Tematikat që përmban Kurani Famëlartë
Tematikat që përmban Kurani janë tre llojesh:
1. Tematikat besimore (itikadí)
Janë tematika mbi besimin nga personi përgjegjës te Allahu, engjëjt, librat, profetët, dita e áhiretit, kazaja dhe kaderi. Tematikat mbi besimin kanë ardhur më shumë në periudhën e Mekës me qëllim për t’i pastruar njerëzit prej opinioneve, bindjeve e besimeve të kota e bestytnive.
2. Tematikat moralo-etike (ahlakí)
Janë tematika mbi fuqizimin e besimit, mbi njeriun e sinqertë, të devotshëm e të virtytshëm, mbi përftimin e qëndrimeve dhe sjelljeve më të mira e më të bukura në marrëdhëniet njerëzore. Në këtë lloj futen ajetet që përmbajnë rrëfimet shembullore mbi profetët, ajetet që bartin kuptim nxitës ose pengues.
3. Tematikat praktike (amelí)
Janë tematika mbi çështjet praktike të cilat rregullojnë aktet njerëzore si adhurimi, fjala, veprimi, puna si dhe tërë jetën shoqërore. Këto janë ajetet që hyjnë në fushën e shqyrtimit të së drejtës Islame (fikh) dhe të metodës juridike. Një klasifikim i tillë mund të bëhet edhe për hadithet profetike.
Tematikat praktike të Kuranit mund të shqyrtohen duke i ndarë në dy pjesë: a) Tematikat mbi adhurimet; b) Tematikat mbi veprimet.
a) Tematikat mbi adhurimet. Urdhrat mbi farzet Kurani i ka bërë shkurt duke ia lënë formën, hollësitë dhe zbatimin sunnetit. Format dhe mënyrat e kryerjes së adhurimeve si namazi, agjërimi, haxhi, zekati, kushtimi, betimi janë zbatuar dhe përjetuar personalisht nga Profeti dhe i janë treguar ummetit. Hadithet në vijim e shprehin hapur se zbatimi i adhurimeve duhet marrë nga Profeti: “Si ta fal unë namazin, ashtu faleni edhe ju!” Dhe: “Adhurimet në lidhje me haxhin merrini prej meje!” Nga ana tjetër, edhe zihari i parashikuar për të kompensuar të metat ose gabimet në adhurim ose veprim, betimi si dhe kefaretet (shpërblimet) për vrasje pa dashje të një besimtari, kanë cilësinë e adhurimit.
b) Tematikat mbi veprimin. Janë tematikat mbi çështjet jashtë adhurimit, si veprimtaria juridike, marrëveshjet dhe kontratat, faji, ndëshkimi, etj. Këto rregullojnë marrëdhëniet mes individëve, mes individit e shoqërisë dhe mes shoqërive. Tematikat praktike mund t’i ndajmë në grupe si më poshtë:
- E drejta e familjes. Në Kuran, tematikat mbi familjen janë më të detajuara se tematikat mbi çështjet e tjera. Mes këtyre mund të përmendim tematikat mbi martesën, ndarjen, ushqimin, kujdestarinë, periudhën e pritjes pas ndarjes, trashëgiminë, prejardhjen, etj.
- E drejta qytetare. Janë tematikat mbi ndërveprimet njerëzore që kanë për qëllim të rregullojnë marrëdhëniet materiale mes individëve, si: shitblerja, qiraja, ndërrimi, pengu, dorëzania, ortakëria, borxhi dhe garancia si dhe të mbrojnë çdo njeri që ka të drejtë.
- E drejta penale. Këtu futen fajet e individit dhe ndëshkimet përkatëse. Tematikat penale kanë për qëllim të mbrojnë pasurinë, jetën, nderin, prejardhjen dhe mendjen. Ndëshkimi i përcaktuar në ajete dhe hadithe quhet “had”, kurse ndëshkimet si ato për vjedhjen, grabitjen, piratërinë, përdorimin e pijeve alkoolike që vë shteti Islam për të mirën e përgjithshme dhe sigurimin e rregullit publik, quhen “ta’zir”, si paralajmërimi, rrahja, internimi dhe burgimi.
- E drejta e gjykimit. Tematikat mbi gjykimin kanë për qëllim të rregullojnë veprimtarinë e domosdoshme të gjykimit të çështjeve, të dëshmisë, betimit, vendimit juridik, për rrjedhojë, për të realizuar drejtësinë mes njerëzve.
- E drejta administrative. Tematikat e kësaj fushe mbështeten në parime të tilla si drejtësia, këshillimi, paqëtimi, ndihma reciproke dhe mbrojtja. Drejtësia është parimi kryesor që duhet të ndjekë me përparësi administrata shtetërore. Në Kuran ka ajete që urdhërojnë drejtësinë: “Pa dyshim, Allahu urdhëron t’ia jepni amanetin atij që e meriton dhe, në gjykimin mes njerëzve, të gjykoni me drejtësi!” “Pa dyshim, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmin!” Edhe parimi i këshillimit është ndihmësi më i mirë për administratën shtetërore në përcaktimin e metodave të drejtim-administrimit. Në Kuran urdhërohet kështu: “Punët e tyre bëhen me këshillim mes tyre.” “Këshillohu me ta për punët. Dhe, kur të marrësh vendim, mbështetu te Allahu!” Siç kuptohet nga teksti i ajetit të parë si më sipër, ai pohon se administrimi Islam mbështetet në parimin e këshillimit mes myslimanëve. Nga ana tjetër, nënkuptohet se shoqëria myslimane duhet të zgjedhë e të sjellë në krye të punës një ekip që ta kontrollojë kryetarin e shtetit Islam e ta ndihmojë për rregullimin e punëve të shtetit.
- E drejta ndërshtetërore. Kurani ka sjellë edhe konkluzione parimore që rregullojnë marrëdhëniet me shtetet jomyslimane. Në ajete kërkohet të respektohen marrëveshjet ndërshtetërore e ndërkombëtare.
- E drejta ekonomike e financiare. Këtu futen tematikat mbi të drejtën e të varfërit mbi mallin e të pasurit, llogaritja e të ardhurave e shpenzimeve, etj.