Të mirat sociale dhe shëndetësore të agjërimit
Agjërimi është burimi i vlerave të larta morale si: dashuria e sinqertë e njeriut ndaj qenieve të tjera njerëzore; zemërgjerësia; mëshira ndaj të varfërve; ndjenja e pastër e vëllazërisë dhe solidaritetit social; respektimi i përgjegjësisë së përbashkët të individit dhe shoqërisë.
Gjatë periudhës njëmujore, ndjenjat e të pasurit zgjohen për të kontribuuar në përmirësimin e gjendjes së gjithanshme të anëtarëve të shoqërisë. Sensibilizimi në këtë muaj është shumë herë më i madh se në çdo periudhë tjetër të vitit.
Agjërimi zhvillon dhe forcon tek njeriu cilësitë e durimit, ekuilibrit, kontrollit dhe vetëpërmbajtjes. Një individ, kur agjëron duhet të shmangë dëshirat dhe pasionet e tij, duke i vënë nën kontroll ato. Kështu ekuilibrimi i individit sjell edhe ekuilibrimin e shoqërisë.
“Dora që jep është më e lartë se dora që merr” – thuhet në një nga thëniet e profetit Muhamed.
Nga vlerat më të çmuara të shqiptarëve kanë qenë bujaria dhe solidariteti. Historikisht shqiptarët kanë treguar se janë bujarë dhe këtë vlerë e kanë treguar në shumë raste në të gjithë ekzistencën e tyre si komb, pavarësisht periudhave në të cilat u është dashur të kalojnë. Po sot a janë shqiptarët aq solidarë?
——
Agjërimi përveç adhurimit dhe ndikimit shpirtëror, moral dhe social, ka edhe shumë efekte pozitive për shëndetin e njeriut. Studime të shumta në lidhje me dobitë shëndetësore të agjërimit kanë provuar se gjatë muajit të Ramazanit trupi pastrohet nga helmet që gjenden në të.
Specialistët e fushës përmendin një numër të madh argumentesh shkencore për dobitë shëndetësore të agjërimit, ndër të cilat veçohet forcimi i sistemit imunitar. Agjërimi e mbron trupin nga një numër i madh sëmundjesh.
Agjërimi mbron nga dhjamosja dhe rreziqet që vijnë prej saj, si sëmundjet e brendshme dhe të zemrës, dhimbjet e kyçeve, asimilimi i vertebrave; mbron trupin nga formimi i gurëve në veshka; nga rreziqet e helmeve të grumbulluar në qelizat dhe indet e tij.
Është vërtetuar gjithashtu se agjërimi të mbron edhe nga sëmundjet mendore dhe psikike.
Të gjitha këto dobi shëndetësore të agjërimit, profeti Muhamed, i ka përmbledhur në thënien: “Agjëroni, të jeni të shëndetshëm!”, duke i siguruar shëndetin bashkësisë së tij.
©URTESI.AL