Tryeza dhe kultura e ushqimit të Profetit Muhamed s.a.s.

Me tryezën e Profetit s.a.s nuk duhet të kuptohet një tryezë tradicionale me njerëz që vijnë e shkojnë. Në jetën e Tij, s.a.s nuk ka pasur asnjëherë një tryezë/sofër të mirëfilltë. Shërbëtori i Tij, Enesi, që i është gjendur gjithnjë pranë, tregon për tryezën e Profetit: “I Dërguari i Zotit nuk ka ngrënë bukë me pjata të veçuara apo mbi tryeza me këmbë të bëra prej druri. Nuk ka ngrënë bukë prej mielli të pastruar nga krundet ose bukë me petë brumi. Pas kësaj e pyeta Kataden se mbi çfarë hanin bukë? Katade u përgjigj: “Mbi këto sofra të rrumbullta të bëra prej lëkure.”[1]

Në shtëpinë e Profetit s.a.s nuk ka pasur asnjëherë tryeza të ngarkuara. Ai jetën e kësaj bote e shihte si kapital për botën tjetër dhe ky parim ka qenë në qendër të jetës së Tij. Në të vërtetë këtu ka një udhëzim dhe këshillë për umetin e Tij. Ka një paralajmërim për ata që janë kërkues ndaj botës dhe pasurisë. Sipas asaj që tregohet në pjesën ‘Kitabul Et’ime’ të Sahihut të Buhariut, Profeti s.a.s gjatë jetës së Tij, jo vetëm që nuk ka ngrënë ndonjëherë bukë prej gruri, por as nuk e ka parë.

Pëlqente shumë disa lloje gjellësh. Parapëlqente uthullën, ëmbëlsirën me mjaltë, vajin e ullirit dhe disa gjellë me zarzavate. Një herë kishte shkuar në shtëpinë e Umu Hanit:

– “A ka ndonjë gjë për të ngrënë?”, e kishte pyetur.

– “Uthull.”

– “Në atë shtëpi ku ka uthull nuk mund të thuhet se nuk ka asgjë”, – i ishte përgjigjur. Në vendet arabe gatuhet një lloj gjelle që e quajnë ‘his’. Përgatitet duke përzjerë gjalpin me djathë dhe hurma. Profeti e pëlqente shumë këtë gjellë.

Një ditë, Hasani dhe Abdullah ibn Abasi kishin shkuar te Umu Seleme dhe i kishin thënë:

– Sot na gatuaj gjellën më të preferuar të Profetit.

– Mirë, po a do ta pëlqeni? – i pyeti ajo. Meqë ata këmbëngulën, Umu Seleme siti miellin e elbit, e vendosi në kusi dhe kusinë në oxhak. Pasi u bë, ua serviri duke u thënë:

– Ja, kjo është gjella më e preferuar e Profetit. Nga llojet e mishit Profeti ka ngrënë mish dashi, dhie, pule, deveje, lepuri dhe peshk.

Kur Profeti s.a.s u martua me Safijen (r.a.), në dasmë gostia përbëhej vetëm nga hurma dhe supë me miell të skuqur. Shalqirin e hante me hurma. I pëlqente kastraveci. Një ditë, Muavidh ibn Afra i kishte sjellë hurma dhe kastravecë. Ndonjëherë hurmën e ka ngrënë edhe me bukë.

Pëlqente shumë ujin e ftohtë. Ndonjëherë pinte qumësht të papërzier dhe ndonjëherë e pinte mbasi i hidhte pak ujë. Ndonjëherë i ziente bërthamat e hurmës, të kajsisë dhe të rrushit, pastaj pinte lëngun e tyre. Mes enëve të ushqimit kishte edhe një pjatë druri të lidhur me tela. Kështu transmetohet, por mund të ketë qenë e lidhur sepse ka qenë e thyer.

Nëse nuk e pëlqente gjellën në tryezë, nuk e zgjaste dorën. Por asnjëherë nuk thoshte që është e keqe. Nuk luante me gjellën para tij. I ndalonte dhe të tjerët të bënin diçka të tillë. Asnjëherë nuk ka ngrënë duke u mbështetur diku apo duke u shtrirë dhe nuk e ka pëlqyer. Nuk ka ngrënë në tryezë apo në një tepsi. Sofra e tij ishte një tepsi e madhe, pak e ngritur nga toka. Iranianët e përdornin për të vendosur gjellët dhe për të ngrënë. Kjo ishte një shenjë e qartë lavdërimi dhe mburrjeje dhe i përkiste njerëzve të pasur apo atyre që kërkonin të dukeshin. Për këtë arsye Profeti nuk preferonte të hante bukë mbi të. Hante vetëm me tre gishta.[2] Mishin ndonjëherë e ka ngrënë duke e ndarë me thikë.[3]

 

[1]Buhariu, 5/2059; Tirmidhiu, 4/250; Ibn Maxhe, 2/1095; Ahmed b. Hanbel, 3/130.

[2]Muslimi, 3/1605; Ebu Davudi, 2/393; Ahmed b. Hanbel, 3/177; Darimi, 2/133.

[3]Shuabul-Iman, 5/91. Në Ebu Davud ka një hadith: “Mos e ndani mishin me thikë sepse ky është zakon i atyre që nuk kuptojnë. Por Ebu Davudi e quan hadithin të dobët. Transmetuesi i këtij hadithi Ebu Ma’sher Nuxhejh quhet nga Buhari si një person që s’i pranohet hadithi.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: