Veçoritë e muajit të Shabanit dhe vlera e adhurimit në të

Muaji i Shabanit ka një vlerë të jashtëzakonshme në fenë Islame dhe Profeti Muhamed (a.s) i kushtonte një rëndësi të veçantë këtij muaji. Shabani është një muaj i cili gjendet në kalendar midis muajit të shenjtë të Rexhebit dhe muajit të madhërishëm të Ramazanit. Për shkak se gjendet midis dy muajve të mëdhenj, ndodh që pjesa më e madhe prej nesh mos t’i kushtojmë rëndësinë e duhur këtij muaji dhe neglizhojmë shumë në të. Këtë të vërtetë na e tregon edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s).

Një nga adhurimet më të shumta që bënte Profeti (a.s) në këtë muaj, ishte agjërimi. Ai agjëronte aq shumë, saqë Hz. Aishja (r.a) do të shprehej: “Profeti a.s nuk ka plotësuar agjërimin e asnjë muaji tjetër, përveç Ramazanit. Pas Ramazanit, muaji që agjëronte më së shumti ishte muaji Shaban.” Ndoshta kjo do të ishte edhe një përgatitje për ta pritur sa më mirë muajin e madh të Ramazanit.

Usama b. Zejd (r.a) e pyeti Profetin (a.s) për arsyen e agjërimit të tij të shumtë në muajin e Shabanit dhe ai i tha: “Shabani është një muaj midis Rexhebit dhe Ramazanit, muaj që njerëzit nuk ia dinë vlerën atij. Por në këtë muaj ngrihet veprat te Zoti i gjithësisë. Unë dua që kur veprat e mia të ngrihen te Zoti, të jem agjërueshëm.”

Në muajin e lënë pas dore nga njerëzit, i Dërguari i Allahut preferoi ta kalonte pjesën më të madhe të tij me agjërim. Gjithashtu, zgjodhi që gjendja e tij, teksa punët prezantoheshin përpara Krijuesit të gjithësisë, të ishte sërish ajo e agjërimit. Kur dikush kishte shkuar pranë tij dhe i kishte kërkuar këshillë, ai i kishte thënë: “Agjëro, sepse agjërimi nuk ka të ngjashëm!” “Agjëro, sepse asnjë vepër nuk është e barabartë me agjërimin!”

Muaji i Shabanit mund të shfrytëzohet edhe duke lexuar sa më shumë Kuran. Disa njerëz të mirë, e kanë quajtur Shabanin si muajin e lexuesve të Kuranit. Shumë prej tyre i pakësonin në këtë muaj angazhimet e kësaj bote, veçoheshin më shumë në shtëpi dhe fillonin leximin e Kuranit. I gjithë ky adhurim mund të mendohet edhe si një përgatitje e denjë për pritjen e mysafirit të madh, Ramazanit!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: