Njeriu që nuk u dal asnjëherë nga veprimi i të mirës, Ebu Bekri (r.a.)
Të flasësh për Ebu Bekrin (r.a.) sigurisht që nuk mjafton një shkrim i shkurtër, por ndoshta do të duheshin vëllime të tëra. Dimë aq shumë virtyte të tijat dhe aq shumë ndodhi nga jeta e tij, saqë diçka mund ta themi me siguri, ai është vërtet njeriu që meriton të jetë menjëherë pas profetëve, në pozitën e lartë që ai zotëron. Çfarë e bëri këtë njeri të meritonte një emër të lartë? Çfarë ishte ajo që e shtynte aq shumë të dallohej tërësisht në vepra të mira? Kishte plotësisht të drejtë një dijetar kur u shpreh për të përpara njerëzve të tij: “Ai nuk i kaloi të tjerët vetëm me shumë namaz, agjërim dhe sadaka, por me diçka që ishte rrënjosur thellë në zemrën e tij”.
Ebu Bekri (r.a.) lindi rreth 2 vjet më vonë se Profeti Muhamed (s.a.s.). Ai i përkiste fisit Benu Tejm, të cilët gëzonin një pozitë të lartë mes fiseve të tjera arabe dhe njihej si fis pajtues dhe i paqtë ndër fiset e tjera. Ebu Bekri (r.a.) do të rritej në të njëjtin mjedis me Profetin tonë të dashur. Ata kishin diçka të përbashkët, e cila nuk gjendej te njerëzit e tjerë. Edhe para se Profetit tonë t’i zbriste shpallja, asnjëri prej tyre s’ishte përulur ndonjëherë për adhurim përpara putave dhe as nuk kishin konsumuar ndonjëherë alkool. Ebu Bekri njihej si njeri i ndershëm, elokuent dhe bamirës. Ai ishte një tregtar i ndershëm dhe i suksesshëm, gjë që do ta bënte të njohur atë në mbarë shoqërinë arabe të asaj kohe.
Menjëherë pasi iu shpall Kurani Profetit Muhamed (s.a.s.), ai shkoi te miku i tij Ebu Bekri dhe i tregoi se çfarë i kishte ndodhur. Reagimi i Ebu Bekrit ishte i menjëhershëm; “Ti po thua të vërtetën”! Vetë Profeti ynë i dashur ka përmendur: “Çdokujt që i shkova me mesazhin e Islamit, në fillim hezitoi sadopak në pranimin e tij, përveç Ebu Bekrit, ai e pranoi menjëherë atë”. Pasi pranoi Islamin, Ebu Bekri filloi menjëherë të bëhej mbështetësi kryesor i Profetit Muhamed (s.a.s.). Nëse nuk e keni dëgjuar më herët, dijeni se Ebu Bekri filloi të thërriste menjëherë njerëzit në rrugën e fesë. Ai u bë shkak që shumë burra të mëdhenj të pranonin Islamin. Ndër ta mund të përmendim; Hz. Osmani, Hz. Abdurrahman bin Aufi, Hz. Talha, Hz. Sa’d bin Ebi Vekasi dhe Hz. Zubejr ibn Avvami (r.a.).
Hz. Ebu Bekri (r.a.) nuk u ndal vetëm me mbështetjen që i dha Profetit Muhamed (s.a.s.) për t’i thirrur njerëzit në besim, qoftë edhe fshehurazi, por ai u dallua edhe për një vepër tjetër të madhe. Ky njeri i nderuar ishte ndër më të pasurit e Mekës, por ai u largua prej saj me shumë pak pasuri. Ku u harxhua pasuria e tij? Ai vraponte sa andej këndej për t’i dhënë liri robërve, të cilët keqtrajtoheshin vetëm se kishin pranuar Islamin. Ndër njerëzit që ai i liroi nga robëria, do të ishte edhe zotëria ynë Bilali (r.a.), myezini i Profetit (a.s.). Babai i tij i tha: “Për çfarë të bën dobi ky skllav, biri im?” Ai iu përgjigj: “Shpresoj që ky njeri të më bëjë dobi në ahiret”!
Ai e meritonte me të vërtetë titullin “Es-Siddik”, njeriu i sinqertë, besnik dhe fjalëdrejtë. Por, kur e mori ai këtë titull? Teksa Profeti ynë i dashur po kthehej nga udhëtimi madhështor i Israsë dhe Miraxhit, ai ishte i shqetësuar për diçka. Kundërshtia dhe refuzimi që po haste asokohe nga populli i tij ishte vërtet i madh, prandaj i shqetësuar, pyeti engjëllin e shpalljes: “Kush do të më besojë mua tani nga populli im, kur t’ia tregoj të gjitha këto mrekulli”? Xhebraili i tha: “Do të të besojë ty Ebu Bekri, sepse ai është njeriu i sinqertë (es-siddiku).”
Ashtu ndodhi vërtet. Njerëzit menduan se pas atyre që tregoi Profeti Muhamed (a.s.), ndjekësit e tij do të largoheshin nga ai, sepse ai po fliste marrëzira sipas tyre. Vrapuan menjëherë për te Ebu Bekri, duke qenë të bindur se ai do të kthehej nga feja e Muhamedit (a.s.). “A e ke dëgjuar se ç’thotë njeriu që ti e ndjek si profet? Ai po pretendon se brenda natës ka udhëtuar për në Bejtul Makdis në Jeruzalem dhe më pas ka takuar Zotin e tij! Është koha të heqësh dorë nga ky njeri dhe të kuptosh marrëzinë e tij.” Ebu Bekri, pyeti i qetë: “A e ka thënë ai diçka të tillë?” Po!, – i thanë. Ai vijoi: “Nëse e ka thënë ai, atëherë është e vërtetë. Unë besoj që ai sjell shpalljen nga Zoti i Lartësuar, pse mos ta besoj për diçka të tillë?”