Besimtari është njeri që reflekton mirësi

Sahabët e përshkruajnë Profetin Muhamed (a.s) si njeriun që buzëqeshte më së shumti, edhe pse ai përbrenda ndiente shqetësimin për çdo qenie njerëzore. Mënyra se si ai e ruante këtë gjendje është vërtet për t’u habitur, duke ditur se ai ishte njeriu që u sprovua më së shumti në këtë jetë. Asnjë vështirësi e kësaj bote nuk e bëri atë të anashkalonte çdokënd që i vinte pranë, duke treguar ndaj çdo njeriu përkujdesje, dashuri dhe mëshirë. Po ashtu, edhe fjalët e tij shprehnin optimizmin dhe dashurinë për jetën në shërbim të Krijuesit.

Hadithi që e demonstron më së miri konceptin se si besimtari duhet të mundohet të nxjerrë të mirën nga çdo situatë e jetës është si në vijim: “Sa e mahnitshme është çështja e besimtarit. E gjithë çështja e tij është mirësi për të dhe diçka e tillë vlen vetëm për të. Nëse atij i vjen një mirësi, ai falënderon dhe kjo është në të mirën e tij. Nëse atij i vjen një sprovë, ai duron dhe kjo është në të mirën e tij.”

Dy cilësitë e tij të pandashme janë durimi dhe falënderimi. Ai di si të reagojë në kohën kur begatitë zbresin me bollëk, po ashtu edhe kur sprovat shtohen së tepërmi. E rëndësishme është se çdo situatë është në favorin e tij, ai s’del asnjëherë i humbur, por veçse fiton diçka. Disa dijetarë kanë nxjerrë nga ky hadith mësimin se besimtari është i karakterizuar nga një gjendje pozitiviteti në çdo situatë të jetës.

Nëse njeriu do t’i vlerësonte gjërat në këtë formë, shumë gjëra do të zgjidheshin lehtësisht. Në fakt, ai do të karakterizohej edhe nga maturia në çdo veprim që do të ndërmerrte. Hapi i parë ndaj të mirës nuk është mbytje në të dhe të mos mendosh se nga të ka ardhur dhe çfarë përgjegjësie ke për të. Gjithashtu, hapi i parë ndaj sprovës nuk është ankesa, e bërtitura apo reagimi i pakontrolluar. Nëse njeriu do të arrijë të kontrollojë emocionet e tij rreth situatave të ndryshme në jetë, atëherë reagimi i tij do të jetë i matur dhe më pranë të vërtetës.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: