Të thirresh për t’u futur në Xhenet nga të gjitha dyert e tij

Një ditë, Profeti Muhamed (s.a.s.), njoftoi shokët e tij se njerëzit do të futeshin në Xhenet nëpërmjet dyerve të ndryshme. Secila nga këto dyer mbante një emër të caktuar, sipas punës së mirë me të cilën identifikohej. Për shembull; dikush do të futej në Xhenet nga dera e agjërimit e quajtur Rejjan, dikush nga dera e lëmoshës, sepse kishte dhënë shumë sadaka në këtë botë, dikush tjetër nga dera e namazit dhe kështu me radhë. Kur Profeti (a.s.) po fliste rreth këtij fakti, atypari u dëgjua zëri i Ebu Bekrit, që pyeti: “A do të ketë ndonjë person që do të thirret njëkohësisht nga të gjitha këto dyer, o i Dërguar i Allahut?” Po, – i tha ai. Shpresoj që ti, o Ebu Bekr, do të jesh njëri prej atyre personave.

A ishte thjesht një rastësi që ky sahab do të thirrej nga të gjitha dyert e Xhenetit dhe ai mund të futej nga cila derë të donte, apo ka diçka më tepër? Për ta lidhur këtë çështje më mirë me anën praktike të jetës së Ebu Bekrit, do të përmendim një ndodhi tjetër, e cila tregon qartë se ai ishte njeri që dallonte në çdo vepër të mirë.

Teksa një ditë Profeti Muhamed (s.a.s.) i kishte mbledhur shokët e tij, ai nisi të pyesë. “Kush nga ju është zgjuar agjërueshëm sot? Ebu Bekri u përgjigj: “Unë, o i Dërguar i Allahut.” Ai vijoi: “Kush prej jush ka ushqyer një të varfër sot?” Ebu Bekri tha: “Unë, o i Dërguar i Allahut.” Profeti vazhdoi: “Kush prej jush ka vizituar një të sëmurë sot?” Ebu Bekri tha sërish: “Unë, o i Dërguar i Allahut.” Profeti pyeti sërish: “Kush prej jush ka marrë pjesë në shoqërimin e një xhenazeje sot? U dëgjua edhe njëherë zëri i Ebu Bekrit. “Unë, o i Dërguar i Allahut.” Pasi mori këto përgjigje nga shokët e tij, Profeti (a.s.) dha përgëzimin duke thënë: “Cilido njeri që i bashkon të gjitha këto cilësi, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit.”

 

Postime të ngashme