Agjërimi, akademia praktike e durimit

Sa herë që flasim për durimin, shohim që bëhet fjalë për një cilësi shumë të lavdëruar dhe të nevojshme për natyrën njerëzore. Ajetet dhe hadithet që flasin për këtë virtyt janë vërtet të shumta për t’u numëruar. Durimi shihet si një cilësi e nevojshme për të përshkruar udhët e jetës dhe është i domosdoshëm për të arritur shumë qëllime në jetë. Besimtarët janë njerëz që karakterizohen nga durimi dhe maturia. Sa herë që ata përballen me diçka në jetë, menjëherë strehon te kalaja e durimit dhe presin që gjërat të zgjidhen në mënyrën më të mirë të mundshme.

Të gjithë njerëzit lindin me një kapacitet të caktuar durimi, por kjo s’do të thotë që ne s’duhet të punojmë mbi kultivimin e kësaj cilësie dhe forcimin e saj te vetja. Profeti (a.s) e përshkruan durimin si një nga dhuratat më të mëdha dhe më të begata që Zoti mund t’i japë njeriut. Kur flasim për Ramazanin, s’duhet të harrojmë edhe lidhjen e tij të ngushtë me durimin. Në fakt, një prej emrave të këtij muaji të begatë është edhe “muaji i durimit”, i quajtur kështu nga Profeti Muhamed (a.s). Me anë të agjërimit të Ramazanit ne praktikojmë në mënyrë aktive edhe cilësinë e durimit dhe përpiqemi ta forcojmë atë te vetja.

A është i mundur realizimi i të gjithë adhurimeve të Ramazanit, përveçse me durim? Sigurisht që jo! Të agjërosh ditën e të falesh natën, kërkon durim. Të kujdesesh për agjërimin tënd duke monitoruar me kujdes çdo lëvizje e veprim, sigurisht që kërkon durim. Por, edhe vështirësitë që ndonjëherë vijnë me agjërimin kërkojnë durimin dhe në fakt na e mësojnë atë. I gjithë Ramazani përveç të tjerash rrotullohet edhe rreth këtij koncepti. Zoti thotë: “Padyshim, durimtarëve do t’u jepet një shpërblim i pamasë.” Shpërblimi për këtë virtyt nuk është gjë tjetër veçse Xheneti.

Dijetarët e kanë përkufizuar durimin kryesisht duke u fokusuar në tri aspekte të tij dhe të gjitha këto aspekte janë shumë prezentë gjatë adhurimit të agjërimit. Lloji i parë i durimit lidhet me atë në adhurime. Që ta adhurosh Allahun, kërkon durim dhe nuk arrihet përveçse me të. Lloji i dytë i durimit ka të bëjë me të qëndruarit larg nga ndalesat. Këtë gjë përpiqet ta realizojë edhe agjëruesi, teksa mundohet ta mbajë agjërimin e tij të pastër nga çdo gjë që mund ta dëmtojë atë. Lloji i tretë i durimit lidhet me sprovat dhe vështirësitë e jetës, nga të cilat nuk shpëton dot askush. Përballimi me sukses i lodhjes që vjen nga uria dhe etja, janë një element i durimit që gjendet edhe gjatë agjërimit. Kështu, besimtari përgatitet më mirë për sfidat dhe peripecitë e jetës.

Ramazani synon të kultivojë tek ne virtytin e durimit. Duhet ta dimë se sa herë që durojmë për hir të Zotit, gjithnjë do të marrim shpërblim për të. Durimi në një aspekt është kontroll i vetes dhe ruajtje e gjendjes emocionale. Njeriu që arrin ta kontrollojë veten, sigurisht që do t’i shpëtojë shumë sprovave në jetë, do të shmangë shumë të këqija në rrugën e tij dhe në fund do të fitojë kënaqësinë e Zotit. Allahu është me durimtarët dhe i do ata. Ai kërkon që të kërkojmë ndihmë gjatë jetës sonë nëpërmjet durimit dhe namazit. Disa dijetarë e kanë përshkruar durimin këtu si agjërim. Agjërimi mbahet vetëm në sajë të durimit dhe gjithashtu, fryt i tij duhet të jetë edhe forcimi i këtij virtyti në karakterin tonë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: