Shpeshtimi i vizitës së Xhamisë së Pejgamberit a.s.

Të gjitha xhamitë në rruzullin tokësor janë të njëjta për nga vlera e kryerjes së adhurimit në to, pavarësisht se ku gjenden ato, me përjashtim të tri xhamive, që janë: Qabeja në Mekë, Xhamia e Profetit në Medinë dhe Xhamia Aksa në Jerusalem.

Përderisa madhështia dhe shenjtëria e Qabesë dhe e Mesxhidi Aksasë përfitohet nga motivi se janë dy shtëpitë e para të vendosura në rruzullin tokësor për të adhuruar Allahun xh.sh., shenjtëria dhe madhështia e xhamisë së Profetit përfitohet pikërisht për shkak të motivit se aty qëndron edhe varri i zotërisë (Vulës) së të gjithë Profetëve, Muhamedit a.s. Lidhur me këtë i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mos i shpeshtoni udhëtimet për të vizituar xhami, me përjashtim të tri xhamive: Mesxhidi Haramit (Qabesë), Xhamisë sime dhe Xhamisë së Aksasë.

Nëse hadithin e shohim nga këndi analitik, vërejmë se në strukturën e formimit të hadithit i Dërguari thotë: “Xhamia ime” e nuk thotë xhamia e Medinës. Kjo vetvetiu nxjerr në shesh se vlera, madhështia dhe shenjtëria e kësaj xhamie ndërlidhet direkt me të Dërguarin e Allahut. Andaj, hadithi është i qartë në formën e argumentimit dhe nxit shpeshtimin e vizitës së xhamisë së Profetit a.s., faljen e namazit në të, faljen e namazit në Bahçen a Kopshtin (Reudan) e pastër, lutje, lexim të Kur’anit dhe të përmendurit e Allahut xh.sh. Meqë hadithi nxit shpeshtimin e vizitës që duhet bërë xhamisë në këtë formë, nënkupton edhe vizitën e varrit të Profetit dhe përshëndetjen që i bëhet atij, sepse në hadith nuk ka ndalesa për vizitën e varrit të Profetit a.s.

Ibn Asakiri transmeton një ngjarje nga Ebu Dardai r.a. në një sened (zinxhir transmetimi) të mirë, për vizitën e Bilal b. Rebahas, që ia bëri Profetit në Medinë. Dihet fakti se pas vdekjes së Profetit, Bilali kishte shkuar në Sham, më saktë në një qytezë të quajtur Darija, në Siri. Në kohën kur Omer b. Hatabi e kishte çliruar Kudsin, Bilali kishte parë një ëndërr në të cilën kishte parë të Dërguarin e Allahut duke i thënë: “Ç’është tërë kjo zemërngurtësi o Bilal, më harrove të më vizitosh.” Pas ëndrrës, Bilali u zgjua nga gjumi i frikësuar dhe i shqetësuar dhe menjëherë vendosi të udhëtonte për në Medinë, për ta vizituar Profetin a.s. Shkoi në Medinë, e vizitoi varrin e Profetit duke qarë mbi të. Aty takoi nipat e të dërguarit të Allahut, djemtë e Aliut r.a., Hasanin dhe Hysenin, të cilët i përqafoi dhe i puthi. Ata kërkuan diçka nga Bilali duke i thënë:

– Na ka marrë malli të dëgjojmë ezanin tënd ashtu si e thërrisje në kohën e Profetit. Atëherë Bilali u ngjit në vendin e tij ku hipte për ta thirrur ezanin në kohën e Profetit a.s., e kur tha:

Allahu ekber, u drodh e tërë Medina. Kur tha – Eshhedu en lailahe il-lAllah, u shtua edhe më shumë dridhja e Medinës. Kur tha:

Eshhedu en-ne Muhammeden resulull-llah, dolën gratë nga shtëpitë tyre dhe thanë:

– U zgjua Profeti a.s. Nuk mbahet mend ndonjë ditë në historinë e Medinës që të jetë qarë në të më shumë se këtë ditë pas vdekjes së Profetit a.s. Disa dijetarë thonë se Bilali asnjëherë nuk ka thirrur ezan pas vdekjes së Profetrit, përveç asaj dite, pra ditës që ai vizitoi Profetin a.s.

