VIZITA NË MEDINË GJATË KRYERJES SË HAXHIT
Është e rëndësishme të theksohet që Haxhi bëhet në Mekë, respektivisht në Arafat, andaj duhet të theksojmë se vizita që i bëhet Profetit a.s. në Medinë, është veprim i veçantë dhe nuk ndërlidhet me Haxhin. Kjo nënkupton se vizita Profetit a.s. në Medinë, si dhe vizitat e tjera që bëhen në Medinë, sipas normave të sheriatit islam, nuk kanë lidhje me dispozitat dhe rregullat e Haxhit, sepse kjo vizitë nuk është pjesë përbërëse dhe as kusht i Haxhit. Ajo që i ndërlidh këto dy veprime mes tyre, është vetëm fakti se haxhilerët, të cilët udhëtojnë nga trevat e largëta, nga anë të ndryshme të globit, për ta kryer Haxhin, duke u ballafaquar me peripeci dhe lodhje të shumta, duke mos anashkaluar edhe shpenzimet materiale dhe meqë afrohen apo edhe ndoshta kalojnë përreth qytetit të të Dërguarit a.s., xhamisë së tij dhe varrit ku prehet ai, atëherë do të ishte e palogjikshme që të mos shfrytëzojnë rastin dhe të vizitojnë edhe Profetin a.s. dhe këto vende, e, veçanërisht, kur merret parasysh fakti se për shumë haxhilerë ky është rasti i fundit, që u jepet për të vizituar ato vende të shenjta.
Vizita te varri i Pejgamberit a.s.
Në mbështetje të argumenteve autentike themelore islame, të gjithë dijetarët e Ehli Synetit janë të mendimit për ligjësimin e vizitës së varrit të Profetit a.s. Ky mendim ka mbështetje në Kur’anin Fisnik, në Synetin e Profetit a.s. dhe në praktikën e sahabeve (bashkëkohësve) të ndershëm. Argument nga Kur’ani famëlartë për lejimin e vizitës që duhet bërë Profetit a.s., respektivisht varrit të tij, kemi ajetin, në të cilin Allahu xh.sh. thotë:
وَ لَوْ أَنَّهُمْ إِذْ ظَلَمُوا أَنْفُسَهُمْ جَاءُوكَ فَاسْتَغْفَرُوا اللَّهَ وَ اسْتَغْفَرَ لَهُمُ الرَّسُولُ لَوَجَدُوا اللَّهَ تَوَّابًا رَحِيمًا.
“E sikur të vinin ata te ti, pasi që ta kenë dëmtuar veten e tyre (nuk kanë pranuar gjykimin tënd), e të kërkonin ata ndjesë tek Allahu e edhe i Dërguari të kërkojë ndjesë për ta, ata do të kuptonin se Allahu pranon pendimin dhe është mëshirues.” (Nisa, 64)
Nga ky ajet Kur’anor nënkuptohet se Allahu xh.sh. për njerëzit të cilët për shkak të mëkateve, që e kishin dëmtuar veten e tyre dhe në momentin e vetëdijesimit kishin kërkuar falje (ndjesë) nga Allahu xh.sh. dhe përmes vizitës së tyre tek i Dërguari i Allahut si pendues për veprat e tyre që të kërkojnë që edhe i Dërguari i Allahut të kërkojë ndjesë për ta, atëherë sigurisht që do të arrijnë atë që e shpresojnë, pra faljen, sepse Allahu xh.sh. e pranon pendimin dhe është i Mëshirshëm. Pra, përmes këtij ajeti, na sqarohet se lidhshmëria e pranimit të pendimit dhe mëshirës nga Allahu xh.sh. me ardhjen e tyre tek i Dërguari i Allahut me kërkimin e tyre ndjesë për veten dhe me kërkimin e Profetit a.s. ndjesë për ata që kishin dëmtuar veten e tyre me mëkate. Andaj, që të arrihet mëshira dhe falja e Allahut, nuk mjaftoi për ta vetëm pendimi i thjeshtë i tyre, por edhe ardhja e tyre tek i Dërguari a.s., që nënkupton vlerën e vizitës së Profetit a.s. Vlera e vizitës së kryer Profetit a.s., që përfshihet në këtë ajet, nuk kufizohet në hapësirë dhe kohë, pra nuk bën dallimin mes atij që është afër dhe atij që është larg, apo mes vizituesit, kur i Dërguari ishte gjallë apo pas vdekjes së tij, sepse i Dërguari i Allahut ka thënë:
من زارني بعد موتي فكأنما زارني في حياتي و من مات في أحد الحرمين بعث من الآمنين
“Kush më viziton pas vdekjes sime është sikur të më ketë vizituar derisa isha gjallë, e ai i cili vdes në njërin nga Dy Haremet do të ringjallet me të sigurtit.” (Bejhekiu)
Se vizituesit e Profetit a.s. pa dallim kohe dhe vendi do të jenë të përfshirë në faljen dhe mëshirën e Allahut xh.sh., e vërteton pikërisht ky ajet Kur’anor, i cili është gjithëpërfshirës për çdo vizitues. Kjo nënkuptohet atëherë kur ajetin e kundrojmë nga aspekti i rregullave të shkencës së Usuli fikhut dhe gjuhës arabe, sepse sipas rregullave të Usuli fikhut, nëse folja vjen në formën e kushtit, si na paraqitet në këtë ajet, atëherë nënkupton gjithëpërfshirje, bile kjo është shkalla më e lartë e gjithpërfshirjës. Kështu e kanë kuptuar ajetin në fjalë dijetarët dhe komentuesit (mufesirët) e Kur’anit, andaj edhe në shkoqitjen e këtij ajeti rrëfejnë edhe ngjarjen e njohur të Utejbiut, apo arabit i cili kishte ardhur për ta vizituar dhe për të bërë teuesul te Profeti a.s.
Përveç ajetit të sipërcituar që argumenton dhe ligjëson vizitën te varri i Profetit a.s., kemi edhe ajetin tjetër, në të cilin Allahu xh.sh. thotë:
وَمَنْ يَخْرُجْ مِنْ بَيْتِهِ مُهَاجِرًا إِلَى اللَّهِ وَ رَسُولِهِ ثُمَّ يُدْرِكْهُ الْمَوْتُ فَقَدْ وَقَعَ أَجْرُهُ عَلَى اللَّهِ وَ كَانَ اللَّهُ غَفُورًا رَحِيمًا
“E kush del prej shtëpisë së tij si migrues tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe e zë vdekja në rrugë, shpërblimin e tij e ka të sigurt nga Allahu, Allahu është shumë falës dhe Mëshirues.” (Nisa: 100)
Edhe pse ky ajet Kur’anor nuk flet në mënyrë të drejtpërdrejtë për vizitën te Profeti a.s., dijetarët myslimanë, duke shkoqitur kuptimet e këtij ajeti, janë të mendimit se ata që e vizitojnë të Dërguarin e Allahut, e, veçanërisht nga vendet e largëta, përfshihen në kuptimin e nocionit migrim për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, andaj edhe janë përfshirës në këtë ajet.
Argumentet nga Syneti
Argumente nga Syneti i Profetit për ligjësimin e vizitës së tij, kemi hadithin e transmetuar nga Ibn Omeri r.a., i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut ka thënë:
من زار قبري وجبت له شفاعتي
“Kush e viziton varrin tim, i detyrohet ndërmjetësimi (shefati) im.” (Darukutni, Kadi Ijadi, Hakimi dhe Termidhiu).
Transmetohet nga Ibn Omeri r.a., i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush më vjen mua si vizitues, duke mos pasur interes tjetër përveç vizitës sime, është detyrimi (e drejtë) im që për të të jem ndërmjetësues.” (Ibn Asakir, Taberaniu dhe Darukutni).