Vlera e diturisë sipas Ibn Abasit
Disa nga dijetarët e Basrës kanë thënë se dituria është më e mirë dhe më e vlefshme se pasuria, e të tjerët kanë thënë se pasuria është më e mirë se dituria. E dërguan një lajmëtar tek Ibni Abasi r.a. ta pyesë se kush ka të drejtë.
Ibn Abasi u përgjigj: “Dituria është më e mirë dhe më e vlefshme.”
Lajmëtari e pyeti: “Në qoftë se do të kërkojnë argument për përgjigjen tuaj, çfarë t’ju them?’
Ai i tha: ‘Thuaju atyre: Dituria është trashëgimi e pejgamberëve, e pasuria është trashëgimi e faraonit. Dituria të ruan dhe kujdeset për ty, e pasurinë ti e ruan dhe kujdesesh për të. Allahu nuk do t’i japë askujt dituri, përveç atyre që i do, kurse pasuri u jep edhe atyre që i do, edhe atyre që nuk i do, madje më shumë pasuri u jep atyre që nuk i do. Vallë, a nuk i ke dëgjuar fjalët e Allahut: “E sikur të mos ishte që njerëzit (do të lakmonin) të jenë të një feje (jobesimtarë), Ne atyre që nuk e besojnë Zotin do t’ua bënim pullazet e shtëpive të tyre nga argjendi si dhe shkallët nga argjendi, mbi të cilat ata do të ngriheshin. Edhe dyert e shtëpive të tyre nga argjendi edhe kolltukët, mbi të cilët do të mbështeteshin. Edhe stoli të ndryshme (ari etj.). E të gjitha këto nuk janë gjë tjetër pos kënaqësi e jetës së kësaj bote, kurse bota e ardhshme te Zoti është për besimtarët e ruajtur” (Zuhruf, 33-35). Dituria nuk pakësohet, nëse shpërndahet dhe përhapet, e pasuria pakësohet, nëse ndahet dhe harxhohet. Ai i cili ka pasuri, kur vdes, mbaron edhe kujtimi për të, kurse dijetari kur vdes, emri dhe kujtimi për të mbeten. Ai i cili ka pasuri vdes, e dijetari nuk vdes. Ai i cili ka pasuri do të merret në pyetje për çdo dirhem, si e ka fituar dhe ku e ka harxhuar, e dijetari për çdo hadith dhe thënie që e ka thënë do të ngrihet një shkallë më lartë në Xhennet”.