Vërejtje për mos vizitimin e Pejgamberit a.s.

Meqë u vërtetua ligjësia dhe vlera e vizitës së Profetit dhe përfitimet që arrin vizituesi, nënkuptohet se të mos vizituarit e Profetit, veçanërisht për ata që kanë mundësi për ta bërë dhe nuk e bëjnë këtë, tërheq vëmendjen e myslimanit. Për këtë na mëson i Dërguari i Allahut në hadith e tij, ku thotë:

Kush e bën Haxhin dhe nuk më viziton mua, ai veç më ka harruar mua.                                                                                         

 Lidhshmëria mes Haxhit dhe vizitës së bërë Profetit në këtë hadith, nënkupton se atyre që e kryejnë detyrimin e Haxhit, u jepet mundësia reale për ta vizituar edhe Profetin, veçanërisht ata që mbërrijnë atje nga vendet e largëta. Andaj, nëse nuk e vizitojnë Profetin, ata e kanë harruar atë, si pasojë e zemërngurtësisë së tyre apo mosmirënjohjes. Në një transmetim tjetër Profeti ka thënë: “Ai i cili nuk më viziton mua, ai më ka harruar mua”, kurse në një transmetim tjetër thuhet: “Kush e viziton varrin tim pas vdekjes sime, është ngjashëm sikur të më ketë vizituar gjatë jetës sime, e kush nuk më viziton, ai më ka harruar mua.

Nga këto hadithe na bëhet i ditur fakti se i Dërguari i Allahut ka sqaruar se ata që nuk e vizitojnë atë janë zemërngurtë, e zemërngurtësia nuk është cilësi e besimtarit të devotshëm, andaj edhe i tërhiqet vërejtja.

Edukata gjatë vizitës së Pejgamberit a.s.

Të gjithë ata të cilët kanë fatin të vizitojnë Profetin a.s., duhet t’i përmbahen edukatës dhe rregullave islame gjatë vizitës së tyre. Kur vizitori të hyjë në Xhaminë e Profetit a.s. duhet të jetë i qetë shpirtërisht, i kënaqur dhe të mos e ngrejë zërin, sepse ngritja e zërit në xhami është veprim i ndaluar sipas islamit, kurse për në Xhaminë e Profetit mbizotërimi i qetësisë dhe paqes  është edhe më parësore.

Transmetohet nga Ebu Bekri se ka thënë: “Nuk duhet, nuk është nga edukata islame ngritja e zërit te Profeti as duke qenë i gjallë e as i vdekur.

Po ashtu tregohet se Omer b. Hatabi r.a. njëherë i kishte parë dy burra nga Taifi dhe u tha: “Sikur të ishit nga vendi, nga Medina, do t’ju kisha kthyer prapë duke u rrahur, a po e ngrini zërin në Xhaminë e të Dërguarit të Allahut xh.sh.

Aisheja, bashkëshortja e Profetit, në një rast kur disa fqinjë për rreth xhamisë punonin diçka dhe, normalisht, duke punuar kishin bërë zhurmë duke ngulur gozhda, atëherë ajo e kishte dërguar një njeri tek ata, që u kishte thënë: “Më ngadalë, mos e shqetësoni të Dërguarin e Allahut.

Thuhet se kalifi Mensuri gjatë një polemike me Imam Malikun e kishte ngritur zërin në Xhaminë e Profetit dhe Imam Maliku i kishte thënë: “O sunduesi i myslimanëve, mos e ngrini zërin këtu në Xhaminë e Profetit a.s., sepse vërtet Allahu i ka edukuar disa njerëz duke u thënë:

يا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لا تَرْفَعُوا أَصْواتَكُمْ فَوْقَ صَوْتِ النَّبِيِّ

 O ju që keni besuar, mos i ngrini zërat tuaj mbi zërin e Profetit.” (Huxhurat, 2), dhe e ka lavdëruar një pjesë të tyre duke u thënë:

