VAXHIBET E HAXHIT
Në vazhdim do t’i përmendim vaxhibet e Haxhit të cilat janë:
1. Saji mes Safasë dhe Meruesë[1]. Allahu xh.sh. ka thënë:
إِنَّ الصَّفَا وَ الْمَرْوَةَ مِنْ شَعَائِرِ اللَّهِ فَمَنْ حَجَّ الْبَيْتَ أَوِ اعْتَمَرَ فَلا جُنَاحَ عَلَيْهِ أَنْ يَطَّوَّفَ بِهِمَا وَ مَنْ تَطَوَّعَ خَيْرًا فَإِنَّ اللَّهَ شَاكِرٌ عَلِيمٌ.
“‘Safa’ dhe ‘Merve’ janë nga shenjat (për adhurim) e Allahut, e kush e mësyn shtëpinë për Haxh (Qabenë) ose për Umre (vizitë jashtë kohës së Haxhit), nuk është mëkat për të t’i vizitojë ato dyja (të ecë në ato dy vende). E kush bën ndonjë të mirë nga vullneti (jo detyruese), s’ka dyshim se Allahu është Mirënjohës, Dijeplotë.” (Bekare: 158)
Gjatë kryerjes së Sajit, haxhiu duhet të ecë në këmbë dhe nuk lejohet bartja e tij nëse për të nuk ka arsyetim juridik. Nëse haxhiu nuk ecën dot në këmbë dhe për të nuk ka arsyetim, detyrohet me therje të kurbanit.
2. Zgjatja e qëndrimit në Arafat prej zenitit, ditën e Arafatit deri pas perëndimit të diellit, me qëllim që të kapë edhe një pjesë të natës.
3. Qëndrimi në Muzdelife, qoftë edhe vetëm disa çaste pas sabahut ditën e Bajramit, por para lindjes së diellit, kurse bujtja në Muzdelife është synet.
4. Shtyrja e namazit të akshamit dhe të jacisë deri në Muzdelife dhe falja e tyre bashkërisht në Muzdelife në kohën e namazit të jacisë. Nëse haxhiu e ka falur namazin e akshamit rrugës duke shkuar në Muzdelife ose në Arafat, duhet ta përsërisë namazin e akshamit deri para mëngjesit.
5. Gjuajtja e guralecëve sipas rendit në ditën e caktuar, që të mos vonohet gjuajtja e çdonjërës në tjetrën gjatë tri ditëve.
6. Qethja e flokëve apo rruarja e kokës.
7. Therja e kurbanit për Haxhin kiran dhe temettu.
8. Therja e kurbanit të bëhet para qethjes apo rruarjes.
9. Tavafi i Lamtumirës (Ueda) për haxhilerët të cilët jetojnë jashtë mikateve. Ky tavaf nuk është detyrim për femrat që janë me të përmuajshmet femërore.
10. Që tauafuz-zijareti të bëhet gjatë tri ditëve të Bajramit, respektivisht deri para perëndimit të diellit, ditën e tretë.
11. Tri rrotullimet e fundit të tavafit.
12. Tavafi të fillojë nga Guri i Zi (Haxherul esued).
13. Sjellja të bëhet në të djathtë, do të thotë që Qabeja të ngelë në krahun e majtë.
14. Fillimi i sa’jit të bëhet nga kodrina e Safasë.
Dispozita e lënies së një vaxhibi, detyron me një dënim, që është therja e një kurbani dele apo kafshë të madhe për shtatë persona. Lënia e vaxhibit nuk e prish Haxhin, pavarësisht se a bëhet me qëllim apo nga harresa, e di se është vaxhib apo nuk e di, me përjashtim të lënies me qëllim, i cili konsiderohet mëkat.
[1]. Saji mes Safasë dhe Mervesë, te shkollat e tjera juridike është rukn i Haxhit.