Si t’i largoj cytjet e shejtanit në adhurimet e mia?

Dallimi e vesveseve është në fakt një hap drejt zgjidhjes së tyre dhe ngacmime të tilla shkaktohen prej shejtanit. Në suren ‘Nas’, shejtani cilësohet si “pëshpëritës”, që do të thotë se ai është shumë tinëzar kur vjen puna për të hedhur dyshime. Ky është një aspekt i shejtanit që nuk duhet lënë jashtë vëmendjes. Rruga më e sigurt për të mposhtur një armik është të dish taktikën e tij. Taktika e shejtanit vërtitet rreth të lënit në mëdyshje të njeriut pasi i ka futur dyshimin fillestar, mbjellja e pasigurisë e frikës në zemrën e tij, derisa ta ftohë atë edhe prej adhurimeve që në kushte normale i vijnë shumë të lehta.

Ndërsa taktika që ju mund të përdorni si kundërsulm është “të mos i jepni atij terren” për të vazhduar lojën e vet. Duhet ta kaloni duke i thënë: “Unë e di lojën tënde, ti je armiku im i betuar që punon si e si të më largosh mua prej Allahut!” Pra, nëse hyni në dyshime të pabazuara për abdesin tuaj, nuk do t’i jepni krahë duke marrë sërish abdes. Do të vazhdoni me bindjen tuaj. E njëjta gjë vlen për marrjen e gusullit dhe namazin. Nuk do të përsërisni gusullin dhe pa qenë të sigurt se keni ngatërruar diçka në namaz, nuk do ta kryeni sexhden e harresës. I Dërguari i Allahut (s.a.s) thotë: “Kur bini në dyshim nëse keni falur tri apo katër rekate namaz, largojeni dyshimin duke vazhduar sipas asaj që jeni më të bindur. Plotësojeni faljen dhe para se të jepni selamin bëni dy sexhde të njëpasnjëshme. Në qoftë se keni falur pesë rekate, dy sexhdet ndërmjetësojnë për namazin tuaj. Nëse rekatet e falura janë po katër, ato dy sexhde shtesë bëhen pretekst për largimin e shejtanit.” (Buhariu)

Po të vini re, Profeti (paqja qoftë mbi Të) thotë: “ta hedhë tutje dyshimin, të vazhdojë ashtu si zemra ia ndien më të sigurt”. Domethënë, në atë çast nuk do të merreni me dyshimin brenda jush. Do ta zmbrapsni atë mëdyshje nga zemra juaj dhe do të bëni atë për të cilën keni më tepër siguri. As më vonë nuk do hyni në mendimin se namazi nuk ju është pranuar. Allahu me mëshirën e Tij e pranon, nëse do. “Shtesa” në namaz vlen si ndërmjetësuese për kompensim, ndërsa në pastë ndonjë mangësi, Allahu e plotëson, sepse çdo gjë mbetet në dorë të Tij. Është shumë e rëndësishme të mos bihet në kurthet dhe lojërat e shejtanit dhe kjo është ajo që Profeti (s.a.s) na mësoi.

Ndoshta në kokë mund t’ju lindë një pyetje e tillë: “nuk kam siguri mbi atë që bëj, a t’i bëj gjërat siç e di se do të më japin siguri, apo të mjaftohem me të bindur veten?”

Po, mund të mos jeni i bindur për atë që keni vepruar. Gjithsesi duhet të zbatoni ato që feja ju mëson e të thoni: “Me lejen e Zotit jam në rregull” dhe të vijoni. Për shembull, le të themi se i latë këmbët gjatë abdesit. Mos nisni të dyshoni më pas nëse e keni marrë abdesin si duhet në këtë pikë apo jo. I thoni vetes “E kam bërë sikurse ka urdhëruar Zoti: i kam larë gishtërinjtë, po ashtu thembrat dhe pjesën e poshtme të këmbës, e kështu me radhë. Tani, në pastë mbetur pjesë e pa lagur, Allahu më faltë! Allahu nuk është i pamëshirshëm – mos qoftë thënë, që të më ndëshkojë për një gjë kaq të vogël” dhe përfundojini adhurimet tuaja.

Mbase në fillim do ta sforconi veten brenda këtyre kritereve për çdo abdes dhe namaz tuajin. Do të thoni “Jo, e fala pa mangësi namazin, abdesin e mora pa të meta”, duke përdorur gjithë vullnetin tuaj. Pastaj, me kalimin e kohës, me lejen e Allahut do të shpëtoni nga të gjitha dyshimet. Ndërkohë, mos harroni leximin e vazhdueshëm të sureve Fatiha, Felek dhe Nas.

Një nga qëllimet e pëshpëritjeve të shejtanit është edhe çuarja e njeriut në pesimizëm. Kështu, njeriu le të lodhet, të stërmundohet, për të mos ia dalë dot në krye me adhurimet e veta njëfarësoj, pastaj le të fillojë të mendojë se nuk i bën adhurimet ashtu si duhet, derisa ta presë shpresën nga mëshira e Zotit…dhe ky është rreziku më i madh! Veçanërisht, sepse shpresën nga mëshira e Tij e presin vetëm ata që nuk besojnë. Sa për besimtarin, ai bën sa mundet dhe shpreson që Allahu ta plotësojë veprën e tij përmes Mëshirës Hyjnore. Ai beson se nijeti vlen më tepër sesa vetë vepra. Besimtari përpiqet që me anë të nijetit të përmbushë mangësitë e veprave dhe gjithnjë i dorëzohet Zotit, ruan dhe ushqen një mendim të mirë për Të.

Përfundimisht, mos u kushtoni rëndësi vesveseve dhe mos e mërzitni veten duke menduar nëse ju është pranuar namazi apo jo. Këto lloj dyshimesh rriten e zmadhohen teksa u kushton vëmendje, derisa ju bëhen ferrë nën këmbë. Lutuni Allahut për to dhe mbështetuni tek Ai. Ta risjellim në kujtesë dhe njëherë: mos lini pas dore të lexuarit e sureve Felek, Nas, Fatiha, Ihlas dhe ajetit Kursi. Në dashtë Zoti, gjeni lehtësim së shpejti!

Postime të ngashme