إِنَّ الَّذِينَ يَغُضُّونَ أَصْواتَهُمْ عِنْدَ رَسُولِ اللَّهِ أُولئِكَ الَّذِينَ امْتَحَنَ اللَّهُ قُلُوبَهُمْ لِلتَّقْوى

Ata që ulin zërat e tyre pranë të Dërguarit të Allahut, Allahu zemrat e tyre i ka përshtatur për devotshmëri..” (Huxhurat, 37) dhe ua tërheq vërejtjen një pjese të popullit, kur thotë:

إِنَّ الَّذِينَ يُنادُونَكَ مِنْ وَراءِ الْحُجُراتِ أَكْثَرُهُمْ لا يَعْقِلُونَ

Ata të cilët thërrasin përtej mureve, shumica e tyre janë që nuk kuptojnë.” (El-Huxhurat, 4)

Respekti ndaj Profetit që fle gjumin e rëndë (vdekjen), duhet të jetë i barabartë me respektin sikur ai të ishte i gjallë.

Falja e namazit në Xhaminë e Profetit është më e vlefshme se në të gjitha xhamitë e tjera, përveç Qabesë (Bejtullahit). Profeti a.s. lidhur me këtë ka thënë:

صَلَاةٌ فِي مَسْجِدِي هَذَا خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ صَلَاةٍ فِيمَا سِوَاهُ إِلَّا الْمَسْجِدَ الْحَرَامَ

Namazi në Xhaminë time është më i vlefshëm se një mijë namaze në xhamitë e tjera, përveç Bejtull-llahut (Qabesë).” (Buhariu)

Kjo vlefshmëri i përfshin edhe namazet farze edhe ato nafile.

Personi, i cili dëshiron të vizitojë Resulull-llahun (të Dërguarin e Allahut) është mirë që të shtojë sa më shumë salavatet mbi Profetin a.s. Gjithkush që ka fatin të mbërrijë para tij, shpinën e kthen kah Kibla dhe qëndron me fytyrë kah muri i varrit duke parë kokulur, i përgjëruar ndaj kujtimit për të, që e ruan përjetë në zemrën e tij. Para se të ndahet me të Dërguarin, e përshëndet duke mos ngritur zërin dhe mes ngashërimit të lehtë i thotë: “Es-selamu alejke ej-juhen-nebij-ju ue rahmetull-llahi ue berekatuhu.” Nëse dëshiron të zgjasë lutjet, e ka edhe atë mundësi.

Pastaj drejtohet në të djathtë kah lindja afër një metër dhe përshëndet Ebu Bekrin r.a., përshëndet Omerin r.a. Pas kësaj shkon te kopshti (reuda) i pastër, ku fal namaz dhe bën dua. Transmetohet nga Ebu Hurejreja se Profeti ka thënë:

مَا بَيْنَ بَيْتِي وَمِنْبَرِي رَوْضَةٌ مِنْ رِيَاضِ الْجَنَّةِ وَمِنْبَرِي عَلَى حَوْضِي

Ajo që është mes varrit tim dhe minberit (foltore) tim, është Reuda (kopsht) prej kopshteve të Xhenetit, e edhe minberi i takon kopshtit (Reudas).” (Buhariu)

Vizitat e tjera në Medinë

Gjatë qëndrimit në Medinë për haxhiun është mustehab që të vizitojë disa vende të tjera. Mes tyre janëvarrezat në Beki ku prehen mbi dhjetë mijë sahabë, mes tyre edhe familja e Profetit a.s., gratë e tij, Osmani r.a. etj. Është e pëlqyeshme për haxhiun që mundësisht ditën e shtunë të vizitojë Xhaminë e Kubasë, xhamia e parë e ndërtuar në Medinë.

Po ashtu, është mirë që të vizitohet xhamia e quajtur Mesxhidul Fet’h ose (Shtatë Xhamitë). Këto xhami janë afër Hendekut, të cilin e hapi Profeti a.s. vitin e 5-të të Hixhretit. Gjithashtu, është mirë të vizitohet Xhamia e Dy Kibleve (e njohur si Mesxhidi kibletejn), pastaj Varrezat e Dëshmorëve në Uhud etj.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: