: “Nëse  zbukurimi apo stolia është për plotësim të nevojave normale për stoli të femrës, atëherë nuk detyrohet me zekat, por nëse ajo ka stolisur trupin e saj tej mase, atëherë duhet dhënë zekat.”

Si duket, tërë kjo që dijetarët islamë bashkëkohorë synojnë të gjejnë zgjidhje, sërish nuk mund të dalin nga korniza e vlerësimit që kishte bërë Imam Ebu Hanifja, sipas së cilës nëse femra ka stoli ari dhe argjendi më shumë se nisabi që është 91.6 gramë, atëherë detyrohet me zekat, e, nëse ka më pak, nuk e ka këtë detyrim, sepse nuk është plotësuar nisabi, andaj, mendohet se për stoli të femrës 91.6 gramë ar janë të mjaftueshme.

Gjithashtu, nuk duhet harruar se zekat jepet edhe për enët prej ari të shtëpisë, ndonëse përdorimi i tyre është i ndaluar sipas sheriatit.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: