Të jesh falënderues ndaj mirësive
Një nga përshkrimet që i bëhet Profetit (a.s) në një rresht poezie është, “njeriu që falet, ndërkohë që të tjerët flenë”. Ishte një praktikë e vazhdueshme e Profetit (a.s) falja e namazit në çdo natë. Sipas një ngjarjeje, bashkëshortes së tij një natë i doli i gjumi dhe pa Profetin (a.s) teksa falej në mënyrë aq intensive saqë i ishin ënjtur këmbët dhe sytë i rridhnin vetëm lot. Kur përfundoi namazin e tij, ajo i tha: “Pse e bën këtë, o i Dërguar i Allahut? Ty të është falur e pastruar çdo gjë e kaluar dhe çdo gjë që vjen.” Ai iu përgjigj: “A të mos jem një rob falënderues?”
Falënderimi na shfaqet shpesh si një nga temat e Kuranit dhe si një cilësi e atyre që i besojnë vërtet Zotit. “Më përmendni Mua dhe Unë do t’ju përmend juve; bëheni falënderues ndaj Meje dhe kurrë mos u bëni mosmirënjohës.” Është interesante që fjala e përdorur për mosmirënjohjen është “tekfurun”, që do të thotë mbulim dhe fshehje e mirësive. Atëherë, mosmirënjohja është fshehje e mirësive të Zotit dhe mbulim i tyre, duke mos i pranuar me zemër dhe duke qenë i pavetëdijshëm për to. Është e njëjta fjalë që përdoret edhe për mohimin, sepse në fakt mohimi i Zotit, është mohim i burimit të atyre mirësive.
Kështu, falënderimi shihet si një cilësi e zemrës dhe ndërgjegjes së besimtarit. Në Kuran thuhet: “Nëse përpiqeni t’i numëroni mirësitë e Zotit, ju s’do të arrini dot kurrë ta bëni këtë gjë.” Mirësitë që meritojnë më tepër falënderim, janë shpeshherë ato që neglizhohen më tepër. Për shembull, ne marrim mesatarisht 12 herë frymë në një minutë, e cila përkthehet si 17 280 herë frymë gjatë gjithë ditës. Nëse ne privohemi nga frymëmarrja për një kohë shumë të shkurtër, rezultati do të ishte katastrofik deri në vdekje. Megjithatë, kur ka qenë hera e fundit që ne kemi falënderuar për këtë mirësi?
Gjatë muajit të Ramazanit vlera e mirësive kuptohet me atë të privimit ndaj tyre dhe duke përjetuar një humbje për një sasi të caktuar orësh. S’ka asgjë që shijon më tepër se një gotë e ftohtë uji, pasi ke agjëruar me orë të tëra në një ditë të nxehtë e të lodhshme. Por, kjo mirësi nuk duhet marrë si e mirëqenë jashtë muajit të Ramazanit dhe gjithnjë duhet kujtuar gjendja e atyre që nuk arrijnë dot te uji i pastër dhe te ushqimi.
Qoftë edhe me mirësitë më të vogla vjen edhe përgjegjësia për t’i përdorur ato në qëllimin e krijimit të tyre dhe në rrugën e Zotit. Mënyrën e reflektimit për këto mirësi mund ta bëjmë në dy mënyra. E para është të pranuarit e këtyre mirësive dhe më pas shfaqja e falënderimit për to përmes gjuhës sonë. E dyta është, ta pyesim veten nëse po e përdorim si duhet këtë mirësi dhe ashtu sikurse Zoti dëshiron prej nesh. Ky reflektim fillon që nga pjesa se si ne përdorim sytë, veshët, gjuhën, duart dhe këmbët tona. Më pas, si e përdorim kohën, pasurinë, energjinë tonë dhe kështu me radhë.
Është e lehtë që njeriu të bjerë në gjendjen e mosmirënjohjes. Por, sa herë që përballesh me vështirësi e sprova, mos harro që ka ende mirësi për të cilat duhet të jesh mirënjohës. Përqendrohu në ato bekime. Kujtoje veten se gjërat mund të shkonin edhe më keq, përpiqu të kesh një gjendje pozitive dhe mos i lejo vështirësitë të të rrëzojnë. Zoti thotë: “Nëse më falënderoni, do t’jua shtoj edhe më tepër mirësitë.” Ky shtim nuk është gjithmonë i dukshëm në vetë mirësitë, por mund të jetë edhe një shtim në gjendjen tonë të kënaqësisë ndaj asaj që na jep Zoti.