Vështirësitë e jetës janë pastrim për mëkatet e besimtarit
Në një hadith thuhet se të gjitha llojet e problemeve që e shqetësojnë besimtarin si pikëllimi, mërzitja, lodhja dhe sëmundja, qofshin ato të përkohshme apo të përhershme, fizike apo shpirtërore, të lidhura me të ardhmen apo me të kaluarën, dhe madje edhe një gjemb që i ngulet në këmbët e tij, të gjitha këto do të jenë shlyerje për mëkatet e një myslimani. Kjo tregon se jo të gjitha fatkeqësitë që godasin njeriun, do të thotë se janë ndëshkim për të. Ajo që ka rëndësi është të kesh durim kur të godet një fatkeqësi.
Qëndresa e një myslimani që e di se fatkeqësitë që e godasin do t’i shlyejnë mëkatet, do të rritet dhe ai do të rikuperojë moralin e tij. Ky duhet të jetë qëllimi kryesor i hadithit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) përmendur këtu lidhur me durimin.
Hadithi është dëshmi se sëmundjet dhe gjithçka që shqetëson një mysliman e pastrojnë atë nga mëkatet e tij.
Njeriu nuk duhet të durojë dy humbje në të njëjtën kohë: të vuajë nga dhimbja dhe të privohet nga sevapi i saj; ai duhet të jetë i durueshëm përballë gjërave që i ndodhin. Nuk duhet harruar sa vijon: “Personi i vërtetë që goditet nga fatkeqësia është ai që privohet nga sevapet e saj”.