GABIMET (KUNDËRVAJTJET) GJATË HAXHIT DHE PËRMIRËSIMI I TYRE
Vlera e kryerjes së të gjitha detyrimeve islame varet kryesisht nga komponenti i parë, pra nga çështja shpirtërore dhe lidhja e tyre me zemrën, ngase ky komponent ndërlidhet direkt me ndjenjat e brendshme të personit, që drejtohet nga forca e besimit (imanit). Kjo është forca nxitëse që buron nga brendia e njeriut, të cilit i mundësohet që botën e jashtme ta shohë me syrin e objektivitetit. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se aspekti i jashtëm formal nuk ka rëndësinë e vet në kryerjen e adhurimeve/ibadeteve, sepse sipas parimeve islame, nëse paraqiten kundërshtime mes shpirtërores dhe formales, atëherë vepra nuk mund të jetë e shëndoshë. Për ta konkretizuar këtë, kujtojmë se nëse besimtari që e ka bërë nijet ta kryejë farzin e pestë – Haxhin, nuk e ka të pastër nijetin për hir të Allahut xh.sh., por për ndonjë qëllim tjetër, sikur thjesht dhe vetëm të fitojë titullin haxhi veç për krenari, Haxhi i tij është i refuzuar tek Allahu xh.sh. dhe ai do të ketë përgjegjësi para Allahut xh.sh. Në anën tjetër, nëse qëllimin (nijetin) e ka të pastër, por këtë qëllim të pastër nuk e harmonizon me aspektin e jashtëm formal, Haxhi i tij mund të jetë thjesht i prishur, i pavlefshëm ose me të meta të mëdha. Andaj, harmonizimi i këtyre dy faktorëve është i rëndësishëm në të gjitha adhurimet (ibadetet), pra edhe te Haxhi.
Fakti tjetër që e karakterizon këtë lloj të adhurimit ndërlidhet edhe me gjendjen ekonomike, andaj, nijetliu për ta kryer këtë ibadet, duhet të kujdesohet për llogarinë me të cilën e bën Haxhin. Që adhurimi të jetë i pranuar dhe shpërblyes, kushtëzohet që shpenzimet për kryerjen e tij të jenë nga pasuria e lejuar (hallall).
Ata, të cilët e kanë bërë nijet të kryejnë këtë detyrim islam, fillimisht duhet ta dinë se gjatë ditëve të Haxhit jetojnë në një gjendje jo normale, sepse prej momentit të veshjes së ihramëve dhe nijetit të haxhit, atyre iu ndalohen shumë veprime, të cilat në gjendje normale, respektivisht jashtë Haxhit, i kanë të lejuara. Andaj, secili mysliman, i cili ka hyrë në ihram, e ka për detyrim që të jetë më vigjilent dhe duhet ta dijë se për çdo moment gjendet në adhurim. Kësisoj Haxhi përveçse ka farze, vaxhibe, synete dhe mendube, ka edhe ndalesa dhe mekruhe; dhe, në anën tjetër, Haxhi nga aspekti kohor konsiderohet ibadeti më i gjatë, andaj edhe duhet pasur kujdes, sepse edhe mundësia e gabimit është më e theksuar. Për këtë arsye, haxhiu duhet të jetë syçelë në kryerjen e këtij adhurimi.
Ndodh që haxhiu të bëjë gabime gjatë kryerjes së Haxhit, prandaj çka duhet ndërmarrë për të ndrequr gabimet e bëra? Kryesisht varet nga lloji dhe pesha e gabimit. Në këtë kontekst, shikuar nga pesha e gabimeve, ato ndahen në tri lloje:
I- Gabime të mëdha
Gabime të mëdha konsiderohen ato veprime, të cilat lënë gjurmë dhe pasoja të rënda në kryerjen e Haxhit. Dijetarët myslimanë, duke i studiuar gabimet e mëdha, i kanë ndarë në dy lloje:
1. Gabime të pariparueshme që e prishin Haxhin
Këto gabime nuk mund të riparohen, përveçse me përsëritjen e Haxhit, sepse ky Haxh konsiderohet i prishur (fasid). Gabim që nuk mund të riparohet është kryerja e marrëdhënieve seksuale me bashkëshorten, duke qenë në ihram, para se të kryejë Arafatin, pavarësisht nëse këto marrëdhënie bëhen me qëllim, gabimisht, ose duke mos pasur njohuri se ky akt e prish Haxhin. Ky gabim jo vetëm që shkakton prishjen e Haxhit dhe detyron haxhiun që të bëjë kaza menjëherë vitin tjetër, por detyrimi kërkon therje të kurbanit, një dele. Në këtë dispozitë nuk ka rëndësi nëse haxhiu është duke e bërë Haxhin farz apo nafile. Nga ky rregull përjashtohet fëmija dhe i sëmuri psikik, të cilët nuk detyrohen as me therje të kurbanit dhe as me përsëritje të Haxhit. Në këtë rast, haxhiu i tillë, edhe pse Haxhin e ka të prishur, duhet të pasojë të gjitha veprimet sikur haxhilerët e tjerë dhe nuk bën të ndalet nga veprimet e Haxhit.
2. Gabime të mëdha, por që mund të riparohen me therje të kurbanit
Për dallim nga gabimet e mësipërme që shkaktojnë prishjen e Haxhit, edhe këto gabime janë të rënda, por nuk shkaktojnë prishjen e Haxhit, ngase mund të riparohen përmes therjes së kurbanit të madh (bedne). Të tilla janë:
– Marrëdhënia e plotë imtime me bashkëshorten pas qëndrimit në Arafat, por realizuar para qethjes, rruarjes apo kryerjes së tavafuzzijaretit, që është farz. Ky veprim e detyron muhrimin (personin që është duke kryer Haxhin) të therë kurban të madh, deve ose lopë. Kjo dispozitë ligjore azohet te hadithi i transmetuar nga Seid b. Mensuri, e ky nga Aisheja r.a. sesi Profeti a.s. ka thënë: “Kur të ktheheni nga Arafati nëse i keni gjuajtur gurët dhe jeni rruar, ju është lejuar juve çdo gjë përveç gratë tuaja.” (Ebu Davudi)
Nga hadithi kuptohet se kthimi nga Arafati, gjuajtja e guralecëve dhe rruarja, konsiderohet lirimi i parë nga ihrami (tehalul euel), e në këtë rast lejohet çdo gjë që ishte e ndaluar gjatë kalimit në ihram, si veshja e rrobave të zakonshme etj., por nuk lejohet edhe marrëdhënia imtime me bashkëshorten. Ky veprim lejohet vetëm pas lirimit të plotë (tehalul ekber), që arrihet pas kryerjes së tavafuz-zijaretit.
Kjo dispozitë ligjore islame vlen për mashkullin, si edhe për femrën, sepse ata që të dy kanë qenë pjesëmarrës në një vepër të ndaluar gjatë Haxhit, andaj asnjëri nuk lirohet nga përgjegjësia.
– Nëse muhrimi, para se të dalë në Arafat, e ka përkëdhelur, prekur bashkëshorten e tij me epsh, ose e ka puthur me epsh, ose ka luajtur me të, duke mos bërë marrëdhënie imtime të drejtpërdrejtë, pavarësisht nëse ka pasur derdhje të lëngjeve seksuale apo jo, Haxhi i tij nuk konsiderohet i prishur, por ai detyrohet me therje të kurbanit.
– Detyrimi i therjes së kurbanit të madh bie edhe mbi muhrimin, i cili tavafuz-zijaretin e ka bërë i papastër – xhunub, ose femra duke qenë me të përmuajshmet femërore.
II- Gabime të mesme
Gabime të mesme konsiderohen ato veprime të cilat mund të riparohen me therjen e një kurbani të vogël. Rastet e tilla janë:
– Veshja e rrobave të qepura. Kur haxhiu ka bërë nijet Haxhin apo Umren dhe është veshur me ihram, i ndalohet të veshë rroba të qepura, të mbulojë fytyrën apo kokën një ditë të plotë, me përjashtim të femrës, e cila mbulimin e kokës e ka detyrim fetar (farz), por jo edhe të fytyrës, andaj, nëse i bën këto gabime, detyrohet të therë kurban për gabimin e bërë, kurse mishin e kurbanit duhet t’ua ndajë të varfërve në Mekë. E nëse atë e vesh gabimisht ose për një kohë më të shkurtër, atëherë duhet të japë sadaka për gabimin e bërë.
– Qethja ose rrojtja. Haxhiu, me të hyrë në ihram, ndalohet të rruhet, të qethet, ose të shkulë qime nga trupi, pavarësisht se bëhet fjalë për fytyrën, kokën, nënsqetullat, apo vendet gjenitale. Kjo dispozitë ligjore islame ka bazë Kur’anore, ku Allahu xh.sh. ka thënë:
وَ لاَ تَحْلِقُواْ رُؤُوسَكُمْ حَتَّى يَبْلُغَ الْهَدْيُ مَحِلَّهُ
“As mos i rruani kokat tuaja derisa ta arrijë kurbani vendin e caktuar.” (Bekare: 196)
Nga kjo nënkuptohet se ai që e rruan kokën e tij apo pjesë të trupit të tij, si nënsqetullat ose rruan vetëm 1/4 e kokës ose 1/4 e mjekrës, pa arsyetim, detyrohet të therë kurban. Mirëpo, nëse të rruarit e kokës e bën për ndonjë arsye, si sëmundja apo për shkak të ndonjë plage në kokë, atëherë para vetes i ka këto alternativa: agjërimin e tri ditëve, sadakanë që duhet t’ua japë të varfërve me sasi prej tre sa’ë duke i dhënë secilit të varfër nga gjysmë sai, ose therja e kurbanit. Kjo dispozitë ligjore islame vërtetohet me ajetin Kur’anor ku Allahu xh.sh. ka thënë:
فَمَن كَانَ مِنكُم مَّرِيضًا أَوْ بِهِ أَذًى مِّن رَّأْسِهِ فَفِدْيَةٌ مِّن صِيَامٍ أَوْ صَدَقَةٍ أَوْ نُسُكٍ
“Po kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensimi është: agjërim, sadaka ose kurban.” (Bekare:, 196)
Nëse haxhiu gjatë ihramit ka rruar mustaqet, ai duhet të japë sadaka, sepse mustaqet konsiderohen pjesë e kokës. Mirëpo, nëse haxhiu ka rruar njërën nënsqetull apo të dyja, detyrohet me therje të kurbanit.
– Prerja e thonjve gjatë qëndrimit të haxhiut në ihram është veprim i ndaluar, andaj nëse muhrimi i pret thonjtë e duarve dhe të këmbëve, apo vetëm të njërës dorë dhe njërës këmbë në një vend, atëherë detyrohet me therje të kurbanit. Mirëpo, nëse thonjtë e duarve i ka prerë në një vend dhe thonjtë e këmbëve në një vemd tjetër, atëherë detyrohet të therë dy kurbane.
– Haxhiu gjatë qëndrimit në ihram e ka të ndaluar përdorimin e parfumeve, që kanë aroma të këndshme. Andaj, nëse haxhiu gjatë ihramëve përdor parfume apo myshqe të ndryshme aromatike, detyrohet me therje të kurbanit.
– Kryerja e tavafit kudum ose ueda duke qenë i papastër – xhunub detyron therjen e kurbanit të vogël (dele), e nëse tavafin e bën pa abdes, atëherë detyrohet me sadaka.
– Kryerja e tavafit zijare (farz) pa abdes e detyron haxhiun me therje të kurbanit të vogël – dele, edhe pse më e udhës është që ta përsërisë atë tavaf dhe të mos therë kurban.
– Nëse gjatë tavafit zijare nuk i ka kryer tri sjelljet e fundit rreth Qabesë, që janë vaxhib, detyrohet të therë kurban të vogël.
– Kryerja e tavafit ueda, duke qenë në gjendje të papastër – xhunub, detyron të therë kurban të vogël, kurse kryerja e tij pa abdes detyron të jepet sadaka.
– Haxhiu, i cili nuk e ka kryer Sa’jin mes sopit të Safasë dhe Meruesë, detyrohet me therje të kurbanit.
– Ata, të cilët dalin nga Arafati para se të perëndojë dielli, detyrohen me therje të kurbanit, mandej edhe ata të cilët nuk qëndrojnë në Muzdelife, si dhe ata që i lënë guralecët pa i gjuajtur, detyrohen me therje të kurbanit.
– Me therje të kurbanit detyrohen edhe ata, të cilët nuk e kanë bërë qethjen dhe rruarjen, pas kthimit nga Arafati, brenda ditëve të Bajramit.
III- Gabime të vogla
Gabime të vogla konsiderohen veprimet më të përditshme me të cilat ballafaqohet haxhiu dhe të cilat mund të riparohen me dhënien e sadakave. Vlera apo sasia e sadakasë që duhet dhënë për një gabim të vogël, sipas juristëve të shkollës juridike Hanefi, është gjysmë sa’ apo përafërsisht 1.900 gr. drithë, një sa’ me hurma ose një sa’ me rrush të thatë. Gjithashtu mund të jepet edhe kundërvlera e tyre në të holla. Disa nga gabimet që detyrojnë sadakanë janë:
– Nëse haxhiu e ka rruar apo qethur më pak se 1/4 e kokës ose mjekrës duke qenë në ihram.
– Nëse ka prerë një thua, nëse gjatë Sa’jit ka lënë më pak se tri ecje, etj.
– Nëse haxhiu e ka rruar kokën e tjetrit duke qenë vetë në ihram, pavarësisht nëse tjetri është në ihram apo jo, detyrohet të japë sadaka për gabimin e bërë.
– Nëse ka prerë më pak se pesë thonj të gishtave, në këtë rast për çdo thua të gishtit duhet të japë nga një sadaka.
– Nëse haxhiu ka veshur rroba të qepura ose ka mbuluar kokën dhe fytyrën për një kohë të shkurtër, më pak se një ditë apo një natë, atëherë detyrohet me sadaka.
– Nëse haxhiu parfumos ndonjë gjymtyrë të trupit, por jo të gjithë trupin.
– Nëse tavafin kudum, tavafin ueda ose ndonjë tavaf tjetër nafile e bën pa abdes, detyrohet me sadaka.
– Nëse e lë mangët ndonjë sjellje të tavafit ueda ose të Sa’jit, gjithashtu detyrohet me sadaka.
Në kontekst të kësaj, ekzistojnë edhe gabime të tjera që kanë të bëjnë me gjuetinë duke qenë në Haxh, pra gjatë ihramit, por meqë kjo dukuri e lashtë kohëve të fundit nuk ekziston, ndaj nuk shihet e arsyeshme të trajtohet.
Edhe diçka që duhet ditur: Ata që e kanë bërë nijet Haxhin dhe që gjatë tij kanë bërë gabime që riparohen me kurban, është kusht që kurbanet duhet t’i therin në Harem, kurse agjërimi mund të bëhet edhe në vende të tjera. Për në fund, rikujtojmë hadithin e Profetit a.s., i cili ka thënë: “Për Haxhin e pranuar, nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit.” (Buhariu)