Vlera psikologjike e adhurimit

Adhurimi ndikon pozitivisht mbi psikologjinë e njeriut. Për rrjedhojë, secili prej adhurimeve ka vlerë dhe rëndësi psikologjike. Për shembull, namazi e qetëson shumë shpirtin e njeriut. Njeriu që qëndron para Allahut me qëllim për të çuar në vend detyrën e robit ndaj Tij, përfton prej kësaj, domethënë prej ndodhjes para Allahut, shije dhe kënaqësi morale e shpirtërore. Edhe pas faljes së namazit njeriu vazhdon të jetë i qetë e i kënaqur që e ka kryer këtë detyrë të rëndësishme.

Adhurimi fuqizon mendimin e së mirës, bukurisë dhe drejtësisë te njeriu, e pengon atë për t’iu nënshtruar dëshirave të këqija të vetvetes (nefsit, egos). Ky ajet e shpreh këtë funksion të namazit si adhurim: “…pa dyshim, namazi bëhet pengesë për paturpësinë dhe të keqen…”[1] Njeriu që pengohet nga të këqijat që do t’u shkaktonin dëm vetes dhe njerëzve të tjerë, është i qetë në ndërgjegje.

Njeriu që beson me të vërtetë, ndjen, si domosdoshmëri të këtij besimi, nevojën për ta adhuruar Allahun. Njeriu që e plotëson këtë nevojë duke e adhuruar Allahun që e ka krijuar dhe që ia ka falur çdo gjë që zotëron, është i qetë e i kënaqur që e ka çuar në vend detyrën e robit ndaj Tij.

Qëllimi i fesë së dërguar nga Allahu, është t’ia mundësojë njeriut lumturinë në këtë botë e në jetën e pasme (ahiret). Meqë zbatimi i urdhrave të fesë është adhurim, njeriu që i zbaton urdhrat e fesë arrin lumturinë në të dyja jetët.

Agjërimi që është njëri prej adhurimeve të detyrueshme (farz), duke e fuqizuar vullnetin, i jep mundësi njeriut të marrë nën kontroll kërkesat dhe dëshirat e vetes (nefsit, egos). Njeriu që e fuqizon vullnetin në saje të agjërimit, gjatë gjithë jetës sillet me kujdes ndaj urdhrave të Allahut dhe përpiqet t’i zbatojë ato. Agjërimi e zbut zemrën e njeriut, ia vë në lëvizje ndjenjat e dhembshurisë, dashurisë dhe mëshirës. Atëherë njerëzit sillen ndaj njëri-tjetrit më me respekt e mëshirë; respekti dhe mëshira e njerëzve ndaj njëri-tjetrit bën që ata të jenë të qetë e të lumtur.

Zekati e mbron njeriun nga koprracia, ia zhvillon ndjenjat e bujarisë dhe ndihmës, siguron dashurinë dhe lidhjen mes të pasurve e të varfërve. I pasuri që jep zekat, bëhet i mëshirshëm ndaj të varfërit. Edhe i varfëri nuk ushqen urrejtje dhe armiqësi ndaj të pasurit, nuk ia vë syrin mallit dhe pasurisë së tij. Dhe kjo zhvillon ndjenjat e e dashurisë dhe besimit mes njerëzve.

Edhe adhurimi i haxhit ka ndikime psikologjike pozitive. Besimtarët e li-dhur pas fesë së vërtetë Islame të Allahut që s’ka të dytë e të ngjarë, bashkohen në haxh me të njëjtin qëllim dhe besim. Shumë myslimanë, me vetëdijen dhe emocionet e adhurimit, i drejtohen Allahut duke iu lutur dhe duke i kërkuar falje. Pastaj, në jetën që i ka mbetur, me sa të jetë e mundur bën kujdes që të mos bëjë mëkat. Edhe kjo e qetëson njeriun shpirtërisht. Të gjitha këto veçori ndikojnë pozitivisht mbi psikologjinë e njeriut.

 

 

[1] El-Ankebut: 45

Postime të ngashme

%d bloggers like this: